“Emigracioni po vështirëson gjetjen e krahut të punës”

08/01/2019 1:45 PM 0 komente

Flet Gjergj Leqejza, administrator i Shqipëria Trikot

“Emigracioni po vështirëson gjetjen e krahut të punës”

 

Tirana dhe Durrësi janë zonat e vetme ku fabrikat e fasonit nuk ndiejnë presionin e mungesës së krahut të punës. Emigracioni është duke vënë në pozicion të vështirë kompanitë në qytete të tjera, ku hapja e një filiali është gjithmonë e vështirë.

Gjergj Leqejza, administrator i kompanisë Shqipëria Trikot, nënvizon se ky është një fenomen tipik, që rëndohet dhe më shumë nga mentaliteti që vajzat dhe gratë s’punojnë, nëse një familjar emigrant dërgon të ardhura. Ai nënvizon se një tjetër problem është formimi profesional i krahut të punës dhe qeveria duhet të ndalet më shumë në këtë aspekt. Lidhur me ecurinë e sektorit, ai nënvizon se e sheh të zymtë të ardhmen nëse nuk merren masat e nevojshme në mbështetje të tij.

Qeveria vendosi në fund të vitit të shkuar që të rriste pagën minimale nga 24 në 26 mijë lekë. Ju si e shihni këtë vendim, si e prek sektorin kjo lëvizje?

Rritja e pakonsultuar dhe në mënyrë të menjëhershme e pagës minimale nga 24 mijë në 26 mijë lekë është skandaloze. Nuk bëhet fjalë për vlerën 2 mijë lekë me të cilën është bërë rritja, por mua më intereson mënyra e të menduarit. Në të vërtetë, rritja është më e lartë sepse kur ti rrit pagën, rrit edhe pjesën e kontributeve që do të derdhen në arkën e shtetit, si sigurime shoqërore dhe punëdhënësi duhet të paguajë edhe më shumë kontribute. Rritja është pak a shumë 2300 lekë nga lëvizja e pagës minimale, çka përkthehet në rritje me 9% të kostos së punës.

Kjo logjikë e të menduarit nuk është jashtë normales. Jam dakord që punonjësit duhet të paguhen më mirë, por këtë vendim nuk mund ta marrë shteti pa u konsultuar. Pagën e vendos tregu dhe në këtë rast, janë dy rritje të njëpasnjëshme që janë bërë së fundmi. Rritja duhet të ecë edhe me logjikën e rentabilitetit të biznesit, pra nëse e pranon situata e tregut një lëvizje të tillë apo jo.

Një nga problematikat e ngritura vazhdimisht këtë vit ka qenë goditja që ka marrë sektori fason nga rënia që ka pësuar euro kundrejt lekut. Sa ju ka prekur kjo pjesë?

Sigurisht që kursin e këmbimit e vendos tregu dhe nuk mund të merren shumë masa. Ne këtë e kuptojmë, por rënia e euros na ka sjellë mjaft goditje. Ne jemi biznes që aktivet i kemi 100% në euro, kurse pagesat i kemi në lekë, ndaj përqindja e rënies së euros në raport me një vit më parë është reflektuar e gjitha si një humbje neto. Ne vazhdojmë të paguajmë njëlloj energji, paga, taksa. Nëse situata vazhdon njëlloj, e shoh të zymtë të ardhmen e sektorit, pavarësisht pozicionit tim personal, sepse në fakt, unë kam mundësi për të dyfishuar prodhimin vitin tjetër.

Ka një shqetësim për gjetjen e krahut të punës në një pjesë të mirë të qyteteve në vend. Ju e hasni këtë problem?

Në fakt, është bërë shumë e vështirë për krahun e punës dhe janë dy fenomene që e sjellin këtë, të lidhur me njëri-tjetrin. I pari është emigracioni, që i bën një pjesë të njerëzve të ikin jashtë. Nga ana tjetër, vajzat dhe gratë që nuk punojnë, nëse kanë dikë në emigrim, sepse janë emigrantët që sjellin të ardhura. Kjo është tipike për zonën e Shkodrës. Problem kryesor është formimi profesional. Duhet të fillojë rifunksionimi i shkollave profesionale në kuptimin e fuqizimit të tyre në aspektin e kurrikulave dhe cilësisë. Shteti duhet të ndërhyjë për ta përforcuar këtë pjesë dhe për të gjetur mekanizmat për të stimuluar bashkëpunimin biznes-shkolla profesionale.

Pak vite më parë, pati përpjekje drejt sektorit të fasonit për ta mbështetur me disa masa. Ju që jeni pjesë e këtij sektori, a keni ndier ndonjë lehtësi?

Sinqerisht nuk kam parë ndonjë masë. Me përjashtim të përmirësimit të ndjeshëm të klimës së bashkëpunimit apo marrëdhënieve me administratën doganore dhe tatimore si dhe bizneseve. Rimbursimi i TVSH-së është skandal, prej një viti nuk kam përfituar asgjë nga rimbursimi. Sipas afatit duhet të bëhet brenda 60 ditësh nga kërkesa dhe më pas nis aplikimi i interesave për çdo ditë vonesë. E kuptoj që situata është e vështirë, por kjo pjesë nuk mund t’i mbahet fasonit.

Çfarë mund të bëhet për të përmirësuar situatën e përgjithshme në sektor, për të nxitur rritjen e tij?

Mjaftojnë shumë pak pika. Të vazhdohet me klimën e bashkëpunimit, që e theksoj, është pozitive, sepse është shumë e rëndësishme. Të hiqet TVSH për nënkontraktorët, që më duket se është marrë një nismë e tillë. Të mos ndërhyhet në pagën minimale, pasi atë e përcakton tregu. S’mund të ndërhyhet në pagën minimale vetëm për efekt të marrëdhënieve me shtetin, sepse praktikisht është biznesi që i paraprin pagesës minimale që vendos shteti. Ky është një kompromis qesharak, sepse nuk bëhet në bazë të rentabilitetit.

Nuk duhet të ndërhyhet në pagën minimale, sepse atë e përcakton tregu. Paga minimale s’mund të rritet vetëm për efekt të marrëdhënieve me shtetin, sepse praktikisht biznesi i paraprin pagës minimale që vendos shteti. Ky është një kompromis qesharak, sepse po të shihet rentabiliteti, nuk rezulton i tillë për të mbuluar këtë diferencë që vjen me ndryshimin e pagës. Një masë tjetër mund të ishte heqja e tatimfitimit, ose heqja e tatimfitimit për fitimin e investuar në rritjen e kapaciteteve prodhuese, ose përmirësimin e teknologjisë.

Në lidhje me mbylljen e ciklit, çfarë mund të bëhet për ta nxitur?

Vetëm nëse përmirësohet klima e biznesit që nxit biznesin e huaj të vijë të investojë këtu, atëherë mund të flasim për cikël të mbyllur dhe ndikim të madh. Nuk mendoj se Shqipëria është e gatshme për të konkurruar ndonjë lloj tregu, jo vetëm në Europë, por as në Ballkan. Sot që flasim, ne nuk jemi konkurrentë as me Malin e Zi, as me Maqedoninë e as me Serbinë, sepse në këto vende, përveç përvojës, formimit profesional dhe klimës së biznesit, ka mekanizma ku shteti ndërhyn dhe mbështet krijimin dhe zgjerimin e vendeve të punës që këtu te ne nuk ekziston.

Gjithsesi, problemi i sektorit fason është që jemi edhe vetë të paorganizuar për të prezantuar në kohë dhe në vijimësi problemet tona, të cilat ndoshta dhe shteti nuk i di mirë. Nëse ne nuk i paraqesim për shtetin, ato quhen të paqena ose që nuk ekzistojnë.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of