Eksportet kanë shënuar një ecuri të mirë në muajin e parë të këtij viti, duke vijuar tendencën pozitive të vitit të kaluar. Rritja është udhëhequr nga performanca e mirë e materialeve të ndërtimit e metaleve, tekstile e këpucë dhe më pak e ushqimeve. Ndërsa grupi i mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë ka vijuar me tendencën rënëse.
Sipas INSTAT, në janar 2018 eksportet e mallrave arritën vlerën 23 mld lekë, duke u rritur me 23,6%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe 6,4%, në krahasim me dhjetor 2017. Importet e mallrave në janar 2018 arritën vlerën 45 mld lekë, duke u rritur me 27,0%, në krahasim me një vit më parë dhe u duke u ulur me 26,5%, në krahasim me dhjetor 2017. Deficiti tregtar i këtij muaji është 21,3 mld lekë, duke u rritur me 31,1%, krahasuar me janar 2017 dhe duke u ulur me 45,1%, në krahasim me dhjetor 2017.
Rritja vjetore e eksporteve prej 23,6 %, këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me +10,5 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me +8,1 pikë përqindje, “Ushqim, pije, duhan” me +2,7 pikë përqindje. Grupi që ka ndikuar negativisht në ndryshimin vjetor të eksporteve, është: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -1,9 pikë përqindje.
Kontributi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të importeve:
Rritja vjetore e importeve prej 27,0%, këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +10,9 pikë përqindje, “Makineri, paisje, pjesë këmbimi” me +5,6 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me +3,3 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të importeve nuk ka ndikuar negativisht asnjë grup.
Ecuria e tregtisë së mallrave sipas vendeve partnere
Në muajin janar 2018, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me janar 2017 janë: Italia me (6,1 %), Spanja me (114,6%) dhe Kosova me (43,7%). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Franca me (-15,4 %), Rumania me (-6,8%) dhe Hungaria me (-18,7%).
Në muajin janar 2018, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me janar 2017 janë: Italia me (14,9 %), Turqia me (40,2%) dhe Kina me (12,9%). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Shtetet e Bashkuara me (-11,9 %), Rusia me (-30,8%) Egjypti me (-7,5%).
Në janar 2018, shkëmbimet tregtare me vendet e BE zënë 67,1%, të gjithë tregtisë. Eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 81,5% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 59,5% të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (35,6%), Greqia (7,2%), Kina (6,7%) dhe Gjermania (6,2%).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.