Ardhja me avion në këtë sezon vere e emigrantëve në Shqipëri kushton dyfish më shtrenjtë se vitin e kaluarNjë linjë ajrore, Milano – Nju Jork dhe anasjelltas, që mund të gjendet kollaj në faqet e internetit në këtë sezon vere, nuk kushton më shumë se 600 euro. Ndërsa për të ardhur në Tiranë nga Milano dhe për t u kthyer përsëri, duhet të paguash rreth 550 euro. Por po të kihet parasysh se nga Milano në Nju Jork duhet të fluturosh mbi Oqean rreth 10 orë, ndërsa për të ardhur në Tiranë nuk duhen më shumë se 1 orë e 45 minuta, del se diçka nuk shkon dhe sipërmarrësit që kanë në dorë linjat ajrore mes dy vendeve, Italisë dhe Shqipërisë, shfrytëzojnë momentin për të rrjepur emigrantët, që duan të vijnë për pushime në Atdhe. Në këtë periudhë edhe brenda kontinentit plak, ku duam të integrohemi, diferencat në çmime të transportit ajror me Shqipërinë janë diskriminuese. Nga Valencia në Spanjë deri në Torino të Italisë, një udhëtim vajtje-ardhje me avion, kushton mesatarisht 150 euro, por për të ardhur nga Torino, në Rinas dhe anasjelltas duhet të mendohesh mirë, se bileta kushton rreth 600 euro. Në fakt, në periudha të zakonshme, (jo në sezonin e pushimeve) udhëtimi Milano-Nju Jork kushton mesatarisht rreth 400 euro vajtje-ardhje, ndërsa nga Milano në Tiranë dhe anasjelltas rreth 350 euro. Shpjegimi për këto çmime të larta, që zbatohen për shqiptarët, dhe që japin autoritetet e Agjencive të cilët kanë kontrata me shoqëritë ajrore, është mungesa e konkurrencës si dhe numri i pakët i udhëtarëve drejt vendit tonë. Por, ky element spekullues kundërshtohet me faktin e thjeshtë se në këtë stinë janë me mijëra ata emigrantë që duan të vijnë me pushime në Atdhe dhe në vend që t u krijohen kushte sa më të mira dhe me çmime të përballueshme, zbatohen çmime nga më të lartat jo vetëm në rajon dhe Europë, por edhe në Botë.Ky fakt bie poshtë përsëri, sepse edhe në linjat e trageteve, tashmë është e vështirë të gjesh bileta për gjysmën e dytë të korrikut, çka tregon se numri i udhëtarëve drejt Shqipërisë këtë sezon është i lartë dhe vetëm duke shfrytëzuar këtë ofertë shoqëritë ajrore spekullojnë në maksimum për të shtuar fitimet në kurriz të emigrantëve. Çmimet i kanë rritur jo vetëm shoqëritë e huaja ajrore, që veprojnë në vend, por dhe ato të vetë shtetit shqiptar, që janë partnere me shoqëri të huaja si Albanian Airlines që biletën vajtje-ardhje nga Roma në Tiranë dhe anasjelltas këtë sezon, një fluturim që nuk shkon më shumë se 1 orë e 30 minuta, e ka caktuar në vlerën 345 euro. Rritje çmimi deri në 40% për këtë sezon e ka zbatuar edhe shoqëria ADA AIR, që për linjën e rregullt Tiranë-Bari, avioni e përshkruan jo më tepër se 45 minuta. Masterplani i RinasitPikërisht në këtë sezon vere kur emigrantët po kërkojnë rrugën më të shkurtër për të ardhur në vendin e tyre, në vend që të mësojnë ndonjë fakt të ri për uljen e kostos së udhëtimit të tyre, dëgjojnë se KRRTRSH miraton masterplanin e aeroportit ndërkombëtar Nënë Tereza të Rinasit, ku nuk thuhet asnjë fjalë se si do të ndikojë kjo sipërmarrje e re në uljen e çmimeve të biletave të avionëve drejt Tiranës. Tashmë është bërë e njohur se grupi Airport Partners ka marrë për 20 vjet me koncesion aeroportin e Rinasit për shfrytëzim, mbas përfundimit të rikonstruksionit total të terminalit si dhe ambienteve të tjera dhe duke marrë përsipër edhe ndërtimin e rrugës nga Vora në Rinas. Në fakt, kjo shoqëri e mirëpritur, që në vitin 2002 ka pasur një fitim mjaft të lartë, nuk ka të bëjë aspak me kostot e biletave që përcaktojnë shoqëritë e avionëve. I përket strukturave shtetërore të paktën të japin një sinjal se kjo rritje e numrit të pasagjerëve (deri 1.5 milion në vitin 2006 dhe 3 milion në vitin 2010) do të ndikojë në zbutjen e diskriminimit që i bëhet jo vetëm udhëtarëve shqiptarë, por dhe atyre të huaj, të cilët vizitojnë vendin tonë. Në buxhetin e shtetit gjatë vitit 2003 kanë hyrë 6 milion dollarë nga taksat që kanë paguar avionët për kalimin tranzit mbi hapësirën ajrore të vendit. Transporti ajror gjatë vitit 2003 ka përballuar një fluks prej 561 mijë pasagjerësh, 1623 ton/mallra, si dhe janë realizuar 5319 fluturime dhe një trafik prej 58251 mbikalimesh ajrore. Përmirësimi i kontrollit të trafikut ajror pritet të ndikojë në mbledhjen e më shumë të ardhurave nga avionët tranzit, që do të kalojnë mbi territorin e vendit, për Lojërat Olimpike, që do të zhvillohen në Athinë. Me vendosjen e aparaturave të reja mund të përballohet një rritje e fluksit të fluturimeve të avionëve në hapësirën tonë deri në 200%, duke siguruar një përfitim ekonomik akoma më të lartë që pritet të ketë Shqipëria nga këto Lojra (buxheti i shtetit pritet të përfitojë rreth 10 milion euro).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.