Sipas të dhënave të bëra publike nga INSTAT, muaji maj 2015 shënoi një ulje të eksporteve shqiptare, krahasuar me një vit më parë, me 4.8 %, shkak për të cilin mësohet të jetë grupmallrat “ushqime, pije, duhan”, ndjekur më pas nga tekstile dhe këpucë. Ndërsa, krahasuar me muajin prill, pati një rritje me 16 %.
Nga ana tjetër, importet në maj u ulën me 8.3 % krahasuar me një vit më par, si shkak për të cilin janë importet e grupit “makineri dhe pajisje”, si dhe u rritën krahasuar me muajin prill, me 1.2 %.
Mësohet se deficiti tregtar i këtij muaji është 20 mld lekë, duke u ulur me 12,2 % krahasuar me Maj 2014 dhe Prill 2015.
Shkëmbimet tregtare me vendet e BE zënë 67,7 % të të gjithë tregtisë. Partnerët kryesorë tregtarë janë Italia (39,2 %), Greqia (7,3 %), Turqia (5,9 %) dhe Gjermania (5,3 %).
Eksportet
Në Maj 2015 eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 70,4 % të eksporteve gjithsej, duke u ulur 2,9 %, krahasuar me një vit më parë. Peshën më të madhe të eksporteve drejt vendeve të BE-së e zënë Italia me 65,6 %, Spanja me 5,4 % dhe Greqia me 5,3 % të eksporteve gjithsej.
Vendet e BE-së me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Maj 2014 janë: Gjermania, Kroacia dhe Austria. Ndërsa, vendet me të cilët ka pasur ulje të eksporteve janë: Mbretëria e Bashkuar, Spanja dhe Italia.
Eksportet, në Maj 2015 krahasuar me një vit më parë, drejt Kosovës janë rritur duke zënë 11,3 % të eksporteve gjithsej, ndërsa eksportet drejt Turqisë dhe Kinës janë ulur duke zënë 3,0 % të eksporteve gjithsej.
Importet
Në Maj 2015 importet nga vendet e BE-së zënë 66,3 % të importeve gjithsej, duke u rritur 0,3 %, krahasuar me Maj 2014. Peshën më të madhe të importeve nga vendet e BE-së e zënë: Italia me 53,4 %, Greqia me 14,0 % dhe Gjermania me 9,8 %. Vendet e BE-së me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me Maj 2014 janë: Italia, Austria dhe Gjermania. Ndërsa vendet me të cilët ka pasur ulje më të madhe janë: Mbretëria e Bashkuar, Greqia dhe Kroacia. Importet, në Maj 2015 krahasuar me një vit më parë, nga Kosova janë rritur duke zënë 1,2 % të importeve gjithsej, ndërsa importet nga Kina dhe Turqia janë ulur duke zënë respektivisht 5,7 % dhe 7,5 % të importeve gjithsej.
Ndikimi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të eksporteve:
Rënia vjetore e eksporteve prej 4,8 % këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “Ushqime, pije, duhan” kontribuan me +2,6 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” kontribuan me +1,3 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” kontribuan me +0,4 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” kontribuan me -6,3 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” kontribuan me -3,1 pikë përqindje, “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” kontribuan me -0,4 pikë përqindje.
Ndikimi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të importeve:
Rënia vjetore e importeve prej 8,3 % këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “Makineri, paisje dhe pjesë këmbimi” kontribuan me +0,7 pikë përqindje, “Lëkurë dhe artikuj prej tyre” kontribuan me +0,3 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” kontribuan me +0,1 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” kontribuan me -5,9 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” kontribuan me -1,4 pikë përqindje, “Prodhime druri dhe letre” kontribuan me -0,8 pikë përqindje.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.