Janë 6200 biznese të cilat deri në fund të vitit 2017-të duhet të sigurojnë vetë energjinë elektrike. Paketa e tretë legjislative e Bashkimit Europian parashikon daljen graduale të të gjithë konsumatorëve që furnizohen në tensionin e lartë dhe të mesëm 35 kv, 20 kv dhe 10 kv e 6 kv do të dalin në fund të 2018-ës.
Shtatë kompani të mëdha sot arrijnë të sigurojnë vetë energjinë elektrike. Në vitin 2011, reforma në liberalizimin e tregut të energjisë elektrike nxorri jashtë tregut të rregulluar këto ndërmarrje të cilat ishin të lidhura në linjat e furnizimit të tensionit të lartë dhe përbënin 8.4% të konsumit kombëtar të Shqipërisë ose 610 milion këh. Fillimisht bizneset e kundërshtuan këtë reformë por sot ata operojnë me sukses në këtë treg dhe nuk raportojnë rritje të kostove. Plani i qeverisë është që deri në fund të vitit 2017-të të ulë konsumin e energjisë elektrike me 10% nga bizneset që furnizohen nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë.
Kjo ishte vetëm faza e parë. Paketa e tretë legjislative e Bashkimit Europian parashikon daljen graduale të të gjithë konsumatorëve që furnizohen në tensionin e lartë dhe të mesëm 35 kv, 20 kv dhe 10 kv e 6 kv gradualisht deri në fund të 2018-ës. Konkretisht, të gjithë konsumatorët që furnizohen në linjën 35 kv duhet të dalin nga tregu që nga data 1 korrik dhe kështu me radhë ata që furnizohen në 20 kv në 1 janar. Në 2017-ën duhet të dalin nga furnizimi që u bën OSHEE të gjithë konsumatorët e linjës për tensionin e mesëm.
Në total janë 6200 biznese të cilat deri në fund të vitit 2017-të duhet të sigurojnë vetë energjinë elektrike.
Bizneset që do të dalin nga rrjeti i OSHEE duhet të lidhin kontratën me kompaninë ku do e blejnë energjinë dhe do i drejtohen OSHEE që janë gati ta dalin nga rrjeti. Pasi çon kërkesën merr në përdorim linjat e saj dhe të OST-së kundrejt tarifës që paguan.
Shqetësimi kryesor i biznesit është nëse ky liberalizimi do të çojë në rritje të çmimeve, si rrjedhojë e shtrenjtimit të kostove përmes tarifave të aksesit. Vetë ministri i Energjisë Damian Gjiknuri ka pranuar që këto tarifa janë më të larta për Shqipërinë se rajoni, në një kohë që shqetësimi i industrisë vendase është se sa konkurrues do të jetë në tregun rajonal. “Konfindustria vlerëson, se liberalizimi i tregut të energjisë elektrike për bizneset është një reformë e vështirë dhe si e tillë duhet të jetë e kujdeshme, e shtrirë në kohë dhe e mirëpërgatitur. Shqetësimi kryesor i bizneseve i ardhur pranë Konfindustrisë janë nivelet e tarifave të pikave të lidhjes dhe sigurimi i standarteve teknike të furnizimit me energji nga OSHEE.” është shprehur Konfindustria në një deklaratë për shtyp. Në përgjigje të tyre, ministri Gjiknuri ka thënë se këto kosto duhet të mbahen nga biznesi pasi nuk ka rrugë tjetër. “Si do të sigurohet cilësia e furnizimit me një rrjet që i përket kryesisht viteve 70? Pyetja parë është që kërkohet investime. Atëherë nga do të dalin këto investime. Ka dy mënyra, ose paratë e shqiptarëve të shkojnë të gjitha në rrjetin energjetik për të krijuar tarifa të ulta dhe një liberalizim të plotë i tregut të energjisë; ose konsumatorët në vetvete do të mbajnë një pjesë të kostos dhe kështu funksionon. Tarifa e aksesit nuk është një taksë.”
Aktualisht Shqipëria ka dy linja interkonjeksioni 220 kv me Malin e Zi dhe Kosovën dhe një 400 kv me Greqinë. Rritja e blerjes së energjisë elektrike në tregun e jashtëm bëri që qeveria të shihte në planet e saj ndërtimin e dy linjave të tjera 400 kv me Kosovën dhe Malin e Zi. Në planin e saj është që tarifat e aksesit të biznesit në këto rrjete sa vjen dhe të jenë më të ulta. Po ashtu një nga alternativat që u janë shtruar sipërmarrësve është edhe përfundimi i ndërtimit të hidrocentralit të Devollit, Poçemit dhe Katundit te ri.
Dalja -afatet
Të gjithë konsumatorët që furnizohen në linjën 35 kv duhet të dalin nga tregu që nga data 1 korrik 2016 dhe kështu me radhë ata që furnizohen në 20 kv në 1 janar 2017. Në 2017-ën duhet të dalin nga furnizimi që u bën OSHEE të gjithë konsumatorët e linjës për tensionin e mesëm.
Plani i investimeve në rrjet
17 milion dollarë do të investohen nga Banka Botërore dhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë ne sistemin e matjes dhe rrjetin e shpërndarjes. Me këto para do të bëhen ndërtime të reja, rikonstruksione nënstacionesh dhe linjash, në mënyrë që të lehtësohet aksesi i biznesit dhe ulja e kostove. Për matjen do të zbatohet një projekt i Bankës Botërore përmes të cilit do të realizohet instalimi i një sistemi matjeje të tensionit të mesëm për të gjithë klientët që dalin nga tregu. Ky sistem do të shërbejë për të matur saktë energjinë që konsumohet. Të dhënat që do të dalin do të shkojnë në qendrën e Menaxhimit të Energjisë pranë Operatorit të Sistemit të Transmetimit. Vetëm për matjen do të jepen 14 milion dollarë.
Krijimi i bursës së energjisë
Është dëgjuar shpesh por në fakt duket shumë larg realizimit krijimi i bursës së energjisë. Biznesi kërkon me ngulm që nëse dalin në treg të lirë duhet gjetur mënyra për krijimin e këësaj burse. “Roli i Entit Rregullator të Energjisë është i rëndësishëm për përcaktimin e vlerës së tarifave të linjave dhe krijimin e Bursës Kombëtare te Energjisë për liberalizimin real teë tregut me numër sa më të madh operatorësh për shmangien e rrezikut të kalimit nga monopol publik ne monopol privat të furnizimit me energji elektrike.” ka sqaruar Konfindustria. Shqetësimi i sipërmarrësve është i saktë pasi shumë operatorë që ofrojnë energjinë në Shqipëri kanë patur tarifa thuajse të njëjta në tenderat që ka organizuar vetë Operatori i Shpërndarjes së Energjisë, gjë që më pas ka hapur dyshime për Autoritetin e Konkurrencës për njehsim të qëllimshëm të këtyre çmimeve për të rritur fitimet e privatëve.
Ministria e Energjisë ka filluar punën për të bërë një model të ri tregu të energjisë elektrike Day Ahead Market. Këtu parashikohet ngritja e një poëer Exchange i cili synon të krijojë mundësi të barabarta për të gjithë bizneset për të blerë energjinë elektirke në mënyrë transparente dhe të qëndrueshme. Ky lloj modeli do të quhet bursë e energjisë e cila do të bashkëpunojë kryesisht me tregun e energjisë së Kosovës dhe Malit të Zi.
Përveç përmbushjes së anagazhimeve për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, po punohet për një ligj të ri për energjinë e rinovueshme, i cili do të krijojë skemë të re në mënyrën se si do të ndihmohen prodhuesit e rinj të energjisë dhe do të ndryshojë formulën për ata aktualë.
—————-
Flet Entela Çipa, këshilltare për energjinë në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë
Ka hezitim, paqartësi, por jo aq sa të bllokohet dalja në treg të lirë
Ju keni zhvilluar disa takime me bizneset dhe grupet e interesit edhe në kuadër të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike. Mendoni se janë gati bizneset që furnizohen në linjat 35 kv për të dalë nga tregu dhe për të furnizuar vetë energjinë elektrike?
Në bazë të ligjit të gjithë konsumatorët që furnizohen në linjën 35 kv duhet të dalin nga tregu që nga data 1 korrik dhe kështu me radhë ata që furnizohen në 20 kv në 1 janar. Në 2017-ën duhet të dalin nga furnizimi që u bën OSHEE të gjithë konsumatorët e linjës për tensionin e mesëm. Ne po bëjmë çfarë është e mundur që ta mbështetim me investime pasi liberalzimi kërkon investime në sistemin e matjes dhe po ashtu dhe në rrjetin e shpërndarjes. Të gjitha këto procese po ecin paralel dhe mendojmë se nuk do të ketë pengesa. Sigurisht, ka hezitim, paqartësi, por jo aq sa të bllokohet dalja e tyre në treg të lirë.
Ky është një proces i lajmëruar, për çfarë janë të paqartë dhe pse hezitojnë?
Është një proces i lajmëruar që para një viti dhe ne në të vërtetë kemi një eksperiencë. Janë konsumatorët e mëdhenj të cilët kanë dalë që prej 4 vitesh në tregun e liberalizuar të cilët operojnë dhe e zgjedhin lirisht furnizuesin e tyre. Tani është numri më i madh me biznese të ndryshme të shtrira në të gjithë Shqipërinë, sigurisht që kanë paqartësitë e veta në momentin që duhet të gjejnë një furnizues dhe të lidhin kontratën me ta. Por furnizimi i tyre është i garantuar sepse aksesi në rrjetin e shpërndarjes garantohet. Në çdo moment ligji parashikon se në rast se nuk mund të gjejnë furnizuesin privat, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike duhet të garantojë furnizimin e tyre me energji për një periudhë të caktuar. Nuk mund të bëjmë shkëputjen direkt nga shërbimi pasi ata janë konsumatorë të rëndësishëm që nuk duhet tu mungojë energjia për asnjë moment.
Sa kompani dalin nga tregu te linja e tensionit 35 kv?
Janë 82 kompani. Kemi disa probleme teknike se ka kompani që janë të lidhura direkt në fider dhe nga ato që nuk janë të lidhur aty. Janë 82 firma që tashmë duhet të dalin nga tregu. Nga rregullorja e miratuar është garantuar ndërrimi i furnizuesit pa kosto shtesë me një afat të caktuar. Janë të gjitha gati që bërja e kërkesës pranë OSHEE-së të këtij konsumatori deri te kalimi i tij te furnizuesi tjetër.
A ka kompani publike brenda këtij numri?
Ka disa kompani publike që edhe ata duhet ta sigurojnë vetë energjinë elektrike. Janë bizneset e mëdha. Më vonë janë ato ndërmarrje që ndodhen larg zonave të banuara, kryesisht bizneset që operojnë përgjatë autostradës Tiranë – Durrës. Këto firma buzë rrugëve nacionale janë të lidhura në 20 kv dhe duhet të bëhen gati të dalin në janar të 2017-ës. Deri në fund të vitit që vjen numri total i ndërmarrjeve që dalin arrin në 6200. Në këtë shërbim publik do të mbeten vetëm bizneset e vogla dhe konsumatorët familjarë të lidhur në tensionin e ulët.
Tarifat e aksesit në energji për Shqipërinë janë më të larta se rajoni. A rrezikohet shtrenjtimi i kostove të biznesit për shërbimin e energjisë elektrike?
Po punohet paralelisht. Mbështetja në investime në sistemin e matjes dhe në rrjetin e shpërndarjes po bëjnë të mundur daljen fizike të tyre në hapin e parë dhe nga aplikimet e kompanive do të shqyrtohen kostot përkatëse sipas nivelit të tensionit. Kostot janë më të larta se rajoni, këtë duhet ta pranojmë pasi ka patur kosto të mëdha ky rrjet shpërdnarjeje, humbjet e mëdha dhe investimet që duhet të përballojë. Nga njëra anë liberalizimi duhet të ketë një infrastukturë të tërë që nga rrjeti e sistemi i matjes e nga ana tjetër duhet të garantojë edhe tarifën e aksesit. Tarifa duhet të mbulojë edhe këto investime që janë të nevojshme. Por prodhuesit privatë të energjisë shumë mirë mund të ndihmohen nga ky proces dhe t’ia shesin energjinë kësaj kategorie biznesi. Kështu krijohet një treg dhe përfiton edhe ata që prodhojnë energji hidro tek ne. Por tregu edhe sipas parashikimeve ne Evropë mendohet të jetë i lirë dhe prandaj nuk besojmë se do të preken shumë.
Çfarë sjell të re ligji për energjinë e rinovueshme?
Deri tani kemi bërë dy takime me grupet e interesit, njërin përpara se të niste hartimi i këtij ligji të ri dhe tjetrin tani që kemi një draft gati. Ky është një ligj që ka interes të madh për prodhuesit e energjisë elektrike. Në këtë ligj parashikohet një skemë e re mbështetëse për prodhuesit e energjisë që do të hyjnë në këtë treg. Për prodhuesit ekzistues, të cilët aktualisht përfitojnë nga kontratat për shit-blerjen e energjisë elektrike regjimi i tyre juridik nuk ndryshon, kontrata do të respektohet për afatin që kanë të përcaktuar aty, po ashtu edhe gjithë sasia e energjisë që do të vijojë të blihet te ata, por kemi parashikuar që blerësi i energjisë elektrike nuk do të jetë më KESH, i cili në bazë të ligjit të ri të energjisë elektrike ka funksionin e tij si prodhues, dhe do të çlirohet nga detyrimet për blerjen e energjisë. Debati më i madh është çmimi me prodhuesit e energjisë. Cila do të jetë formula që kjo energji do të blihet… Por ky ligj nuk parashikon vetëm pjesën e energjisë së rinovueshme për prodhuesit ekzistues, por parashikon një skemë të re në përputhje me direktivën për burimet e reja të energjisë së rinovueshme. Në bazë të këtij plani, ne kemi parashikuar blerje energjie për prodhuesit e tjerë, për fotovoltaikët dhe për prodhimin me erë të energjisë elektrike. Këtu parashikohen procedura më të gjera se si do të bëhet blerja e energjisë e garantuar për këtë pjesë të prodhuesve, ashtu edhe për hidrocentralet nga burimet hidrike, përveç kontratave ekzistuese. Pra mund të themi që ligji ndahet në dy pjesë, trajton pjesën e kontratave ekzistuese dhe pastaj fushën se si do të veprojmë pas hyrjes në fuqi të tij.
Skemat mbështetëse do të jenë për burimet alternative të energjisë apo edhe energjinë hidro?
Kontrata ekzistuese do të vazhdojnë me një tarifë mbështetëse sipas kohëzgjatjes së afatit të kontratave që kanë lidhur dhe pjesa e re për burimet me erë, fotovoltaike por dhe hidrike. Për kontratat ekzistuese do të ketë një çmim administrativ të përcaktuar. Ai do të përcaktohet në bazë të kritereve që do të vendosen në ligj me vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa për operatorët e rinj është një procedurë ankandi dhe shpërblimi i tyre do të bëhet mbi bazë të një modeli tërësish të ri, kontrata për diferencë quhen. Do të vendosim një çmim tavan me hyrjen e tyre në bursën e energjisë ose në tregun e lirë që ata mund ta shesin, shteti do të kompensojë diferencën që del nga çmimi i paracaktuar me çmimin e bursës.
———-
Biznesi: Nuk jemi ende gati
Bizneset nuk janë ende gati për të dalë nga tregu i energjisë elektrike. Ata thonë se pa kryer investimet kostot do të jenë tmerrësisht të larta dhe do të krijojnë krizë likuiditeti.
Alban Zusi ka dy kompani për të cilat në janar të vitit 2017-të do të duhet ta sigurojë vetë energjinë elektrike. Njëra merret me përpunimin e peshkut dhe tjetra me përpunimin e sallamit. Vetëm për një fabrikë ai detyrohet që të paguajë çdo vit 25 mijë euro faturën e energjisë elektrike. Edhe pse është kreu i Shoqatës së Eksportuesve të Mishit, Zusi nuk është informuar se ndërmarrjet që ai mbulon do të duhet që ta sigurojnë vetë energjinë elektrike. Me ligjin e ri të energjisë, 6200 bizneseve që furnizohen në linjën 20 kv duhet të dalin nga tregu në janar dhe 82 kompani të tjera që marrin energji në tensionin 35 kv duhet të largohen nga ky treg që në 1 korrik. Sipërmarrësit insistojnë në krijimin e një burse. “Çdo vendimmarrje për të liberalizuar tregjet është për tu përshëndetur, është vendimmarrje e duhur. Ajo çfarë ngelet për tu diskutuar është nëse liberalizimi i tregut është i shoqëruar me masa për krijimin dhe ndërtimin e tregut apo jo. Duhet ndërtimi i një burse për shitblerjen e energjisë.” thotë Alban Zusi, i cili me profesion është inxhinier elektrik.
Për ta, nëse mungon bursa, atëherë çmimi rrezikon të jetë më i lartë se sot. “Dy kompani të mëdha edhe mund ta gjejnë lehtësisht energjinë elektrike dhe me çmim të mirë, por kur fillojmë flasim për kompani që furnizohen në tension të mesëm 20 kv, 10 kv dhe 6 kv janë shumë firma të cilave iu duhet patjetër një treg i konsoliduar institucional për të patur mundësi që të blejnë dhe të negociojnë. Minimalisht duhet të ketë një bursë ku të takohet oferta me kërkesën dhe të jenë të pranishëm blerësit e energjisë me prodhuesit e energjisë.” sqaron Zusi. “Sot furnitorë privatë në Shqipëri të energjisë elektrike janë vetëm hec-et privatë. Por ata nuk janë gjatë gjithë kohës disponibël, kanë periudha viti ku nuk janë funksionalë, kanë periudha viti ku mund të kenë mbiprodhim, ka periudha që mund të kenë nënprodhim. Atëherë si do të rregullohet kjo marrëdhënie mes prodhuesit dhe blerësit? Nuk ka një linearitet në prodhimtarinë e tij në raport me industrialistët të cilët e kanë të njëjtë ciklin e konsumit të energjisë.” shton ai.
Sot Alban Zusi dhe shumë kompani të tjera që furnizohen në linjat e tensionit të mesëm paguajnë 14 lek për këh energji në një kohë që me vendimin e Entit Rregullator të Energjisë duhet të faturoheshin me 11 lek për këh. për të ky është një abuzim që ka bërë kompania e shpërndarjes së energjisë, e cila nuk ka investuar në kabina në sistemin e shpërndarjes të tensionit të mesëm dhe faturon këtë kategori sikur merr energji në tensionin e ulët. “Ka një situatë absurde të krijuar nga OSHEE. Me vendimin e Entit Rregullator të Energjisë, subjektet që furnizohen në tensionin e mesëm kaluan nga çmimi 9.1 lek për këh në çmimin 11 lek për këh. OSHEE ka bërë një arsyetim që thotë se duhet të vendoset sistem matje në sistemin e mesëm dhe i faturon të gjithë këto biznese me çmimin 14 lek për këh. Një rritje e paligjshme me 27% e çmimit të energjisë elektrike.” thotë ai.
Shumë biznese kanë çuar në gjykatë çështjen kundër OSHEE-së dhe e kanë fituar. Alban Zusi thotë se të njëjtën rrugë ka ndjekur edhe ai dhe tashmë pret përgjigjen e organeve të drejtësisë. Detyrimi për të vendosur kabinat është i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. kostoja e ndërtimit të një kabine është 10 mijë euro. “Kemi bërë disa komunikime me ERE-n dhe OSHEE-në. Disa biznese e kanë dërguar çështjen në gjykatë dhe e kanë fituar, të tjerë janë në proçes gjyqësor, përfshirë dhe mua. Është absurde kjo situatë, pasi ERE u jep të drejtë por është po ajo që u thotë që zgjidheni në proçes gjyqësor pasi OSHEE-ja është e shurdhër në këtë drejtim. Bizneseve iu duhet që një për një tani të shkojnë në gjykatë e të marrin këtë të drejtë.” shprehet Zusi.
Bizneset janë dakord me hapjen e tregut të lirë, por pa u rregulluar më parë sistemi i matjes kjo do të jetë e parealizueshme. Ata tremben se do të detyrohen vetë të investojnë në ndërtimin e kabinave elektrike. Por një tjetër argument që sjellin është edhe pjesa e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes, të cilat sot i mbulon OSHEE, kush do ta marrë përsipër këtë kosto? “Sistemet e matjes në tensionin e mesëm kushtojnë, nuk janë të lira dhe mund të krijojnë kosto të shtuara për bizneset. Nuk mund ta bëjnë dot bizneset vetë sistemin e matjes apo qoftë edhe rrjetin e energjisë. Do të ishin dhjetra miliona euro që në harkun kohor të një viti do të dilnin nga duart e biznesit dhe do të shkonin jashtë. Është njësoj si investimi i padrejtë i qytetarëve në depozita uji ose në gjenerator të vegjël për të siguruar këto nevoja, në një kohë që këtë shërbim duhet ta bëjë vetë kompania publike.” shton Zusi.
4% e kostos së kompanisë së tij i kanë shpenzimet për energjinë elektrike, por në fabrikat e përpunimit të qumështit dhe produkteve të tjera konsumi i energjisë kap 12% të buxhetit vjetor të tyre. Tarifat e transmetimit që kanë OSHEE dhe OST janë të larta, në një kohë që hidrocentralet privatë e shesin pa këto tarifa energjinë me çmimin 7.4 lek për këh. “Çdo luhatje në çmimin e furnizimit ka një ndikim të drejtpërdrejtë në koston e prodhimit, në çmimin e produktit dhe rrjedhimisht në koston e jetesës së qytetarëve. Liberalizimi në vetvete i pashoqëruar me një seri masash të tjera të karakterit teknik nuk do t’i shërbejë qëllimit. Përkundrazi do ta rëndojë situatën ekonomike të biznesit, do të rëndojë ngarkesën e “cash”-it në treg dhe do ta përkeqësojë klimën e biznesit.” thotë Alban Zusi. Ai tregon se këtë qëndrim, agropërpunuesit do të mbajnë edhe me autoritetet.
———–
OST-ja merr funksionet e bursës së energjisë
Operatori i Sistemit të Transmetimit të Energjisë (OST) me modelin e ri të tregut të energjisë do të marrë atributet e një bursë energjie.
Enti Rregullator i Energjisë është në prag të miratimit të rregullave të reja të tregut të energjisë dhe në ketë kuadër OST-ja ka marrë lejen si operator tregu.
Sipas rregullave të reja Operatori i Tregut OT si pjese e (OST) është struktura përgjegjëse për menaxhimin e tregut të energjisë elektrike dhe përgatitjen e pasqyrave financiare, për shlyerjen e detyrimeve të ndërsjella, për pjesëmarrësit e tregut, pa përfshirë blerjen apo shitjen e energjisë elektrike.
OST –ja do të jetë përgjegjës për organizimin dhe administrimin e likujdimeve dhe pagesave të energjisë elektrike mes pjesëmarrësve të tregut për tregun balancues dhe do të organizojë një proces që gjithë palët të përmbushin Rregullat e Tregut.
OST do të mbajë llogaritë në emër të palëve tregtare për energjinë balancuese dhe shërbimet e siguruara nga OST-ja dhe do të menaxhojë procesin e deklarimit të likuidimeve dhe do të sigurojë informacion tregu Rregullave të Tregut.
OST do të kryejë gjithë funksionet e tjera që i caktohen nga Rregullat e Tregut ose me miratimin e ERE-s dhe do t’u japë ose do të marrë para nga palët që kanë siguruar energji balancuese të blerë nga OST-ja.
Furnizuesi Publik me Shumicë, OSSH dhe sipas rastit, Furnizuesi i Kualifikuar (në emër të Klientëve të Kualifikuar) do t’i sigurojnë OST-së parashikimin e ngarkesës për javën në avancë për klientët e tyre në bazë orare. Ky parashikim ngarkese do të përditësohet në bazë të ditës në avancë para mbylljes së portës.
Gjithashtu Furnizuesi Publik me Shumicë do t’i sigurojë OST-së parashikimin për reduktimin e ngarkesës së javës në avancë në bazë orare. Ky parashikim i reduktimit të ngarkesës do të përditësohet bazuar në ditën në avancë para mbylljes së portës.
Në fakt këto funksione ishin projektuar të kryheshin nga Bursa e Energjisë sipas projektmodelit të tregut të energjisë nga qeveria shqiptare. Mirëpo krijimi i një bursë të posaçme për energjinë kërkon angazhim ekstra dhe këto funksione do të kryejë OST-ja pasi shumë shpjet 85 konsumatorë të konsumit 35 kilovolt do të do të furnizohen në mënyrë të pavarur në tregun e energjisë.
Modeli i tregut Day-Ahead është arena kryesore në rajonin nordik dhe baltik për tregtimin e energjisë. Në këtë model tregu, kontratat bëhen ndërmjet shitësit dhe blerësit për dorëzimin e mallit një ditë para.
Me këtë model, një blerës duhet të vlerësojë se sa energji do t’i duhet për të përmbushur kërkesat të nesërmen dhe sa është i gatshëm të paguajë për këtë vëllim, orë pas ore. Shitësi, për shembull, pronari i një hidrocentrali, duhet të vendosë se çfarë sasie mund të dorëzojë dhe me çfarë çmimi, orë pas ore. Këto nevoja pasqyrohen përmes urdhrave nga blerësit dhe shitësit në sistemin e tregtimit Elspot në Bursën e Energjisë.
Çmimet e çdo ore janë shpallur në mënyrë tipike në treg në 12:42 ose më vonë. Pasi çmimet e tregut janë llogaritur, nga ora 00:00 të nesërmen, kontratat e energjisë janë dorëzuar fizikisht (që do të thotë se malli është siguruar për blerësit) orë për orë sipas kontratave të rëna dakord.
Ja oraret e tregtimit nga Operatori i Tregut, degë e OST:
-Në orën 10:00 në ditën në avancë, OST-ja publikon parashikimin e kërkesës së ditës në avancë për çdo periudhë likudimi. Kjo do të jetë në formën e nivelit të kërkesës së agreguar në MË si dhe të kufirit të kërkuar të rezervës në MË.
-Në orën 11:00 Furnizuesit e Kualifikuar dhe Tregtarët i dorëzojnë Operatorit të Tregut OST nominimin e tyre fillestar të fluksit të interkoneksionit.
-Në orën 11:30 Operatori i Tregut OST njofton Furnizuesit e Kualifikuar dhe Tregtarët për statusin e nominimeve të fluksit të interkoneksionit te tyre lidhur me fakti nëse ka kapacitet të tepërt të interkoneksionit ose mungese te kapacitet të interkoneksionit;
-Në orën 12:00 është afati kohor për pranimin e nominimeve të korrigjuara të fluksit të interkoneksionit.
-Në orën 12:30 bëhet konfirmimi i nominimeve te interkoneksionit nga Operatori i Tregut OST si nominime fizike të interkoneksionit dhe u njoftohen Furnizuesve qe nuk përfiton nga shërbimi universal i furnizimit dhe Tregtarëve të prekur.
-Në orën 13:00 do të bëhet paraqitja e gjithë nominimeve të tjera fizike tek Operatori i Tregut OST;
-Në orën 13:30 bëhet paraqitja e kërkesave dhe ofertave tek Operatori i Tregut OST;
Nga ora 14:00 në ditën në avancë deri në [24:00] në ditën Operatori i Tregut OST pranon kërkesat dhe ofertat për të balancuar sistemin në varësi të disbalancimeve të njoftuara që rezultojnë nga të dhënat e nominimit fizik dhe nga ndryshimet e njoftuara në parametrat e të dhënave dinamike.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.