Eksportet e nisin mbarë vitin, rriten 15.5% në janar, dyfishohet nafta

17/02/2017 12:17 PM 0 komente

Por eksportet e tekstileve e këpucëve, grupi më i madh në vend, kanë ngadalësuar ndjeshëm rritjen, duke u zgjeruar me vetëm 7%…

 

Pas një viti me performancë negative, eksportet e kanë nisur mbarë vitin 2017, teksa eksportet e naftës i janë rikthyer rritjes, të ndikuara nga çmimi më i favorshëm në konjukturat ndërkombëtare. Të dhënat e INSTAT treguan se në Janar 2017 eksportet e mallrave arritën vlerën 19 mld lekë, duke u rritur me 15,5 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe duke u ulur me 13,3 %, në krahasim me Dhjetor 2016. Importet e mallrave në Janar 2017 arritën vlerën 35 mld lekë, duke u ulur me 0,2 %, në krahasim me një vit më parë dhe me 37,6 %, në krahasim me Dhjetor 2016. Deficiti tregtar i këtij muaji është 16 mld lekë, duke u ulur me 14,2 %, krahasuar me Janar 2016 dhe me 53,2 %, në krahasim me Dhjetor 2016.

 

Rritja vjetore e eksporteve prej 15,5 %, këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +11,4 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë”  me +3,5 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale”  me +2,1 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të eksporteve ka ndikuar negativisht grupi: “Ushqim, pije, duhan” me -1,2 pikë përqindje, “Lëkurë dhe artikuj prej tyre” me -0,6 pikë përqindje, “Prodhime druri dhe letre” me -0,1 pikë përqindje.

Tabelat e INSTAT tregojnë se eksportet e grupit lëndë djegëse minerale e energji pothuajse u dyfishuan, duke u zgjeruar me 92%. Vitin e kaluar eksportet e këtij grupi ishin shumë të ulëta në janar, pasi çmimi në bursat ndërkombëtare arriti në nën 30 dollarë për fuçi.

 

Ndryshe nga lëndët djegëse, eksportet e tekstileve e këpucëve kanë shënuar një rritje minimale prej 7%, teksa vitin e kaluar ato u zgjeruan me ritme dyshifrore, duke amortizuar pothuajse tërësisht performancën e dobët të lëndëve djegëse.

 

Në muajin Janar 2017, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Janar 2016 janë: Italia me (13,0 %), Kosova me (31,5 %) dhe Spanja me (224,9 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Hungaria me (-30,2 %), Hollanda me   (-1,3 %) dhe Austria me (-4,6 %).

 

Në muajin Janar 2017, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me Janar 2016 janë: Gjermania me (11,7 %), Shtetet e Bashkuara me (27,2 %) dhe Rusia me (5,2 %).

Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia me  (-10,0 %), Kina me  (-1,8 %) dhe Turqia me (-3,6 %).

Shkëmbimet tregtare me vendet e BE zënë 61,1 %, të gjithë tregtisë. Në Janar 2017, eksportet drejt vendeve të  BE-së zënë 84,4 %  të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 48,6 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (41,0 %), Kina (7,4 %), Greqia (6,2 %) dhe Gjermania (6,0 %).

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz