Shqipëria ka eksportuar në vitin 2018 mallra e produkte me vlerë prej rreth 206 milionë eurosh në Kosovë, duke shënuar nivelin më të lartë historik, sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia Statistikore e Kosovës. Në raport me një vit më parë është shënuar rritje e ndjeshme prej 35.6%.
Por të dhënat e detajuara mujore dhe sipas kapitujve, tregojnë se kjo rritje lidhet më shumë me gjallërimin e aktivitetit të kompanisë shqiptare të prodhimit të çelikut Kurum, e cila në 2018-n rriti ndjeshëm aktivitetin dhe eksportet, pasi doli me sukses nga një procedurë falimentimi e nisur në mars 2016.
Këtë e tregon dhe fakti që në dhjetor, eksportet nga Shqipëria drejt Kosovës ishin 17 milionë euro, nga 22 milionë euro që rezultuan në gusht, kur nuk kishte hyrë në fuqi taksa me Serbinë. Ky grup zë 41% të eksporteve shqiptare drejt Kosovës, sipas INSTAT. Kosova është një nga destinacionet kryesore të eksportit për Kurum dhe kërkesa ka qenë në rritje si rrjedhojë e ndërtimeve rezidenciale dhe projekteve të mëdha të infrastrukturës. Eksportet e Gizës dhe çelikut nga Shqipëria në Kosovë u rritën me 52% në 2018-n.
Grupi i dytë me rritjen më të lartë është ai i lëndëve djegëse minerale, me 15% të totalit. Ky grup shënoi rritje prej gati 80% të eksporteve në 2018-n. Ndërsa “Alumini dhe artikuj prej tij” dhe “Zarzavatet” ranë përkatësisht me 7% dhe 0.3% me bazë vjetore. Ecuri pozitive kishin eksportet e “mobilieri e dyshekë”, me një zgjerim prej 40%.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.