Në total, eksportet shqiptare u rritën me 8% me bazë vjetore në 2012-n, duke arritur në 213 miliardë lekë. “Bankers” është kthyer në eksportuesin më të madh në vend, me xhiron e tij, që ishte e barabartë me 24% të totalit të eksporteve vitin e kaluar.
“Bankers Petroleum”, realizoi një xhiro prej 52.8 miliardë lekësh, me një rritje me bazë vjetore prej gati 40%.
“Bankers” ka qenë orientuesi kryesor edhe i eksporteve shqiptare gjatë 2012-s, duke ndikuar në gati 90% të rritjes së tyre, ndërkohë që dy grupmallrat e tjerë të rëndësishëm, tekstile e këpucë dhe material ndërtimi e metale shënuan rënie.
“Kurum” ka arritur që të shënojë rritje, ndonëse eksportet e metaleve në total kanë shënuar rënie, duke arritur ta neutralizojë këtë me shtimin e shitjeve brenda vendit. Xhiro e kompanisë ishte 25.7 miliardë lekë, me një zgjerim vjetor prej 10%.
Kompania e tretë më e madhe eksportuese në vend, “Beralb”, sipërmarrja kryesore që vepron në prodhimin e bakrit në vend (ajo ka marrë në koncesion minierat e bakrit Munelle dhe Lakrosh, Karma si dhe fabrikën e pasurimit të bakrit Fushë-Arrëz) ka shënuar gjithashtu një performancë pozitive, me një rritje të xhiros me bazë vjetore prej 24%, në 5.6 miliardë lekë.
Teksa eksportet e këpucëve u tkurrën me 2% me bazë vjetore, kompania më e madhe në fushën e fasonit (punës me material porositësi) ka shënuar rënie me 17% të xhiros, në 2.56 miliardë lekë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.