Qeveria e re do të synojë që ta kthejë turizmin shqiptar në pjesë integrale të ofertës mesdhetare. Por, për këtë, asaj do t’i duhet shumë punë, veçanërisht për të kuptuar se si dhe çfarë produkti do të eksportojmë, si do të bëhet i qëndrueshëm ky sektor dhe se si do të ndikojë në rritjen e ekonomisë, gjenerimin e vendeve të reja të punës dhe mbi të gjitha, uljen e varfërisë. Ekspertët thonë se politika në fillim duhet të mësojë ta njohë turizmin dhe pastaj të gjejë “formulën” për ta bërë atë prodhues dhe konkurrues
Nga Elona Bedalli
Edhe pse shifrat e vizitorëve që kanë ardhur në Shqipëri gjatë viteve të fundit janë në rritje, të ardhurat nga industria e turizmit nuk kanë ndjekur të njëjtin trend, kjo tregon se kemi të bëjmë më shumë me shqiptarë (emigrantë, ose shqiptarë me nënshtetësi tjetër etj.) që shpenzimet për turizmin i përfshijnë te remitancat që sjellin. Në kushte të tilla, pra për ta kthyer vendin në një destinacion të kërkuar edhe nga turistët e huaj (realisht të tillë) do të duhet që turizmi të bëhet pjesë e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror. Ekspertët thonë se që të arrihet kjo, do të duhet të bëhet një koordinim i plotë me menaxhimin hapësinor, atë të burimeve natyrore dhe njerëzore dhe me efikasitet. Por, a do të duhet që për këtë, qeveria e re ta nisë gjithçka nga pika zero. Ekspertët thonë se mund të mësohet nga gabimet që janë bërë deri më sot, të tregohet përkushtim për të marrë përgjegjësi dhe të bëhet një diagnostifikim i plotë në bazë të njohurive, por edhe atyre që është bërë ndër vite. Në programin e saj qeverisës, Partia Socialiste është zotuar se do ta kthejë turizmin në një nga tri shtyllat kryesore të ekonomisë dhe këtë do ta bëjë duke stimuluar një trekëndësh: trashëgimi kulturore, peizazh natyror dhe mikpritje shqiptare. Sipas të dhënave të Këshillit Botëror të Turizmit, në Shqipëri, kjo industri, gjatë vitit 2012, kontribuoi me rreth 6% ndaj Produktit të Brendshëm Bruto, ndërsa për vitin 2013 kjo shifër pritet të arrijë në rreth 8%. Ndërkohë që parashikohet që kontributi brenda një dekade të dyfishohet dhe deri në vitin 2023 të ardhurat që do të gjenerohen, do të arrijnë në 526 miliardë lekë. Por, çfarë është bërë deri tani me turizmin, ku kanë çaluar gjërat, përse ka më shumë gjëra të thëna në letër sesa në terren, çfarë duhet të marrin në konsideratë politikëbërësit dhe ku do të duhet të ndërhyjë shteti? Gjatë një interviste për “Monitor”, eksperti i turizmit, Luan Dervishej, nisur edhe ka përvoja e tij e gjatë në këtë fushë thotë se është koha që të vlerësohet drejt rëndësia që ka turizmi për ekonominë e vendit, si sektor shumëdimensional, që ndikon në disa industri të tjera, që gjeneron punësim, që rrit cilësinë e jetesës, që sjell më afër botën dhe që ndikon në ekonomitë rurale, duke ulur varfërinë.
INTERVISTA
Turizmi ka nevojë për një “busull”
Flet Luan Dervishej, ekspert i turizmit
Turizmi në Shqipëri, shpeshherë, në retorikën politike, është konsideruar si sektor prioritar, në fakt çfarë roli dhe rëndësie ka kjo industri?
Gjatë viteve të fundit, turizmi është artikuluar si një nga fushat më prioritare apo me të ardhme për vendin. Koha tashmë po tregon se fushat apo sektorët ku ekonomia shqiptare mund të ofrojë diçka në tregun global janë të kufizuara: bujqësi, turizëm, energjetikë. Ndërkohë në asnjërën prej tyre nuk mund të themi se kemi konsoliduar diçka në tregun ndërkombëtar, si për sa i përket përvojës dhe kapaciteteve dhe marrëdhënieve me tregun. Duke marrë parasysh dhe prioritetet për zhvillimin e vendit si punësimi, eksportet, shohim që turizmi mund të luajë rol domethënës në disa nga indikatorët e zhvillimit: punësim, eksport, reduktim varfërie.
Cilat janë disa nga karakteristikat bazë të këtij sektori?
Turizmi dhe oferta turistike ka një shtrirje globale dhe është mjaft konkurruese. Heqja e barrierave të lëvizjes, si nga pikëpamja e transportit dhe ajo politike e liberalizimit të vizave, mundësitë ekonomike gjithnjë e në rritje për shtresat e ndryshme, interneti (për sa i përket informacionit dhe ofertave), ka ndihmuar në përfshirjen e shumicës së vendeve të globit në ofertën turistike. Tashmë kur flasim për vende destinacione turistike nuk bëhet fjalë nëse ka atraksione ose jo, nëse vijnë turistë ose jo, por flasim për flukse dhe tendenca të tregut, për cilësinë e ofertës. Produkti turistik është një paketë me disa elementë dhe faktorë, ku më kryesorët janë: atraksionet, shërbimet e argëtimit, të akomodimit, ushqimit, udhëtimit, transportit dhe zhvillimi i infrastrukturës që lidhen me to. Ndërsa kushtet që ndikojnë në zhvillimin e turizmit janë: situata dhe stabiliteti politik, si dhe marketingu.
Shqipëria është përfshirë vonë në tregun botëror turistik. Ajo nuk ka pasur të zhvilluar ofertën e shërbimeve, aksesin dhe ballafaqimin me tregun dhe kërkesat e tij. Po kështu, destinacionet. Kërkesa turistike në dy dekadat e fundit ka filluar dhe është dominuar nga tregu vendas, emigrantët dhe shqiptarët e rajonit. Zhvillimet që kanë ndodhur në lidhje me produktin turistik kanë të bëjnë kryesisht me ofertën akomoduese, ushqimin, përmirësimin e infrastrukturës, aksesin, kushtet bazë të jetesës etj. Deri tani ka pasur një “penetrim” të ulët të bizneseve ndërkombëtare. Akomodimi dominohet nga shtëpi, apartamente private dhe nga hotele të vogla me përqendrim dërrmues në bregdet. Oferta e ushqimit, si komponent kryesor për kalimin e kohës së lirë për vendasit, ka krijuar një përvojë që i shërben edhe të huajve dhe turizmit. Agjencitë e udhëtimit kanë si shërbim dominues shitje-blerjen e biletave dhe më pak aktivitet incoming dhe outgoing.
Destinacionet kryesore janë bregdeti dhe qendrat kryesore urbane e kulturore. Futja në UNESCO e Beratit, Gjirokastrës, Butrintit ka ndikuar në rritjen e interesit të vizitorëve për këto atraksione. Zhvillimi i akomodimit ka qenë në zonat bregdetare (si me leje apo pa leje) me një moskoordinim të ndërtimit me infrastrukturën, të ofertës, dhe me pak mundësi për krijimin e një oferte të mirorganizuar.
Nga ana tjetër, zhvillimet në tregun rajonal kanë bërë që të përmirësohet aksesi nga fqinjët dhe turet rajonale.
Turizmi mund të vlerësohet, si një përvojë e re, me produkte të zhvilluara kryesisht për tregun shqiptar dhe në bregdet. Industria turistike është e re dhe dominohet nga hotelet, agjencitë, shërbimi ushqimor. Strukturat e menaxhimit të turizmit, si në nivel qendror dhe lokal janë të pakonsoliduara e po kështu, edhe shërbimet publike në destinacionet kryesore turistike.
Në çfarë gjendje është “produkti turistik”?
Nëse vërejmë rëndësinë që sektori i turizmit ka në ekonominë lokale, bie në sy një numër i kufizuar i njësive të qeverisjes vendore që evidentojnë turizmin si aktivitet me rëndësi. Shumica e këtyre njësive janë në zonën bregdetare si Velipojë, Shëngjin, Durrës, Rrashbull, Golem, Vlorë, Orikum, Himarë, Sarandë, Ksamil dhe në Pogradec në zonën liqenore, ku produkti kryesor janë pushimet e plazhit. Në këtë kategori të njësive të qeverisjes vendore gjithashtu përfshihen Kruja me turizmin kulturor dhe Thethi me turizmin e natyrës.
Destinacionet kryesore, të cilat vizitohen rregullisht nga turistët e huaj janë: Shkodra, Thethi, Tirana, Kruja, Durrësi, Apolonia, Berati, kanionet e Osumit, Korça, Gjirokastra, Saranda, Vlora dhe bregdeti i Jugut. Këto destinacione i karakterizon veçantia në disa nga elementët si: pjesë e listës së UNESCO-s, autenticiteti, përqendrim i atraksioneve si site të trashëgimisë botërore (Parku Arkeologjik i Butrintit, Berati dhe Gjirokastra) që janë tërheqjet kryesore, të ndjekura nga një grup atraksionesh historike, kulturore dhe monumente të ndryshme. Destinacionet kryesore të përfshira në udhëtimet kulturore të organizuara: janë Shkodra, Lezha, Kruja, Durrësi, Tirana, Fieri, Berati, Elbasani, Korça, Përmeti, Gjirokastra, Saranda dhe Vlora. Falë disa aktiviteteve të veçanta sportive si rafting, alpinizmi apo garat me makina është bërë e mundur që të tërhiqet edhe një segment i veçantë i turizmit të aventurës.
Projektet e zhvilluara në zona malore apo rurale kanë rritur turizmin natyror dhe viking, që duke u kombinuar me elementët e jetës tradicionale, ka rritur vëmendjen e tregut të jashtëm. Ndër këto projekte, një vend të rëndësishëm zë padyshim “Maja e Ballkanit”, e cila është vlerësuar edhe me çmim në evente ndërkombëtare. Ajo që mund të thuhet në rastin e Shqipërisë është se oferta turistike dominohet nga bregdeti, por ky produkt është zhvilluar kryesisht për tregun vendas dhe rajonal. Ky produkt ka një dimension kryesisht sezonal dhe është i paintegruar plotësisht me kulturën dhe natyrën.
Po pikat e forta dhe të dobëta?
Imazhi i Shqipërisë në treg vlerësohet se ka si pikë të fortë veçantitë e elementëve kulturorë dhe një miks me atraksionet natyrore me nivel çmimesh të arsyeshme.
Ndër pikat e dobëta mund të evidentojmë faktin se kemi produkte akoma të pakonsoliduara, ofertë të paorganizuar në nivel destinacionesh apo produktesh, informacion dhe marketing të pamjaftueshëm, dobësi në aspekte të veçantë të zinxhirit të produktit (në një destination mund të kesh mangësi shërbimesh, te tjetri të cilësisë së mjedisit, diku tjetër infrastruktura), mungesë të standardeve dhe përvojave në shërbime, të strukturave të menaxhimit turistik, dëmtime të mjedisit nga ndërtimet apo nga mbeturinat.
Çfarë modeli kemi ndjekur deri tani apo ky sektor është zhvilluar në mënyrë krejtësisht sporadike dhe pa orientim?
Zhvillimi ka qenë pak a shumë “me rrjedhje të lirë” d.m.th duke ndjekur zhvillimet e përgjithshme. Shteti më tepër ka marrë përsipër të përmirësojë kushtet e përgjithshme sesa të drejtojë dhe të koordinojë turizmin. Sektori privat, në kuadër të iniciativës së lirë ka zhvilluar ofertën në disa sektorë, por me njohuri të kufizuara dhe në përgjigje të kërkesës aktuale të tregut kryesisht vendas. Mungesa e planifikimit ka çuar në një ecje me drejtim të kundërt me nevojat dhe karakteristikat që ka turizmi për harmonizimin dhe koordinimin e përbërësve, si atraksione, shërbimet infrastrukturore, për t’iu përgjigjur dhe segmenteve të caktuar të tregut. Rezultati i një zhvillimi të paplanifikuar është një ambient i vështirë për planifikimin dhe zhvillimin e bizneseve cilësore apo investimeve serioze.
Ana tjetër, mungesa e standardeve ka bërë që orientimi i bizneseve të mungojë, gjë që ka krijuar shërbime me mangësi dhe jo në përputhje me territorin. Mungesa e strukturave përkatëse për menaxhimin e turizmit dhe e përvojës për rolin e strukturave publike (në informacion, trajnim, moderim, koordinimi i zhvillimeve hapësinore me ato të biznesit, i infrastrukturës me investimet private, të investimeve me marketingun, të marketingut me territorin) ka çuar në një produkt pa standarde e me dobësi në segmente të caktuara të zinxhirit të ofertës.
Politikat dhe strukturat e turizmit kanë lënë disa fusha kyçe të pambuluara si zhvillimin e produktit, informacionin turistik, burimet njerëzore, mbrojtjen e konsumatorit etj. Brishtësia e shtetit ka çuar në mungesën e mbrojtjes së interesit publik, si në termat e dëmtimit të ambientit, dominimin dhe në vende kyçe të ofertës së akomodimit rezidencial, dëmtime që do të ndikojnë në një afat të gjatë cilësinë e ofertës në destinacione të caktuara.
…dhe cilat do të jenë pasojat?
Konkurrenca në tregun ndërkombëtar nuk mund të realizohet duke ecur në këtë linjë. Fakti është se produkti i turizmit të bregdetit, ku dominon zhvillimi i paplanifikuar, nuk është dhe nuk mund të krahasohet me fqinjët si Greqia, Mali i Zi, Kroacia e kështu me radhë. Me këtë model, cilësia nuk është e garantuar në të gjitha segmentet e produktit dhe as e koordinuar, prandaj nuk mund të jetë e garantuar dhe për produktin në tërësi.
Po kështu, ky model zhvillimi nuk është i qëndrueshëm, ndaj mjaft atraksione dhe destinacione mund të dëmtohen nëse nuk arrijmë të ruajmë cilësinë.
Ku duhet të orientohen në vazhdim politikat zhvillimore, cilat janë “mëkatet” që nuk duhen përsëritur?
Drejtimet kryesore si rrjedhim i analizës së mësipërme janë: zhvillimi dhe integrimi i produkteve, ngritja e kapaciteteve dhe strukturave, menaxhimi i destinacioneve dhe planifikimi, standardet, por dhe krijimi i shërbimeve publike që lidhen me turizmin. Për t’u realizuar këto duhet që të merren përgjegjësi për rolin dhe funksionet e shtetit në turizëm. Duhet të sigurohet lidershipi që të udhëheqë me vizion dhe me parime bazë, të realizohet koordinimi dhe organizimi i përgjegjësive. Duhet t’i jepet përparësi ndërtimit të aspektit “softuare” e turizmit. Pra, shteti duhet të punojë për të ndërtuar një sistem menaxhimi, me struktura, planifikim, përgjegjësi dhe standarde. Sektori privat nuk mund të mbulojë përgjegjësinë e shtetit.
Handikapi
Ndër pikat e dobëta mund të evidentojmë faktin se kemi produkte akoma të pakonsoliduara, ofertë të paorganizuar në nivel destinacionesh apo produktesh, informacion dhe marketing të pamjaftueshëm, dobësi në aspekte të veçantë të zinxhirit të produktit, mungesë të standardeve dhe përvojave në shërbime, të strukturave të menaxhimit turistik, dëmtime të mjedisit nga ndërtimet apo nga mbeturinat.
Domosdoshmëria
Pra, shteti duhet të punojë për të ndërtuar një sistem menaxhimi, me struktura, planifikim, përgjegjësi dhe standarde. Sektori privat nuk mund të mbulojë përgjegjësinë e shtetit.
“Identikiti” i turizmit
Përmirësimi i infrastrukturës (si ajo rrugore Durrës-Kukës, terminali i pasagjerëve i Portit të Durrësit, rrugët e tjera kombëtare, sistemi i furnizimit me energji dhe ujë të pijshëm në zona bregdetare, menaxhimi i mbeturinave), përmirësimi i imazhit, interesi në rritje nga ana e mediave ndërkombëtare, projektet e ndryshme që janë zhvilluar kanë ndikuar në pasurimin e ofertës turistike, por edhe në zgjatjen e sezonit gjatë gjithë vitit. Studimet e ndërmarra së fundmi nga ekspertë të ndryshëm arrijnë të krijojnë një profil të turizmit të deritanishëm, një identikit të turistëve që e vizitojnë, por edhe i asaj që duhet të bëhet për ta zhvilluar në të gjithë zinxhirin. Sipas të dhënave mbi natyrën e vizitorëve, tri janë blloqet kryesore të tregut: ndërkombëtarët, etnikët nga rajoni dhe emigrantët dhe që janë të rëndësishëm edhe për të ardhmen. Natyrisht, tregu i Kosovës dhe emigrantët zënë pjesën kryesore, veçanërisht gjatë sezonit të verës dhe janë drejt maturimit. Ndërkohë tregu i vizitorëve ndërkombëtarë është akoma në faza eksploruese, kryesisht për kulturën dhe ka potencial më të madh për rritjen në numër, në vitet në vazhdim. Padyshim produkti kryesor i turizmit shqiptar mbetet ai i detit dhe i rërës, i ndjekur nga kultura dhe turizmi i natyrës (që është në fillesa). Nga ana tjetër, vihet re shtrirje në rritje e vizitorëve ndërkombëtarë nga pranvera në vjeshtë. Qëllimi, thonë ekspertët, është që krahas ruajtjes së shifrave për turistët tradicionalë të punohet më shumë për tërheqjen e atyre nga Europa Jugore (Italia, Greqia, etj.), Europa Perëndimore (vendet gjermanishtfolëse, Anglia, Franca, vendet skandinave), Europa Lindore dhe Qendrore (Çeki, Poloni, Rusi), por edhe nga Azia e SHBA-ja. Ekspertët thonë se nuk mjafton vetëm rritja e numrit të vizitorëve, por edhe e net-qëndrimeve dhe shpenzimeve. Të rëndësishme vlerësojnë rritjen e cilësisë së produkteve dhe shërbimeve, gjithmonë duke e orientuar nga klientët, të gamës së aktiviteteve dhe integrimin e produkteve dhe ofertave. Ata thonë se për këtë nevojitet fuqizimi i strukturave të menaxhimit të turizmit në destinacione dhe rajone.
Për sa u përket specifikave të produkteve të ndryshme, turizmi i kulturës (me treg kryesor atë ndërkombëtar por dhe dy tregjet e tjera, Kosovën dhe emigrantët) duhet të orientohet në pasurimin e aktiviteteve, në përmirësimin e shërbimeve si biznes dhe atraksion.
Turizmi i rërës dhe i detit duhet të përmirësojë ofertën aktuale, duke gërshetuar edhe turizmin e kulturës dhe natyrës, por për të organizuar edhe ofertën e resorteve për tregun e huaj.
Në turizmin e natyrës, ekspertët thonë se duhet t’i jepet përparësi zhvillimit të shërbimeve në parqet kryesore kombëtare, nënprodukteve si ecjet në natyrë, alpinizmit, rafting etj., duke mbështetur infrastrukturën bazë, zhvillimin e akomodimit, promocionin dhe rritjen e kapaciteteve.
Në turizmin rural, sipas tyre, është e nevojshme që të mbështetet përvoja pozitive e deritanishme, komuniteti, bizneset lokale etj., me qëllim ruajtjen e vlerave origjinale dhe atmosferës rurale.
Të gjitha këto duhet të mbështeten nga fusha të mirëmenduara të marketingut me materiale, panaire, takime, vizita, konferenca etj. Nuk duhet të lihen pas dore elementë të rëndësishëm, siç janë: siguria e klientëve në lidhje me të drejtat e konsumatorit, standardet e ndërtimeve, higjienës, shërbimeve shëndetësore, rendit etj. Nga ana tjetër, një sistem i favorshëm fiskal do të krijonte një mjedis favorizues për biznesin, duke mbështetur ngritjen e standardeve dhe kapaciteteve njerëzore. Do të ndihmonte në regjistrimin e bizneseve sipas kodeve të emërtimit në bazë industrie, përmirësimit të procedurave të inspektimeve. Janë disa nga drejtimet për përmirësimin e klimës. Për sa u përket burimeve njerëzore, thonë ekspertët, duhet të bashkëpunohet me agjenci të ndryshme, me nivele të ndryshme të edukimit, me aktorë të industrisë për të hartuar një kornizë të profesioneve dhe aftësive që kërkohen në turizëm. Ata vlerësojë si shumë të rëndësishme edhe dyfishimin e buxhetit për turizmin.
PS, turizëm gjithëvjetor dhe kombëtar
Në vlerësimin e Partisë Socialiste, në programin e saj ekonomik, turizmi cilësohet si një sektor që ka ngelur peng i mungesës së vizionit, i mungesës së një strategjie kombëtare për zhvillimin e qëndrueshëm, i shfrytëzimit pa kriter dhe shterues të burimeve natyrore dhe mjedisore, i dëmtimit të rëndë të trashëgimisë kulturore; mungesës së infrastrukturës dhe investimeve në tërësi; problemeve të pafundme të pronësisë që kanë paralizuar çdo lloj nisme serioze investimi në zonat turistike. Gjatë qeverisjes synohet që Shqipëria të kthehet në pjesë integrale e ofertës turistike mesdhetare dhe kjo bazohet në një sërë zotimesh:
-Turizmi, një prej tre shtyllave kryesore të ekonomisë kombëtare.
-Zhvillim i një industrie të qëndrueshme turistike.
-Themelim i trekëndëshit që na jep avantazh konkurrues: trashëgimi kulturore, peizazh natyror dhe mikpritje shqiptare.
– Mbështetje në këtë trekëndësh për ndërtimin e ofertës turistike “Made in Albania”
– Krijim i një oferte tërheqëse që nuk përqendrohet në muajt e verës, por përfshin të gjithë vitin.
– Fushatë informimi dhe promovimi për ofertën turistike gjithëvjetore.
– Zhvillim i turizmit shqiptar mbështetur në 10 pole.
– Përqendrim i energjive projektuese, investuese, bashkëpunuese dhe promovuese në 10 polet e zhvillimit të turizmit.
– Krijim i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, përgjegjëse për planifikimin hapësinor dhe mbrojtjen e territorit të bregdetit.
– Në bashkërendim me Kosovën, mundësojmë ofertë turistike mbarëshqiptare, duke përfshirë në një rrjet të gjitha burimet turistike të hapësirave shqiptare.
– Miratimi i Masterplanit Kombëtar për Zhvillimin e Turizmit, i cili duhet të orientojë çdo investitor potencial shqiptar apo të huaj.
– Masterplani Kombëtar për Zhvillimin e Turizmit do të ndërveprojë aktivisht me Planin e Përgjithshëm Kombëtar që në fazën e hartimit.
– Pajisje e zonave turistike me studime dhe plane afatgjatë zhvillimi të qëndrueshëm, brenda vitit të parë të qeverisjes.
– Implementim i një studimi të integruar për zhvillimin e bregdetit të Jugut dhe i një strategjie për konsolidimin dhe densifikimin e zonave turistike.
– Rishikim i barrës fiskale mbi njësitë akomoduese, me qëllim uljen dhe përafrimin e saj me vendet e tjera të rajonit.
– Nxitje e shkollimit profesional turistik.
– Krijim i zërave të veçantë dhe progresivë në buxhetin e shtetit për investime në infrastrukturën turistike.
-Harmonizim i aktiviteteve kulturore me ofertën turistike gjithëvjetore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.