Një Lamborghini më pak ekstreme dhe e pajisur me një motor hibrid. I japim mirëseardhjen modelit Asterion…
Ky, shprehet drejtori i dizajnit Filippo Perini duke na treguar një lapës, “është instrumenti universal për të shpjeguar një ide. Më atë mund të them pikërisht dhe në pak sekonda çfarë kam ndërmend të bëj”. Cilindri prej grafiti vazhdon të lëvizë shpejt mbi fletën e bardhë dhe me pak vija merr formë një imazh spektakolar. Imagjinoni të dizenjoni makina Lamborghini për të fituar jetesën: a ka ndonjë punë më të mirë? Është një ëndërr. Jemi në qendrën stilistike të kompanisë, atelieri krijues i Lamborghini, ku janë të punësuar një duzinë projektuesish ndërkombëtarë: italianë, lituanë, kolumbianë dhe argjentinas. Atmosfera është rrëqethëse. Në epokën moderne aftësia me programet e ndryshme kompjuterike është po aq e rëndësishme sa ideja që ke në kokë dhe që kërkon të realizosh por, ashtu siç na e demonstroi Perini, lapsi mbetet gjithsesi baza e gjithçkaje. Në qendrën e stilit, gjenden rafte të mbushura me revista automjetesh, dizajni dhe mode, si dhe modele mbi tavolinat e punës. Zyra është e pozicionuar mbi studion fotografike të kompanisë dhe përshkohet nga aroma e kafes që mbërrin nga zyra në pjesën e pasme. Ekipi ka vizituar shumë zyra dizajni, por zakonisht lejohet të shohin vetëm disa zona prej të cilave janë treguar të kujdesshëm të zhdukin çdo detaj top-secret. Këtë herë është ndryshe. Shumë më ndryshe.
Është fillimi i korrikut dhe qendra stilistike po merret me kohë të plotë me modelin e ri, që u prezantua në shtator në Sallonin e Parisit. Gjithashtu, në vend që të jenë të fshehura mirë, detajet e modelit të ri Lambo janë të shfaqura haptazi në të gjithë monitorët. “Çfarë mendoni?”, pyet Perini ndërkohë që ekipi bën gati lapsin dhe letrën. “Wow”, kjo ishte pikërisht mënyra ekzakte e të shprehurit. Ekipi është dukshëm i lodhur dhe është e qartë që po bën një garë kundër kohës. Ideja është aprovuar, por detajet janë shumë larg finalizimit. Një dizajner po merret me riprojektimin e ndriçimit me teknologji LED. Është shumë i shpejtë gjatë punës në kompjuter, është e dukshme që arrin të bëjë magji me programet e projektimit. Ngjyra e makinës duhet përcaktuar ende, por për momentin është përzgjedhur ngjyra blu kobalt. Emri është vendosur, edhe pse mund të ndryshojë përsëri: duke i njohur italianët dhe dashurinë e tyre për gjërat e vendosura në momentin e fundit… Lamborghini Asterion është drejt rrugës së debutimit. Zyrtarisht është konsideruar si një “showcar”, edhe pse gjithkush i familjarizuar me modelet Lamborghini apo me makinat italiane në përgjithësi, do ta kuptojë menjëherë që është e inspiruar nga modelet klasike granturismo. Gjuha stilistike e këtij modeli flet për një frymë më pak ekzibicioniste se modelet Egoista, Sesto Elemento apo Veneno.
Megjithatë, Asterion mund të përbëjë një nga modelet konceptuale më domethënës në 51 vitet e historisë së markës. Përse? Sepse është një hibride plug-in dhe me shumë siguri do të arrijë të futet në prodhim në seri. Çfarë po mendoni: Lamborghini është e bukura dhe e mallkuara e industrisë automobilistike, është versioni final i çmendurisë multicilindrike me djegie të brendshme. Nëse në legjendat e vikingëve do të kishte pasur makina, hyjnia Odin me siguri do të drejtonte një Lamborghini. Është e shenjtë. Si është e mundur të jetë hibride? Por fakti është që, hibride apo jo hibride, Asterion shpalos shifra rekord. Arrin 320 km/h dhe kalon nga 0-100 km/h në 3 sekonda, e gjitha kjo me emetime të CO2 nën 100 g/km, pra mund të qarkullojë qetësisht në rrugët Evropiane edhe kur ka kufizime trafiku. Gjithashtu, ka një autonomi prej 50 km në modalitetin elektrik dhe përshkueshmëri mesatare prej më shumë se 24 km/litër. Mos do të thotë kjo se Lamborghini ka krijuar një Porsche 918? Jo. Kompania nga Sant’Agata mund të jetë edhe një pikë kyçe e perandorisë Volkswagen, por ka një identitet krejt të vetin. Asterion është i gjithi “brumë i bërë në shtëpi”, dhe një model i ri për kompaninë, një model shumë më radikal se bisha e radhës me forma të mprehta dhe bisht karboni. Asterion është një udhëtare e madhe, por gjithsesi seksi, me të cilën mund të përshkohen kontinente të tërë. Në brendësi ka shumë më tepër hapësirë se Hurracán dhe Aventador, ka një pamje më pak të spikatur dhe është më e rehatshme dhe e lehtë për t’u drejtuar. Kur Ferrucio Lamborghini vendosi t’i shpallë luftë Enzo Ferrari-t, makina e parë që ndërtoi (modeli 350 GT i vitit 1964) kishte pak a shumë të njëjtat karakteristika. Por përveç se e shpejtë dhe me një dizajn radikal, Asterion është edhe e kujdesshme ndaj planetit. “Për çdo projekt duhen të krijohen kushte limite”, thotë Maurizio Reggiani, drejtor i qendrës kërkim-zhvillim, “reduktimi i emetimeve ishte një nga objektivat kryesore, tjetri ishte krijimi i një autonomie të përshtatshme në modalitetin elektrik. I treti ishte garantimi i një fuqie suplementare. Nevojitet të vendosen edhe limite në çmim, përndryshe më mirë do të ishte të projektonim një raketë. Kjo makinë duhet të kushtojë pak a shumë sa modelet e tjera të gamës, sigurisht jo një milion euro. Gjithashtu, ka edhe një limit peshe që duhet respektuar, përndryshe përfundon duke ndërtuar një tank. Pra, nëse vendos së bashku të gjitha këto objektiva, përcaktohen pak a shumë edhe parametrat inxhinierike”.
Asterion është demonstrimi i rrugës përpara të bërë nga Lamborghini. Është një coupé e vërtetë me dy vende me motor qendror. Është e bazuar në shasinë prej karboni të Aventador (përshtatur kryesisht në pjesën e poshtme) dhe është zgjatur për të rritur hapësirën brenda në kabinë. Motori me djegie të brendshme është një V10 5.2 litra prej 610 kf, i pranishëm edhe tek Huracán, që është lidhur me një kambio të shpejtë automatike dopio friksion me shtatë marshe. Asterion e ngre nivelin e Lamborghini aq shumë, saqë vetëm dikush që nuk dëshiron të shohë do të mundohej ta kritikonte. Është një hibride paralele me një motor elektrik të fiksuar tek kambio, tek i cili janë të pranishëm starteri dhe gjeneratori. Dy motorë elektrikë të tjerë janë të montuar në aksin e parë. Së bashku garantojnë 220 kW fuqi shtesë, ekuivalente me rreth 300 kf. Ashtu si Porsche 918, përdor motorët e përparmë për të rrotulluar rrotat e para, për të garantuar traksionin integral dhe Torque Vectoring. Midis aksit të parë dhe atij të pasmë nuk ka një lidhje mekanike. Bateritë janë të vendosura në panelin qendror, aty ku zakonisht është i vendosur boshti i transmisionit: kjo vendosje, shprehen tek Lamborghini, favorizon si sigurinë ashtu edhe qendrën e rëndesës së automjetit. Energjia e gjeneruar nga motorët elektrikë mund të përdoret për të stabilizuar kurbën e momentit përdredhës të motorit termik. Në total, sistemi elektrik ka një peshë prej 250 kg: kjo shifër përfshin shumë qeliza baterish, sistemet e ftohjes dhe sistemi elektronik i kontrollit.
Nga ky këndvështrim Asterion është antiteza e filozofisë së shprehur në vitin 2011 tek super e lehta Sesto Elemento. Imagjinoni diskutimet mbi këtë argument: jemi Lamborghini, duhet të jemi më e mira për sa i përket përformancave dhe manovrueshmërisë… Por në fund vendosëm se ky koncept ishte zgjidhja e duhur si “demonstrim teknologjik” i kompanisë. Kjo është një makinë që mund ta ngasësh në qytet në modalitetin elektrik, por e cila, falë motori termik, garanton të njëjtat emocione të një Lamborghini të zakonshme. Pesha është armiku i dinamikës. Komponentët elektrikë janë të mirë për ambientin, por për dinamikën e automjetit përbëjnë një faktor negativ. Këtu jemi në limitin e asaj që mund të konsiderohet e pranueshme në aspektin dinamik. Por kemi punuar shumë, dhe vazhdojmë ta bëjmë, në mënyrë që ky model të transmetojë emocione si një Lamborghini e vërtetë. Më besoni nëse iu them se Asterion, gjatë drejtimit, nuk duket aspak si një Prius”. Përgjegjësi i motorit tek Lamborghini, Stefano Mazzetti, na konfirmon se, përveç reduktimit të peshës, vështirësia tjetër ishte integrimi i burimeve të ndryshme energjetike. “Në fillim të projektit ishin 21 arkitektura të mundshme”, shprehet. “I kemi vlerësuar të gjitha. Përmes simulimeve kemi zbritur në tre dhe pastaj në një të vetme. Ishte i vështirë bashkimi i momentit përdredhës i cili gjenerohej nga tre burime elektrike dhe nga motori termodinamik, dhe të përçohej poshtë këmbëve të drejtuesit. Por ne mund të mbështetemi mbi 240 persona që punojnë në sektorin e kërkim-zhvillimit dhe tek shumë inxhinierë programues. Kemi bërë gjithçka brenda për brenda kompanisë”.
Pas Veneno, është e bukur të shohësh në showroom një Lamborghini më “humane”. Makina është një shumatore linjash, sipërfaqesh dhe vëllimesh interesante. Gjithashtu rikthehet obsesioni i Perinit për hekzagonët (kolegët e tij e quajnë “hekzagonisti”). Por kjo makinë është edhe një urë lidhëse midis paraardhëseve të saj të viteve ’60 (frymëzimi i qartë tek Lamborghini Miura) dhe konveksioneve aktuale në fushën automobilistike: zbut kanunet estetike të kompanisë, duke kërkuar t’i pëlqejë një publiku më të gjerë. “Historikisht modelet Lamborghini nuk kanë pasur një fytyrë specifike të tyren”, thotë Perini. “Nuk ka ndikime të dukshme tek Asterion, prandaj preferoj të flas më tepër për një inspirim. Asterion frymëzohet nga e shkuara, por nuk është një model i mirëfilltë retro. Ajo që mund të them për gjuhën e dizajnit të Asterion është se është plotësisht e ndryshme nga ajo e përdorur tek Aventador apo Huraćan. Tavani dhe xhamat janë miratuar dy muaj më parë. Rreth 95% e linjës së jashtme dhe 85% e brendësisë janë përcaktuar. Por siç mund të shihni po punojmë akoma me detajet. Duam që gjithçka të jetë e përsosur. Vetëm dhjetë ditë më parë kemi ndryshuar pjesën e përparme, kishte diçka në cepin e një feneri që nuk më pëlqente”. Perini tregon një fener të realizuar në 3D me një procedurë shumë të shpejtë. “Në kompjuter ishte shumë e bukur”, shprehet, “por në realitet nuk ishte e njëjta gjë, prandaj e ndryshuam”.
Në tavanin e Asterion ndodhet një kolektor ajri spektakolare: është përdorur ajo që tek Lamborghini e quajnë Active Air Cooling, një grilë me dy shtresa metali dhe titani. Mbulesa e motorit është transparente dhe formohet nga tre panele prej xhami në formë heksagoni, të cilët zhvendosen në varësi të burimit të energjisë: elektrike, hibride apo termike. Tek Lamborghini nuk i kanë rezistuar të rënit disi në sy. Alessandro Salvagnin, i cili sipas Perinit ka meritën për siluetën e pabesueshme të Aventador, po punon për kabinën e Asterion. Kur ishte i vogël kishte një robot Transformer, i cili shndërrohej në një Lamborghini Countach: “E mbaja pothuajse gjithmonë në versionin makinë, sepse më pëlqente shumë ajo Lamborghini”, thotë duke qeshur. Në kabinën e Asterion janë të pranishme shumë materiale të ndryshme: lëkurë, alumin, karbon i derdhur, titan. Ka gjithashtu edhe më shumë hapësirë për bagazhet, detaj prozaik por i dobishëm kur nevojitet të bëhet një udhëtim i gjatë. Tre modalitetet e drejtimit (Zero – tërësisht elektrike; I – modaliteti hibrid; T – që nënkupton termike, ose më saktë sportive) përzgjidhen përmes butonave në timon. Kroskoti ka disa shirita prej lëkure në pjesën anësore: “i përdorim materialet në mënyrë të çmendur, kjo makinë është më shumë njerëzore, më e shfrytëzueshme”, thotë Salvagnin. Sistemi i infotainment, klimatizatori dhe funksionet GPS menaxhohen përmes një tablet-i të çmontueshëm. Nga mesi i verës deri në fillim të vjeshtës, tek qendra e stilistike e Lamborghini kanë punuar me orare të zgjatura. Ndërkohë që e gjithë pjesa tjetër e Italisë po shijonte pushimet e merituara, Perini dhe ekipi i tij i ishin shtruar punës për përgatitjen e Lamborghini Asterion, për debutimin e saj në Paris. Më në fund makina është gati dhe ka një paraqitje sublime. Tani mund të fillojë puna e vërtetë…
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.