Efekti i kursit të këmbimit dhe vonesat në rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar janë bërë edhe një herë shkak për një mbledhje të jashtëzakonshme të Unionit të Eksportuesve Shqiptarë. Në një deklaratë për shtyp të këtij unioni, eksportuesit vënë theksin tek pasojat shkatërruese që kanë pasur këto dy aspekte në sipërmarrjet e tyre që ka rezultuar në fshirje të fitimit dhe asfiksim të sektorit lidhur me nënkontraktorët.
“Së pari: Rënia drastike dhe e pandalshme e kursit të këmbimit euro-lek. Mbivleresimi i lekut kundrejt euros ka sjellë një humbje ekstreme për të gjitha ndërmarrjet tona. Të ardhurat e ndërmarrjeve janë në euro dhe shpenzimet janë në lekë.
Në kushtet kur euro në raport me lekun është zhvlerësuar mbi 9% gjatë vitit 2018, do të thotë një zhvlerësim i njëjtë i faturimeve (të ardhurave) për kompanitë tona. Theksojmë se fitimi mesatar i ndërmarrjeve eksportuese dhe rieksportuese është rreth 15%, që do të thotë rënie e të ardhurave në masën e 2/3 më pak vetëm për efekt të kursit të këmbimit” tha Alban Zusi në emër të Unionit., nga ana tjetër ai u shpreh se gjatë muajve të fundit ka patur një bllokim të rimbursimit të TVSH-së dhe për pasojë një bllokim të likuiditeteve të kompanive rieskportuese, që ka sjellë asfiksimin e sektorit, sidomos në marrëdhëniet me nënkontraktorët.
“UESH, shpreh shqetësimin e anëtarëve të saj, se paqëndrueshmëria e kursit të këmbimit dhe mosrimbursimi në kohë i TVSH-së po shkatërrojnë qëndrueshmërinë dhe aktivitetin e ndërmarrjeve tona dhe kërkon marrjen e masave urgjente për të normalizuar gjendjen.
Së pari: Kërkojmë ndërhyrje të menjëhershme për të stabilizuar kursin e këmbimit euro-lek. Së dyti: Kërkojmë nga ana e Qeverisë të bëjë rimbursimin e menjëhershëm të TVSH-së sipas ligjit dhe me përparësi për ndërmarrjet e përpunimit aktiv dhe ndërmarrjeve të tjera që iu takon sipas ligjit rimbursimi i TVSH-së” nënvizoi Zusi.
Duke analizuar situatën Unioni ka bërë edhe kërkesën tij ndaj qeverisë. “Kërkojmë nga ana e Qeverisë të gjejë mjetet e nevojshme për të ndihmuar ndërmarrjet eksportuese të dalin nga gjendja e vështirë dhe të kontribuojë për stabilizimin dhe normalizimin e situatës ekonomiko-financiare të tyre. UESH, nëpërmjet kësaj deklarate, kërkon dialog të hapur me qeverinë shqiptare për të arritur një zgjidhje të shpejtë të këtyre shqetësimeve që prekin një nga sektorët që numëron numrin më të madh të të punësuarave në vend dhe që siguron miliona euro nga eksporti i prodhimeve tona. Ne presim që brenda muajit janar 2019, të ulemi në tryezën e bisedimeve për të gjetur një zgjidhje të përbashkët, që shpëton nga falimentimi numrin më të madh të kompanive tona.
Ne deklarojmë se do të përdorim të gjitha mundësitë që na jep ligji dhe e drejta e organizimit në shoqatën tonë, nëse qeveria dhe autoritetet përgjegjëse nuk marrin në konsideratë kërkesat tona të ligjshme” mbyllet deklarata.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.