Kryesojnë bimët mjekësore, peshku i përpunuar me material porositësi dhe zarzavatet. Por, eksportet e produkteve të bulmetit bien me 74%, pritet rritje e çmimeve referencë për të mbështetur përpunimin vendas të qumështit….
Eksportet e produkteve bujqësore u rritën me rreth 27% me bazë vjetore për periudhën janar-prill 2014, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, të udhëhequra nga bimët mjekësore, peshku i përpunuar me material porositësi dhe zarzavatet.
Sipas statistikave më të detajuara, zëri kryesor që ka ndikuar në rritjen e eksporteve është konstatuar një rritje e vlerës së shtuar të këtyre eksporteve ai i bimëve mjekësore, që për katër mujorin u zgjerua me 45%, në raport me janar-prill 2013. Xhavit Hysenaj, i Shoqatës së Eksportuesve të Bimëve mjekësore pohon për Monitor.al se ka një rritje të vlerës së shtuar të këtij segmenti, si rrjedhojë e investimeve në përpunim e kultivim, por ai shton se duhet punuar më shumë pas vjeljes, se është pika më e dobët e industrisë. Ai pohon se ka dhënë një ndikim pozitiv mbështetja e skemave të bujqësisë nga agjencia e pagesave dhe skemat mbështetëse të Ministrisë së Bujqësisë. Por, Hysenaj pohon se ndërsa qeveria ka pasur si prioritet përshpejtimin e procesit të dhënies së lejeve të ndërtimit për industrinë e bimëve mjekësore që kërkon të investojë në magazinim, është konstatuar një sorollatje nga ana e pushtetit lokal, që ka çuar në vonesa të investimeve.
Bimët mjekësore përbëjnë dhe grupin më të madh të eksporteve bujqësore, me 46% të totalit për katër mujorin, nga 40% në janar-prill 2013.
Grupi i dytë që po njeh rritje të shpejtë është ai i peshkut të përpunuar, që punon kryesisht me regjimin e materialit të porositësit. Ky zë u rrit me 52% për katërmujorin, duke zënë 21% të totalit të eksporteve.
Një tjetër grup me rritje të shpejtë është ai zarzavateve, teksa investimet në vite në sera dhe grumbullim po japin rezultate. Eksportet e zarzavateve u rritën me 64% për katërmujorin, duke përbërë 15% të totalit të eksporteve të produkteve bujqësore. Shqipëria konsiderohet si mjaft konkurruese në prodhimin e zarzavateve të hershme, për shkak të klimës së saj dhe produktet cilësore po eksportohen në shumë vende të Europës. Kërkesa e lartë për eksport, është sipas ekspertëve dhe një nga arsyet pse domatja është e shtrenjtë në tregun vendas në këtë periudhë.
Këto janë grupet që po udhëheqin rritjen e eksporteve të produkteve bujqësore, ndërkohë që produktet e tjera kanë shënuar rënie. Më e dukshme është tkurrja e eksporteve të produkteve bulmetore e vezëve, që ranë me rreth 75% për katëmujorin. Sidomos industria e qumështit nuk po arrin ta marrë veten që prej marsit të vitit të kaluar, kur u godit nga bllokimi nga Autoritetet e Kosovës për shkak të nivelit të lartë të alfatoksinës, alarm që më pas rezultoi i pabazë. Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti ka theksuar së fundmi se po diskutohet rritja e çmimeve të referencës për produktet e importit, në mënyrë që të mbështetet industria vendase.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.