Eksporti i energjisë ra 10 herë këtë vit krahasuar me një vit më parë. Kjo ngadalësoi ritmin e eksporteve në total, duke zbritur në rritje njëshifrore. Me uljen e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, edhe bakri e kromi u tkurrën në eksporte
Të dhënat e fundit të tregtisë së jashtme treguan se eksportet tona kanë ndalur vrapin. Pas një ecurie të mirë prej më shumë se dy vitesh, me një rritje dyshifrore, për herë të parë eksportet rezultuan të jenë rritur më pak në shtatë muajt e këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Humbja e shkëlqimit të këtyre eksporteve vjen pothuajse tërësisht nga lëndët e para, burim energjie e bazë për prodhimin e metaleve.
Sipas të dhënave të Institutit Shqiptar të Statistikave, për herë të parë pas tre vitesh, eksportet e grupit “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike”, shënuan rënie. Në shtatë muaj eksporti i tyre ishte 54.3 miliardë lekë, ose 7% më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Mes eksporteve të këtij grupi, kanë shënuar rënie energjia elektrike, mineralet e kromit dhe bakrit, ndërkohë që vlerësohet të ketë pasur rritje të ndjeshme të eksportit të naftës bruto. Bankers Petroleum, një nga eksportuesit më të mëdhenj në vend, që tregton naftën bruto, ka pohuar se për gjashtëmujorin e parë 2014 ka rritur eksportet me 20% me bazë vjetore.
Në ndarjen e eksportit mes këtij grupi, energjia dhe lënda djegëse zënë peshën më të madhe, ndonëse përcaktimet e INSTAT janë të ndara me kategori. Brenda këtij grupi, lënda djegëse dhe energjia zënë peshën më të madhe (75% për këtë vit), ndërsa xeherorët zunë 17% të tij.
Nëse kategorizimi i INSTAT nuk na jep një pasqyrë të saktë, për të kuptuar se çfarë ka ndodhur na ndihmojnë kompanitë që operojnë në këtë treg.
Të dhënat e prodhimit të energjisë, të përqendruara pothuajse tërësisht te KESH, flasin për një përgjysmim të prodhimit të energjisë në vend. Sipas këtyre të dhënave, sasia e prodhuar në gjashtëmujorin e parë të vitit 2014 është 2.353 GWh nga 4.429 GWh e prodhuar gjatë së njëjtës periudhë në 2013-n. Rënia saktësisht me 47% u shoqërua me një ulje drastike të eksportit të energjisë, ndërsa importi u dyfishua.
Të dhënat e disponueshme vetën për gjashtë muajt e parë të këtij viti raportojnë një rënie me dhjetë herë të eksportit të energjisë.
E nëse eksporti i energjisë u tkurr për shkak të prodhimit, një tjetër produkt i rëndësishëm si bakri ra, për shkak të koniunkturës së pafavorshme në tregun ndërkombëtar. Ulja e çmimeve ka frenuar prodhimin e bakrit në vend. Tregtarët raportojnë edhe frenim të eksportit të kromit, ndonëse prodhimi nuk ka rënë.
Beralb: Po eksportojmë 20% më pak bakër
Do të oksidohej dhe nuk do të vlente për asgjë nëse do të nxirrej nga toka. Minerali i bakrit këtë vit vlerësohet të rrijë më mirë në “gjirin e tokës” sesa të kalojë në duart e njerëzimit. Çmimi në tregun ndërkombëtar ka zbritur në nivelet e kostos, sipas administratorit të kompanisë së nxjerrjes dhe pasurimit të bakrit në vend. Nazmi Kumanova, i Beralb, tregon se çmimi ka zbritur në 1050 dollarë/ton mineral bakri. Prej fillimit të këtij viti, çmimi ka rënë rreth 5%, ndërsa ka pasur luhatje në muaj të ndryshëm. Kjo rënie në vetvete nuk është aq drastike sa për të ulur 20% eksportet siç ka bërë Beralb, por po të kujtojmë edhe uljen e çmimit me 30% gjatë vitit të kaluar, kuptojmë se jemi larg shkëlqimit të këtij sektori. Në janar të vitit 2013, eksporti i koncentratit të bakrit ishte me çmimin më të favorshëm të shënuar ndonjëherë. Në tregun e huaj, një ton koncentrat bakri shitej 1600 dollarë.
Kjo luhatje çmimi lidhet me bursën aziatike, treg ku Shqipëria eksporton mineralin, ndërsa në tregun e Londrës, çmimi i bakrit të pastër shënoi rënie prej rreth 10%.
Kumanova, i cili kishte paralajmëruar mbylljen e ndonjë miniere të kompanisë, nëse çmimi do të vazhdonte zbritjen, tregon se në muajin shkurt, kompania mbylli minierën e Lakroshit”. Për sa kohë, çmimi është i ulët, është e kotë të synohet një prodhim i lartë, sipas Kumanovës. Ndryshe nga prodhime të tjera, nuk mund të krijohen stoqe bakri, pasi metali oksidohet dhe nuk ka më vlerën e duhur në treg.
Luhatja e çmimeve është një sjellje normale në tregjet ndërkombëtare, por uljet e shënuara pas krizës, i kanë dobësuar edhe më tej sipërmarrjet, pasi i kanë gjetur në kushte më të vështira financiare. Në periudhën e çmimeve të larta, kompania e bakrit Beralb ka bërë investime në pasurimin e mineralit të bakrit dhe kapaciteti i prodhimit është shumë më i lartë se para këtyre investimeve. Kjo e bën edhe më të ndjeshme luhatjen e çmimeve. Për më tepër, edhe orientimi drejt kredive, për të prodhuar e për të krijuar rezerva duket një mision i pamundur, pasi vlerat e shpenzimeve për nxjerrjen e mineraleve janë të mëdha e rrjedhimisht edhe kostot e huas. Gjithsesi, prodhuesit e bakrit duan të shohin më larg e tregojnë se do të vazhdojnë me planet e tyre të zgjerimit, pasi janë në pritje të 4 lejeve minerare, për të cilat parashikojnë të investojnë 2.5 milionë dollarë. Optimizmi për ta vjen nga pritshmëritë në treg për një rritje të mundshme të çmimit në muajt e ardhshëm.
Kromi, nga mineral në metal
Edhe çmimi i kromit nuk është ai i një viti më parë. Një produkt që ka angazhuar shumë kompani të nxjerrjes e tregtimit të tij, por mbi të gjitha, zë me punë (të mjerë) me mijëra njerëz në vend rëndon njësoj si më parë, por vlen më pak. Sipas tregtarëve, eksporti pothuajse është pezulluar tre muajt e fundit, për shkak të çmimit të pafavorshëm të shitjes. Mundësia e shitjes aktualisht është në 240 USD/ton nga 260 USD/ton që ishte në fillim të vitit. Por rënia prej rreth 8% e çmimit nuk është e vetmja arsye e uljes së eksporteve. Arsyeja tjetër është pozitive, pasi ka të bëjë pikërisht me atë që prej vitesh i ka munguar tregut. Miniera më e madhe e kromit në vend, po furnizon furrat e shkrirjes për të nxjerrë metalin e ferro-kromit, në vend të eksportit të tij lëndë bruto e me çmim të ulët.
Ali Vishaj, drejtor i departamentit të shitjeve në AlbChrome thotë se, “struktura e re menaxheriale e kompanisë, pas blerjes nga ana e Grupit Balfin, ka mundësuar që parametrat e përgjithshëm të AlbChrome të përmirësohen ndjeshëm duke krijuar mundësi edhe për investime, me qëllim rritjen e prodhimit”. Kompania raporton rritje si në nxjerrjen dhe përpunimin e mineralit në prodhimin e ferro-kromit. Z. Vishaj kujton se është vendosur në punë impianti i përpunimit të kromit në Klos, pas 25 vitesh në stanjacion. Që nga fillimi i aktivitetit kompania raporton se janë përpunuar 10 mijë tonë krom në këtë impiant.
Në uljen e eksporteve të kromit ka dhënë ndikim edhe përdorimi i lëndës së parë për prodhimin e metalit ferro-krom. Drejtuesi i shitjeve të AlbChrome tregon se, krahasuar me një vit më parë, këtë vit, kompania parashikon të dyfishojë eksportet e ferro-kromit. Duke parë ecurinë gjashtëmujore, arritja e këtij qëllimi duket e mundur. Sipas të dhënave të kompanisë, vlera e eksportit të ferro-kromit në gjashtë muajt e parë të këtij viti arriti në 24 milionë dollarë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2013, vlera e këtij eksporti është 80% më e lartë. Mbarëvajtja e këtij minerali jashtë vendit duket jo vetëm në rritjen e sasisë. Kësaj radhe, edhe çmimi i prodhimit përfundimtar në tregjet ndërkombëtare ka qenë i favorshëm, pra më i lartë se vitin e kaluar. Kështu, drejtuesit e AlbChrome tregojnë se për të rritur 80% vlerën e eksporteve, u është dashur të rrisin 60% sasinë e ferro-kromit të dërguar jashtë. Ali Visha tregon se në 6 muajt e parë të këtij viti u eksportuan 16 mijë tonë ferro-krom. Por, drejtuesit e kompanisë theksojnë dhe një tjetër arsye që u ka mundësuar të shesin më shtrenjtë. “Prej nëntorit të vitit të kaluar, kemi përdorur një strategji të re për të sjellë në tregje produkte të reja, me cilësi e çmime më të larta”.
“Përmbyset” energjia
Bien 10 herë eksportet e energjisë krahasuar me vitin e kaluar. Shqetësim prodhimi, por edhe shpërndarja
Tregtia e jashtme e gjashtëmujorit të parë të këtij viti është një panoramë e qartë e varësisë së ekonomisë sonë nga energjia elektrike. Ndonëse vitet e fundit janë bërë investime të mëdha në prodhimin e energjisë, e madje disa prej hidrocentraleve private janë futur në prodhim, pavarësia elektroenergjetike e vendit është shumë e largët. Mjafton të shikojmë gjashtëmujorët e parë të dy viteve të fundit për të kuptuar varësinë e lartë të ekonomisë sonë nga një burim i rëndësishëm si ai i energjisë elektrike.
Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, bilanci i energjisë është përmbysur tërësisht. Eksporti i energjisë elektrike ka rënë jo pak, por dhjetë herë në gjashtë muajt e parë të këtij viti krahasuar më të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas INSTAT, eksporti zbriti në 116.7 mijë GWh nga 1256.5 GWh që eksportuam gjysmën e parë të vitit 2013. Por, sistemi i energjisë nuk është mjaftuar me kaq. Ulja e eksporteve ka rënë për shkak të tkurrjes së ndjeshme të prodhimit të energjisë, të cilën kompania kryesore e prodhimit KESH e shpjegon me mungesën e reshjeve. Por, performanca e dobët e prodhimit të energjisë, nuk na ka siguruar më pak të ardhura nga eksporti. Të dhënat e tregtisë tregojnë se prodhimi nuk ka qenë i mjaftueshëm për vazhduar të plotësojë pjesën më të madhe të tregut. Këtë vit jemi detyruar të importojmë më shumë, ose më saktë të dyfishojmë importin e energjisë. Sipas të dhënave të INSTAT, importi bruto i energjisë elektrike është rritur më shumë se dy herë në gjashtëmujorin e parë të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë, duke arritur në 1.786 GWh. Një vit më parë, ky import ishte 804 GWh.
Në këtë periudhë, importi furnizoi mbi 44% të tregut me energji nga 20,2% që zinte për të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Bilanci i energjisë është përkeqësuar jo vetëm në prodhim por edhe administrimin e saj në shpërndarje. Ndaj ekspertët mendojnë se pati edhe më shumë nevojë për importe. Të paktën në shtatë vitet e fundit, 2010-a ka qenë më pozitivi sa i përket nivelit të humbjeve në rrjet. Të dhënat zyrtare tregojnë se vetëm në këtë periudhë, ato kanë njohur vlerën më të ulët, në rreth 30.3%. Ndërsa humbjet në rrjet të energjisë elektrike kulmuan në vitin 2012, kur i kaluan 46% të totalit. Sipas të dhënave, duket qartë se tendenca e humbjeve në rrjet ka qenë vetëm në rritje. Statistikat e ERE-s në raportin vjetor tregojnë se për vitin 2013, niveli i humbjeve i raportuar nga CEZ Shpërndarje sh.a. ishte mbi 45%, me një përmirësim të lehtë prej 1.3% nga humbjet e konstatuara në vitin 2012. Në sistemin e transmetimit humbjet e energjisë elektrike arritën në 209.6 GWh, pra më shumë se eksporti i këtyre gjashtë muajve. Në total, humbjet në sistemin e transmetimit janë 2.32% e totalit të prodhimit.
Bie me 6% pesha e mineraleve në eksporte
Për periudhën janar-korrik 2014, eksportet në tërësi shënuan një rritje prej vetëm 7.6%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Vlera e tyre ishte 153 miliardë lekë, ku “mineralet, lënda djegëse dhe energjia elektrike” zinin më pak se 35.5% të këtyre eksporteve. Të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, pesha e këtij grupi në eksporte ishte 41%, sipas INSTAT. Më kritik në uljen e eksportit të mineraleve vlerësohet të ketë qenë muaji korrik. Sipas të dhënave të tregtisë në 7-mujor, ulja e eksporteve ishte 7%, ndërsa deri në fund të një muaji më parë, në qershor, ato rezultonin vetëm 3% më të ulëta se gjashtëmujori i parë i vitit 2013.
Po ta krahasojmë me një vit më parë, eksporti i lëndëve të para bazë është më se negativ, jo vetëm për tkurrjen në vlerë, por për ndryshimin 180 gradë të kahut të saj në tregti. Në vitin 2013, eksportet e lëndëve djegëse, mineraleve e energjisë u rritën me ritme dyshifrore, duke udhëhequr gjithë eksportet shqiptare.
Vitin e kaluar, kur ekonomia u rrit me vetëm 0.4%, eksportet në tërësi u zgjeruan me rreth 16%, duke u bërë një nga motorët kryesorë të zhvillimit. Por këtë vit, ndonëse sinjalet janë për një gjallërim të ekonomisë, eksportet nuk po arrijnë të ruajnë nivelin e tyre të kontributit në këtë rritje.
Eksportet nuk kanë krijuar ende një nivel të qëndrueshëm rritjeje. Ndjeshmëria ndaj tregjeve dhe çmimeve të huaja është e theksuar, për shkak të gamës së kufizuar të mallrave që eksportojmë, pohojnë ekspertët e tregtisë dhe luhatje të tilla vlerësohet të vazhdojnë për sa kohë “shporta” e mallrave që dërgojmë jashtë është e varfër me pak produkte dhe me produkte që varen nga koha, si ai i prodhimit të energjisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.