Popullsia në moshë pune do të bjerë me një ritëm pak më të shpejtë se sa popullsia e përgjithshme me më shumë sesa 18% në pothuaj të gjitha qarqet, përveç atyre që e shtojnë popullsinë nëpërmjet migrimit (Tirana, Vlora dhe Durrësi). Tirana është qarku i vetëm në të cilin parashikohet një rritje e konsiderueshme në forcën potenciale të punës (me 20% deri në vitin 2031, sipas skenarit normal të INSTAT, me shpërndarje gjeografike dhe emigrim konstant brenda vendit). Rënia më e fortë në forcën e mundshme të punës parashikohet për Gjirokastrën (me -43%), si dhe për Beratin dhe Dibrën (me të paktën -30%). Emigrantët janë në masën 90% pjesa më aktive e tregut të punës. Duke ikur, lirojnë hapësirat për punësim për ata që mbeten. Efekti pozitiv i rënies së papunësisë (në mënyrë mekanike për shkak të emigrimit) përveç të tjerash qëndron dhe në faktin së reduktohen shpenzimet buxhetore për të paguar kategorinë e të papunëve. Megjithatë, në të njëjtën kohë që reduktohet buxheti për mbulimin e pagesës sociale për të papunët, si pasojë e uljes së numrit të papunësisë nga emigracioni, reduktohen dhe të ardhurat nga taksimi në buxhet, i ardhur për të njëjtën arsye, nga emigracioni. Në një situatë të tillë, shumë shpejt vendi do të humbë konkurrueshmërinë në rajon edhe për investimet e huaja. Aktualisht është krahu i lirë i punës që ka sjellë në Shqipëri kompanitë e huaja. Por gjatë dekadës së ardhshme edhe kjo mundësi duket se do të shterojë.
Eksodi i ri pritet të stabilizojë remitancat
Vijimi i emigracionit edhe pas 25 vitesh duket se ka ndikuar në stabilizimin e remitancave. Sipas statistikave të bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë, për 9-mujorin 2014, emigrantët në Itali, Greqi etj., dërguan në shtëpi 391 milionë euro, me një rënie prej 3.5% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Një vit më parë, ndryshimi vjetor ishte minus 16%. Elton Çollaku, drejtor i Unionit Financiar Tiranë, kompanisë që është agjenti i vetëm i “Western Union Financial Services” Inc. për Shqipërinë, dhe operon në Kosovë, Maqedoni dhe Zvicër, pohon se ka një lloj stabilizimi në prurjet e emigrantëve drejt Shqipërisë. Duke pasur parasysh situatën e vështirë ekonomike të familjeve në vend është normale që të ketë një rritje të ndihmës nga të afërmit jashtë. Madje ai nuk e përjashton që në të ardhmen të shohim dhe ndonjë tendencë në rritje të tyre. Nga ana tjetër, po vihet re dhe një lloj formalizimi në treg dhe ulje të atyre që sjellin para me “çanta”.
Dërgesat në para nga jashtë prej emigrantëve janë konsideruar faktor kryesor i rritjes së shpenzimeve të konsumit në Shqipëri dhe është nxitësi kryesor i ndërtimit në vend. Vlera e përgjithshme e remitancave që dërgohet në Shqipëri është rritur në mënyrë të qëndrueshme në periudhën midis viteve 2001 dhe 2008. Në vija të trasha, kjo rritje duket se përkon me numrin e shtuar të emigrantëve shqiptarë. Vlera më e lartë e dërgesave në para nga jashtë të regjistruara ishte në vitin 2008, me 1.495 milionë dollarë amerikanë. Kjo shumë është e barasvlershme me 11,5% të PBB-së vjetore për vitin në fjalë. Gjatë së njëjtës periudhë, Shqipëria përjetoi një rritje të konsiderueshme dhe të pandërprerë ekonomike, me një mesatare prej 5,9% në vit (2003 – 2008).
Në prag të krizës së madhe, fluksi i dërgesave në para nga jashtë është ulur. Kjo lidhet drejtpërdrejt me gjendjen ekonomike në Greqi dhe Itali, dy vende që zënë pjesën më të madhe të dërgesave në para nga jashtë. Dy vendet së bashku përbëjnë 85% të dërgesave në para nga jashtë. Kjo krahasohet me rreth 85% të numrit të emigrantëve në këto dy vende. Afër 80% e parave që dërgohen nga emigrantët investohen në ndërtim, ndërsa 16% në hapjen e një biznesi.
Me kaq shumë para të investuara në prona, është e lehtë të kuptohet përse dërgesat në para nga jashtë dhe sektori i ndërtimit shihen si të lidhur ngushtë në Shqipëri. Këto janë forma investimi në të cilat dërgesat në para nga jashtë i shtohen zhvillimit afatgjatë në një formë të caktuar, në kuptimin që thuajse të gjitha paratë investohen në produkte që janë potencialisht të qëndrueshme, në dallim nga shpenzimi i drejtpërdrejtë për konsum. Por, nga ana tjetër, me shifrat e paraqitura këtu është e pamundur të përcaktojmë cilësinë dhe qëndrueshmërinë e investimeve të ndërmarra. Një ndërtesë e re në vendndodhjen e gabuar mund të mbetet e papërdorur e, për rrjedhojë, të mos i ofrojë asnjë kontribut të qëndrueshëm vendit.
Rikthimi zhgënjyes i emigrantëve
Vetëm 20% e emigrantëve të rikthyer në Shqipëri pas vitit 2008 mendojnë se gjendja e tyre financiare ka ndryshuar për mirë, mbi 38.8% e tyre kanë situatë financiare më të rënduar dhe shumica e të kthyerve, 41% e shohin situatën e tyre financiare të pandryshuar, sipas vrojtimit që ka bërë INSTAT. Këto konstatime janë një bazë e fortë për të nxitur një riikje për shumë nga këto familje. Rreth 133.544 emigrantë u kthyen gjatë periudhës 2009-2013, nga të cilët 74% ishin meshkuj. Mosha mesatare në momentin e të kthyerve është 30-38 vjeç. Kthimet kanë qenë në rritje që prej vitit 2011, si pasojë e kthimeve nga Greqia që kanë ndodhur më së shumti për shkak të krizës financiare në këtë vend dhe ndikimit të saj negativ në tregun e punës. Numri më i madh i të kthyerve janë vendosur në Tiranë, megjithatë jo të gjitha qarqet preken njësoj nga migracioni i kthimit.
Pas kthimit, numri i të martuarve është më i ulët sesa ai gjatë qëndrimit në vendin e fundit të emigrimit. Rreth 30% e të kthyerve ka mbajtur gjendjen e tyre civile ‘beqar’ gjatë emigracionit dhe pas kthimit të tyre në Shqipëri. Rreth 23% kanë ndryshuar gjendjen e tyre civile.
Të kthyerit po investojnë në bujqësi dhe në tregtinë me pakicë. Në terma investimi pas kthimit, vetëm 8% e të kthyerve ka arritur të realizojë një projekt investimi. Arsyeja kryesore për mungesën e një projekti investimi është kapitali i pamjaftueshëm dhe prandaj shumica e të kthyerve të këtij segmenti të popullsisë kërkon lehtësimin e procedurave administrative të biznesit dhe përfitime tatimore, ulje taksash për të inkurajuar investimet nga të kthyerit.
Historia e fundit
Qarqet veriore të vendit janë më të shpopulluarat pas viteve 1990 për shkak të zhvendosjes brenda vendit dhe emigracionit përtej kufijve. Por këto katër vitet e fundit, të ikurit i janë kthyer nostalgjisë duke ndërtuar banesa për t’i përdorur gjatë kohës së pushimeve në Shqipëri. Fshatrat po marrin pamje tjetër. Por investimet kolosale të emigrantëve mbeten aty të ngurtësuara, duke u vënë në funksion jo më shumë se një muaj në vit.
Hasi, krahina më veriore e Qarkut të Kukësit, është rasti më tipik. Të gjitha familjet atje kanë një jetë të dyfishtë mes Londrës dhe Hasit, për shkak se ata zbuluan të parët Mbretërinë e Bashkuar si destinacion të ri migrimi. Djemtë sapo të kenë mbushur të 18-at udhëtojnë te vëllezërit me të mëdhenj, vajzat pa mbushur 16 vjeç e kanë të sigurt martesën me bashkëfshatarët që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar. Ngadalë fenomeni është përhapur në të gjithë Veriun. Kukësi, Hasi dhe Tropoja janë përfshirë në këtë linjë të re emigracioni që shpejt është përhapur edhe në pjesë të tjera të vendit. Zonat thellësisht të varfra, me papunësi mbi 50% dhe me të ardhura kryesore ndihmën sociale dhe pensionet kanë parë shpëtimin tek Anglia, siç i thonë vendasit, ndryshe nga pjesa qendrore dhe jugore e vendit që kanë destinacion Italinë dhe Greqinë. Vitet e fundit, jetesa ka ndryshuar dukshëm, por investimet janë tmerrësisht të parorientuara.
Disa fshatra kanë pak ndryshim me ato të Europës Perëndimore, pasi shumica e prurjeve të emigrantëve janë përdorur për shtëpi shumëkatëshe, si një përjetësim i krenarisë malësore se kush ka kullën më të lartë.
Në të shumtën e rasteve, banohet vetëm në një kat dhe tre ose katër të tjerë janë krejtësisht bosh. Tokat nuk mbillen dhe ata që jetojnë në këto anë, kalojnë kohën kafeneve. Politika nuk është më tema kryesore e bisedave të tyre. Muhabetet vërtiten rreth lagjeve të Londrës ku jetojnë shumica e bijve të tyre. Paundi është më popullor se leku, madje të krijohet ideja se kjo zonë nuk ka asgjë që e lidh me pushtetin e Tiranës.
Ëndrrat e tyre janë të lidhura me Londrën. Shumë nuse i kanë londineze dhe pleqtë shkojnë e vijnë dhe nuk është çudi të të përshëndesin edhe anglisht, thonë e se, e kuptojnë mirë. Për shkak se, paundi kushton më shumë se euro dhe dollari kur këmbehet me lekë, familjet e mbetura pohojnë se, jetojnë mirë me të ardhurat e bijve emigrantë. Kanë makina “jeep” që ecin në rrugë të vështira, madje shumica kanë edhe gjeneratorë kur ikin dritat. Kanë krijuar një sistem jetese të pavarur. Për qejf shkojnë në Kosovë, ndërsa erën e shtetit e ndiejnë vetëm kur afrohen zgjedhjet. Tani edhe më të vegjlit janë duke i çuar për shkollim të hershëm në Britani. Banorët e thonë se, jetojnë më mirë se pjesa e tjetër e kuksianëve që migruan në Tiranë dhe tani nga falimenti i sektorit të ndërtimit janë vënë në vështirësi për të jetuar dhe shumë prej tyre po u rikthehen fshatrave të dikurshëm. Ky tranzicion për pjesën dërrmuese që kanë provuar një herë Tiranën, emigracionin dhe më pas i janë kthyer vendlindjes ka rezultuar fatal.
Për shkak të varfërisë së thellë dhe mundësive të kufizuara për të zhvilluar jetesën, zonat malore kanë numrin më të madh të emigrantëve që dërgojnë remitanca. Në zonat bregdetare dërgojnë remitanca 60% e emigrantëve, ndërsa nga zonat malore dërgojnë remitanca 74% e emigrantëve, sipas vlerësimeve të Bankës Botërore. Për më tepër, emigrantët nga zonat malore më të varfra, dërgojnë mesatarisht thuajse dy herë më shumë se sa emigrantët nga zona qendrore. Kësisoj proporcionalisht më shumë remitanca dhe në numër më të madh po shkojnë drejt zonave malore krahasuar me zonat e tjera më të pasura të vendit.
Të rikthyerit
20% e emigrantëve të rikthyer në Shqipëri pas vitit 2008 mendojnë se, gjendja e tyre financiare ka ndryshuar për mirë, mbi 38.8% e tyre kanë situatë financiare më të rënduar dhe shumica e të kthyerve, 41% e shohin situatën e tyre financiare të pandryshuar, sipas vrojtimit që ka bërë
INSTAT
Plakja
Në vitin 2024, forca e re e punës do të jetë e barabartë me numrin e atyre që do të dalin në pension, çka do të thotë se, në kushtet ideale ku nuk do të ketë asnjë të papunë, pas 10 vitesh pensionistët nuk ka kush t’i zëvendësojë
Ulja
Popullsia në moshën kulmore të emigrimit do të rritet gjatë dhjetë viteve të ardhshëm. Balancimi pothuaj neutral i migrimit pritet të ndodhë vetëm në vitin 2030. Popullsia në vitin 2030 pritet të pakësohet edhe 3.3%, duke arritur në 2,795,523 banorë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.