Eksportet gjallërohen në mars nga pjesët e këmbimit, në rënie tekstilet e këpucët

17/04/2019 12:13 PM 0 komente

Pas një rënieje prej dy muaj radhazi, eksportet janë gjallëruar lehtë në muajin mars sipas statistikave të publikuara sot nga INSTAT.

Në Mars 2019 eksportet e mallrave arritën vlerën 28 mld lekë, duke u rritur me 2,7 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 23,0 %, në krahasim me Shkurt 2019.  Importet e mallrave arritën vlerën 56 mld lekë, duke u rritur me 1,1 %, në krahasim me një vit më parë dhe me 12,1 %, në krahasim me Shkurt 2019. Deficiti tregtar i këtij muaji është 28 mld lekë, duke u ulur me 0,5 %, krahasuar me Mars 2018 dhe rritur me 3,1 %, në krahasim me Shkurt 2019.

Sipas INSTAT, rritja vjetore e eksporteve prej 2,7 %, këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” me +3,8 pikë përqindje, “Ushqime, pije, duhan” me +1,7 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale”  me +1,1 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të eksporteve ka ndikuar negativisht grupi “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -4,6 pikë përqindje.

Eksportet e “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi”, u rritën me 70% në muajin mars, duke arritur në 2.5 miliardë lekë, teksa janë shtuar investimet në kompanitë që prodhojnë ose montojnë pjesë këmbimi për automjete. Industria mbështetëse automotive po njeh zgjerim në tregun shqiptar. Gjermanët e “Forschner” pritet që të nisin punë së shpejti në fabrikën e tretë të saj, ndërkohë që edhe “PSZ Albania” ka vite që operon. Së fundmi, industrisë i janë shtuar edhe francezët e “Delmon Group”, me një fabrikë në Elbasan, kurse koreanët e “Yura” gjatë këtij viti pritet të vendosen në Fier pas një epopeje 2-vjeçare zvarritjeje. http://www.monitor.al/shqiperia-po-monton-sisteme-elektrike-per-benz-kia-hyunday-peugeot/

Ertjan Cabiri, Drejtor Menaxherial i “Delmon Group Albania”, një filial i një kompanie franceze vendosur një Elbasan dhe që  prodhon gomina amortizuese për autovetura të “Peugeot”, “Renault”, “Fiat Group”, shprehet për Monitor se kompania ka rritur eksportet së fundmi. “Ne kemi rritur eksportet me 20-30 për qind gjatë kësaj periudhe dhe mendojmë se do të ruajmë të njëjtin trend edhe në vijim” shprehet Cabiri.

 

Rënie me 3% për janar-mars

Por, për 3 mujorin, tendenca mbetet në rënie, për shkak të performancës negative të janarit dhe shkurtiti. Sipas INSTAT, në tremujorin e parë të vitit 2019, krahasuar me një vit më parë, eksportet e mallrave arritën vlerën 72 mld lekë,  duke u ulur me 3,0 %, ndërsa importet e mallrave arritën vlerën 148 mld lekë, duke u rritur me 1,2 %. Deficiti tregtar arriti vlerën 76 mld lekë, duke u rritur me 5,6 %, krahasuar me 2018.

 

Tekstile e këpucë në rënie

Eksportet e tekstileve e këpucëve, grupi më i madh i eksportuar, me 43% të totalit, kanë vijuar tendencën rënëse edhe në mars. Për tremujorin, eksportet e këtij grupi kanë rënë me 2%, duke arritur në 30.9 miliardë lekë. Eksportuesit kanë pohuar vazhdimisht gjatë vitit të kaluar që ata u ndikuan negativisht nga nënçmimi i euros dhe kishin një pritshmëri pesimiste për këtë vit, pasi nuk po arrinin të mbyllnin kontratat me partnerët e huaj. Ky grup zë peshën kryesore të eksporteve me 45% të totalit.

Gjergj Leqejza, administrator i kompanisë Shqipëria Trikot, gjykon se nëse nuk do të merren masa, e ardhmja e sektorit mbetet e zymtë. “Sigurisht që kursin e këmbimit e vendos tregu dhe nuk mund të merren shumë masa. Ne këtë e kuptojmë, por rënia e euros na ka sjellë mjaft goditje, pasi ne jemi biznes që aktivet i kemi 100% në euro, kurse pagesat i kemi në lekë. Për këtë arsye, përqindja e rënies së euros në raport me një vit më parë është reflektuar e gjitha si një humbje neto. Ne vazhdojmë të paguajmë njëlloj energji, paga, taksa. Nëse situata vazhdon njëlloj, e shoh të zymtë të ardhmen e këtij sektori”, shprehet ai.

 

Lëndët djegëse dhe energjia tkurren 20%

Eksportet e “minerale, lëndë djegëse, energji” kanë shënuar dhe rënie më të fortë me 20% për tremujorin, duke zbritur në 10.9 miliardë lekë. Edhe në mars tkurrja ishte e fortë me gati 22%.. Ky grup zë rreth 15% të totalit. Ndikim kryesor këtu dha ulja e eksporteve të energjisë elektrike, që vitin e kaluar arritën kulmin për shkak të situatës së favorshme hidrike. Në rënie ishin dhe eksportet e Bankers Petroleum, më të madhit në vend, që shënoi tkurrje drejt Spanjës, që është dhe tregu i saj kryesor. Burime zyrtare nga kompania pohuan se sasia e eksportuar në janar-mars ka qenë e pandryshuar, por efekti ka ardhur pasi çmimi ka rënë me 10 dollarë për fuçi, në raport me të njëjtën periudhë.

 

Metalet i rikthehen rritjes në mars

Eksportet e “Materiale ndërtimi dhe metale” ranë me 14% për 3 mujorin në 11.3 miliardë lekë, por në mars ky grup rikuperoi, duke u rritur me gati 16%. Burime zyrtare nga Kurum, eksportuesit kryesorë të këtij grupi, pohuan se arsyet e rënies së eksporteve në dy muajt e parë lidheshin me dimrin më të ftohtë, ndërkohë që gjysmën e dytë të shkurtit ka pasur mungesë stoku, për shkak se kompania po investon në rritjen e kapaciteteve. Kjo situatë u rikuperua në mars.

 

Ecuria e tregtisë së mallrave sipas vendeve partnere

Në muajin Mars 2019, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Mars 2018 janë: Italia (7,3 %), Kosova (86,8 %) dhe Maqedonia (45,6 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Gjermania (-13,5 %), Spanja (-54,4 %) dhe Greqia (-14,8 %).

Gjatë këtij tremujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (0,4 %), Kosova (43,7 %) dhe Maqedonia (20,1 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Gjermania (-6,7 %),  Greqia (-13,4 %) dhe Kina (-43,6 %).

Në muajin Mars 2019, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me Mars 2018 janë: Greqia (18,0 %), Kina (17,0 %) dhe SHBA (19,4 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (-1,6 %), Turqia (-7,4 %) dhe Gjermania (-44,4 %).

 

Gjatë këtij tremujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Kina (16,6 %), Greqia (5,4 %) dhe Turqia (0,8 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (-6,5 %), Gjermania  (-23,6 %) dhe Spanja (-23,7 %).

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of