El Clasico nuk i tradhton pritshmëritë, as për sponsorët. Në pritje të shifrave të sfidës të së dielës së kaluar, kompania Nielsen ka bërë të ditura të ardhurat e gjeneruara nga përballja e Barcelonës dhe Realit të Madridit në fazën e parë.
Siç bën të ditur Nielsen Sports në studimin e saj, ndeshja e luajtur në “Camp Nou”, më 3 dhjetor të vitit të kaluar, ka gjeneruar 42,5 milionë dollarë të ardhura për sponsorët. Duke qenë se luante në shtëpi, Barcelona ka gjeneruar 87% të të ardhurave (37,4 milionë dollarë), ndërsa më pak se gjysma 18,5 milionë dollarë (43%), janë gjeneruar nga të drejtat televizive të ndeshjes.
Por lajmi më i rëndësishëm, sipas Nielsen, janë 5,1 milionë dollarë të ardhura nga rrjetet sociale, me Realin e Madridit që ka fituar 41% të të ardhurave të përgjithshme nga rrjetet sociale (vetëm nga Facebook janë gjeneruar 2,9 milionë dollarë).
“Kjo tregon peshën gjithnjë e më të madhe të rrjeteve sociale në të ardhurat e klubeve” – ka komentuar Max Barnett, drejtues i departamentit dixhital të Nielsen Sports.
“Kur masim peshën e saj në kontekst, mund të shohim me saktësi se sa po rritet impakti” – shtoi Barnett. “Analiza nxjerr në pah rëndësinë e rrjeteve sociale për skuadrat vendase, si një instrument për të gjeneruar të ardhura për skuadrat, kur nuk është mundësia për të shfaqur markën e tyre, si për shembull në brendësi të stadiumit”.
Është shumë e rëndësishme për Barcelonën të kuptojë atë çka u ofron tifozëve dhe partnerëve – ishin fjalët e Russell Stopford, drejtori i departamentit dixhital të klubit blaugrana – dhe rrjetet sociale luajnë një rol kyç në këtë gjë. Të kuptosh vlerën dhe burimin e këtyre të ardhurave është jetësore, nën dritën e rritjes së vazhdueshme të klubit në nivel global”.