Në Shqipëri mungojnë shifrat e sakta të emigrantëve të kthyer gjatë viteve të fundit për shkak të situatës së vështirë ekonomike që hasën në vendet ku jetonin dhe punonin. Megjithatë, një pjesë e vogël preferojnë që t’i drejtohen shtetit për të kërkuar ndihmë në punësim. Të dhënat zyrtare të Shërbimit Kombëtar të Punës tregojnë se në fund të 2016-s, numri i emigrantëve të kthyer dhe të regjistruar si punëkërkues të papunë ishte 717 nga të cilët 289 ishin regjistrime të reja.
Pjesa më e madhe e tyre janë kthyer nga Greqia (rreth 74%) dhe si shkak kryesor (rreth 84%) kishin papunësinë.
Më së shumti, emigrantët e kthyer janë familjarë dhe kanë qenë të papunë afatgjatë (75%).
Meshkujt janë ata që dominojnë më së shumti të kthyerit (71%) duke qenë edhe kryefamiljarë (41%).
Deri në moshën 29 vjeç, emigrantët e papunë të kthyer i përkasin më së shumti Qarkut të Elbasanit, të ndjekur nga ai i Kukësit, ndërsa mbi moshën 40 vjeç ishin nga Korça, Vlora dhe Lezha. Pothuajse e gjithë kjo kategori ka pasur vetëm arsim të mesëm dhe fill pas regjistrimit kanë kërkuar më së shumi këshillim për punësim si dhe orientim profesional.
Qeveria shqiptare, në zbatim të planit të masave të strategjisë për riintegrimin e shtetasve shqiptarë të kthyer, si pjesë e politikave kombëtare për migracionin, ka krijuar sportele të emigracionit në të gjitha zyrat e punësimit. Ato ofrojnë këshillim, informim, ndërgjegjësim mbi situatën e tregut të punës, me qëllim riintegrimin dhe punësimin sa më të shpejtë të tyre.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.