Në zemër të Londrës, në një zonë rezidenciale, është një rrugë që është bërë ndër më tërheqëset në qytet.
Quhet “Elizabeth Street” dhe është një rrugë e fshehur në lagjen “Belgravie”, të cilën e njohin vetëm anglezët.
Njëherë e një kohë, ndërtesat e ulëta të kësaj rruge, sot është kthyer në zonë për këmbësorë, ishin stalla për kuajt, të cilat u shndërruan më vonë në garazhe. Sot, këto shtëpiza me dy kate janë rikonstruktuar dhe shndërruar në rezidenca luksoze dhe përgjatë rrugës kanë lindur dyqane të vogla dhe restorante ku londinezët shkojnë për të bërë Pazar dhe për të kaluar një fundjavë me familjen.
Çdo shtëpizë është zbukuruar dhe bërë unike – ka nga ata që kanë vënë lule në dritare, të tjerë një tavolinë me karrige shumëngjyrëshe jashtë, ka nga ata që jashtë saj parkojnë biçikletën e të tjerë, Porsche-n e dikurshme.
Secili prej rreth 300 dyqaneve në rrugën “Elizabeth Street” është i zbukuruar me bimë dhe lule, të vërteta në pranverë, dhe artificiale, kur moti nuk është dhe aq i mirë. Kjo rrugë shndërrohet në një kopsht me rastin e Chelsea Flower Show që zhvillohet çdo vit në muajin maj.
Është ai bukëpjekësi që bën bukën me miell natyror; dyqani i frutave Natoora, i cili furnizon restorantet dhe hotelet më të mira në Londër.
Pastiçeria e Peggy Porschen, e cila me vitrinën e saj ngjyrë rozë duket sikur ka dalë nga faqet e librit “Liza në botën e çudirave” dhe në pak kohë është bërë një ndër vendet më të famshme në Londër, në Instagram. Pak më tej Philip Treacy, dyqani që bën kapele me dorë – dikur i kemi parë në kokën e Lady D, sot te Kate Middleton, Meghan Markle dhe gjithë zonjave që marrin pjesë në evente mondane britanike si Royal Ascot.
Në “Elizabeth Street” ka shumë hapësira për nostalgjikët e dyqaneve të dikurshme. Sot, Belgravia është lagjja më e shtrenjtë në Londër. Në këtë zonë kanë jetuar tre kryeministra anglezë, tre James Bond dhe Lordë të ndryshëm.