Tani kur na ndajnë vetëm dy muaj nga vendimi final për rritjen ose jo të çmimit të energjisë, qeveria ndodhet nën presionin e madh të ndërkombëtarëve që po japin paratë dhe elektoratit që i ka dhënë votat. Qëndrimi vetëm në njërën anë do të ishte me kosto. Nëse bëhet palë me ndërkombëtarët (FMN, BB) çmimi i energjisë duhet të rritet nga 10-30% për konsumatorët familjarë që nga 2015-a. Kjo do të rrezikonte votat në zgjedhjet lokale të vitit që vjen, që janë testi i parë politik i qeverisë së re në elektorat, e cila, kur erdhi në pushtet, pati bërë premtimin e bujshëm për uljen në 6% të TVSH së energjisë. Prezantimi i një oferte të kundërt prodhon kosto të madhe politike. Por të rrish në anën e elektoratit, llogaritë janë edhe më të rënda. Banka Botërore, në një analizë të thellë që i ka bërë sektorit të energjisë në vend dhe pritshmërive deri në vitin 2020, vlerëson se me tarifat aktuale rrezikohet një faliment i pashmangshëm i sektorit në tre vitet në vijim.
Tre skenarët, rritja e çmimit, e pashmangshme
Ecuria e sektorit të energjisë elektrike, sipas tre skenarëve, e bën të pashmangshme rritjen e çmimit të energjisë, ndryshe sektori do të vijojë të jetë me deficite të larta deri në vitin 2020. Banka Botërore ka supozuar ecurinë e tre varianteve, ku merren në konsideratë ulja e humbjeve, rritja e arkëtimeve dhe kryerja e investimeve, por pa ndryshuar tarifat aktuale. Në përfundim, nëse zhvillimet në sektorin e energjisë ecin me ritmet aktuale dhe nëse tarifa për konsumatorët do të jetë 9.5 lekë për kilovat/orë, deficiti në sistem do të jetë 22 miliardë lekë në vitin 2020, ndërsa kostot nga 12 lekë që janë aktualisht pritet të arrijnë në 11.4 lekë më 2020. Skenari normal nuk e sheshon sërish situatën. Me këtë opsion, operatori i shpërndarjes redukton humbjet nga 6% në vit deri më 2016. Sipas këtij skenari ndërmerren masa në goditjen ndaj përdorimit të paligjshëm të energjisë elektrike, sidomos ndaj konsumatorëve të mëdhenj. Ndërsa arkëtimet nga faturimet arrijnë 95%. Pjesa tjetër mund të mbyllet duke rregulluar tarifat fundore me të paktën 10%. Në fund të vitit 2020, deficiti financiar në sektor do të arrijë në 12 miliardë lekë dhe kosto 11.0 lekë për kilovat/orë. Skenari agresiv parashikon reduktim po agresiv të humbjeve, i cili kërkon punë të gjerë me klientët e mëdhenj dhe të mesëm. Ky skenar merr në konsideratë arkëtimin e 100% të faturimit dhe eliminimin e vjedhjes së energjisë elektrike. Humbjet e energjisë, sipas këtij skenari, mund të reduktohen me 10% në vit për tre vitet e para. Më tej, zvogëlimi i humbjeve do të kërkonte investime shtesë, të tilla si modernizimi i rrjetit, përmirësimi i mirëmbajtjes dhe përmirësimi i menaxhimit. Si minimum, këto investime do të kushtojnë rreth 50 milionë USD gjatë tre viteve të ardhshme. Një program i tillë agresiv mund të ulë hendekun financiar të sektorit nga mbi dy të tretat. Pjesa tjetër do të mund të mbyllet me një rregullim të tarifave. Sipas këtij skenari, deficiti financiar arrin në 6 miliardë lekë dhe kosto 10 lekë për kilovat/orë.
Çfarë ndodh deri më 2020
Kërkesa e konsumatorëve për energji elektrike pritet të arrijë 10,000 Gigavatorë në vitin 2020, ndërsa hendeku i furnizimit me energji elektrike do të arrijë 5,000 Gigavatorë ose 50% të kërkesës totale deri në këtë vit, sipas një bilancie që Banka Botërore i ka bërë tregut të energjisë në dy dekada. Duke pasur parasysh strukturën aktuale të sektorit, hendeku i parashikuar do të mbulohet me blerjen e importeve shtesë. Por, ndërkohë, kostot që lindin nga importi nuk janë të ndara në mënyrë të barabartë ndërmjet qeverisë, investitorëve dhe konsumatorëve, por përballohen tërësisht nga shteti.
Ky hendek do të krijojë presion për një shtesë financiare ndaj KESH si furnizuesi i burimit të fundit dhe ndaj operatorit të shpërndarjes OSHE. Importet nga KESH pritet të rriten nga pak më shumë se, 200 Gigavatorë në vitin 2014 në rreth 2,000 Gigavat orë në vitin 2020. Kështu, importet për mbulimin e humbjeve pritet të qëndrojnë në mes të 2400 dhe 2900 Gigavatorë në vit. Me një çmim të projektuar 8.4lekë për kilovatorë të importeve të pritshme për të mbuluar këtë hendek, kostot e KESH për të mbuluar këto importe do të rriten nga 2 miliardë lekë (0.15% e PBB-së) në 2014 në 16 miliardë lekë (1.2% e PBB-së) në vitin 2020. Ndërsa kostot e operatorit të shpërndarjes për të mbuluar humbjet do të jenë rreth 25 miliardë lekë ose 236 mln USD në vit. Por, sipas skenarit të Bankës Botërore, nëse çmimi i KESH ndaj CEZ do të rritet, qeveria nuk do të ketë nevojë për të mbështetur direkt KESH-in ose të garantojë kredi afatshkurtër komerciale për të blerë energji elektrike. Vlerësimet e Bankës Botërore parashikojnë se deri më 2020, mbështetja financiare e qeverisë ndaj KESH mund të arrijë në 4 miliardë lekë (0.3% e PBB-së) në 2020 nga zero aktualisht. Në mënyrë të ngjashme, duke supozuar se humbjet e shpërndarjes janë ulur në nivelin e vitit 2010 (30%) deri në 2016 dhe çmimi i energjisë nuk ndryshon, hendeku pritet të jetë rreth 9-10 miliardë lekë deri në vitin 2020. Kjo do të thotë se, vetëm 52% e shpenzimeve të importit do të mbulohet nga cmimi. Tarifat me pakicë duhet të përfshijnë koston e blerjes së energjisë elektrike nga KESH, plus tarifën e transmetimit, plus tarifën e shpërndarjes, plus një diferencë të vogël për të mbuluar shpenzimet operative. Sipas skenarit aktual të biznesit, ku tarifat me pakicë nuk janë rregulluar siç duhet për të pasqyruar shpenzimet e plota të konsumit dhe faturimi nuk përmirësohet, po qëndron në 83% siç pritet për vitin 2013, hendeku i pritshëm financiar i sektorit do të jetë mes 17-20 miliardë lekë (161-189 mln USD) në vit. Skenari i biznesit mbetet gjithashtu i paqëndrueshëm. Duke pasur parasysh se, shteti mbart të gjithë rrezikun e furnizimit të sistemit, kjo përbën një kërcënim që mund të bëhet më e vështirë për shtetin që të sigurojë energjinë e mjaftueshme për të mbuluar me importe hendekun e furnizimit. Nëse KESH nuk do ta shpërndajë këtë kosto te konsumatorët e fundit, atëherë sektori nuk do të ketë fonde për operimin dhe mirëmbajtjen apo edhe investime për të përmirësuar efikasitetin e saj. Kjo, potencialisht, mund të çojë në pasoja shkatërruese dhe sektori thjesht mund të rrëzohet.
Kosto në buxhet
Ndërsa shpenzimet direkte publike ose mbështetja buxhetore për sektorin e energjisë mbetet e vogël, detyrimet indirekte janë shumë të mëdha. Mbështetja direkte buxhetore ndaj sektorit në vitet e fundit përfshin injeksione likuiditeti në KESH për të mbuluar hendekun e likuiditetit, si dhe subvencione për konsumatorët me aftësi të kufizuara (80% e faturave të energjisë të klientëve me aftësi të kufizuara mbulohen nga shteti, ndërsa subvencioni është shfuqizuar që nga maji 2012). Qeveria i detyrohet operatorit të shpërndarjes (OSHEE) rreth 3 miliardë lekë për subvencionin e konsumatorëve me aftësi të kufizuara. Mbështetja indirekte për sektorin, megjithatë, ka qenë shumë më e lartë se kaq. Kjo përfshin kredi të garantuara ndaj KESH për importet e energjisë elektrike, si dhe borxhin që institucionet buxhetore dhe jobuxhetore kanë ndaj OSHE për energjinë e konsmuar dhe të papaguar. Në të njëjtën kohë kreditë me kushte tregtare janë rritur në mënyrë drastike në fund të vitit 2012, kur CEZ Sha. ndaloi importimin e energjisë për të mbuluar humbjet e shpërndarjes. Si rezultat, KESH si furnizuesi i fundit, u detyrua të rrisë importet e energjisë elektrike për të përmbushur kërkesat e konsumatorëve tariforë. Këto kredi është dashur të jenë të garantuara nga shteti. Overdrafti i garantuar i KESH ishte 29 miliardë lekë më 2013 ose rreth 2.5% e PBB-së. Ndërsa në vitin 2014, këto garanci arritën në 100 milionë euro. Nga ana tjetër humbjet në shpërndarje (vjedhja e energjisë) janë një subvencion i nënkuptuar për konsumatorët. Në vitin 2012, kostoja financiare e këtij subvencioni vlerësohet të jetë rreth 15.5 miliardë lekë (165.000.000 USD), ose rreth 1.5% e PBB-së. Para privatizimit të sistemit të shpërndarjes, subvencioni përballohej nga qeveria. Pas privatizimit, subvencioni është dashur të eliminohet gradualisht. Në qoftë se humbjet nuk uleshin sipas programit të paraqitur në Deklaratën Rregullatore, subvencioni do të përballohej nga CEZ Sha. Megjithatë, pasi CEZ Sha. ndaloi importimin për të mbuluar humbjet e saj është marrë përsipër nga ERE, që kostoja e këtij subvencioni të përballohet nga qeveria dhe de facto nga të gjitha kompanitë në sektor. Tarifat aktuale nuk janë mjaft të përqendruara dhe ata lejojnë një numër të konsiderueshëm konsumatorësh që të përfitojnë nga tarifat më të ulëta të destinuara për grupet më të cenueshme. Si e tillë, kjo përbën një subvencion shtesë.
Kostot e privatizimit
Historikisht, sektori është karakterizuar nga nivele të larta të humbjeve në rrjetin e transmetimit dhe shpërndarjes, niveli i ulët i mbledhjes së të ardhurave, si dhe nivelet e larta të borxhit të keq. Për të adresuar këto sfida, qeveria privatizoi sistemin e shpërndarjes, OSSH, në mars 2009, duke e shitur te Korporata çeke e energjisë (CEZ), e cila pagoi 102 milionë euro, për 76% të aksioneve. Nga ana tjetër humbjet në transmetim janë ulur gradualisht dhe tani janë të krahasueshme me humbjet teknike në vendet e zhvilluara. Por privatizimi i sistemit të shpërndarjes nuk solli atë që pritej. Tarifat me pakicë nuk janë rregulluar me kohë. Akumulimi i faturave nga institucionet buxhetore dhe jobuxhetore mbeti një cështje e pazgjidhur. Humbjet e energjisë u rritën në 51.1% deri në fund të vitit 2012, ndërsa normat e mbledhjes kanë rënë nga 85% në vitin 2008, në 73% në vitin 2011 dhe në 64% në vitin 2012. Në vjeshtën të vitit 2012, CEZ Sh.a. kishte shteruar burimet e saj dhe kompania ndaloi importet e energjisë për të mbuluar humbjet e saj neto. Më 21 janar 2013, ERE ka revokuar licencën e CEZ Sh.a. Për shkak të mosrespektimit të detyrimeve të saj, emëroi një administrator të përkohshëm të shtetit, për të drejtuar sistemin e shpërndarjes. Kapaciteti i prodhimit të energjisë elektrike në Shqipëri është rreth 98% i varur nga hidrocentralet. Varësia nga hidrologjia përbën rrezik të madh për furnizimin me energji elektrike dhe shkakton ndryshim të madh nga viti në vit, për shkak të rritjes së kërkesës për energjinë elektrike. Kostot rriten sidomos në vitet e varfra hidrologjike, kur importet shtesë janë të nevojshme për të kompensuar reduktimin në prodhimin në hidrocentralet vendase.
Borxhi i keq bën pjesë në kosto
Borxhi i keq përfaqëson shumën që i detyrohet operatorit të shpërndarjes nga shitja e energjisë që nuk është paguar dhe që konsiderohet e pashërueshme. Kjo në bilance klasifikohet si shpenzim, sepse borxhi nuk mund të mblidhet pasi të gjitha përpjekjet e arsyeshme për të mbledhur kanë shteruar. Në këto kushte, tarifa e shumicës nuk rregullohet për të pasqyruar shpenzimet e rritura të energjisë elektrike të importuar, dhe barrën e shpenzimeve shtesë të importit gjatë viteve të thata. Nga ana tjetër, humbjet në shpërndarje imponojnë një barrë të madhe mbi operatorin e shpërndarjes. Shumica e humbjeve kudo në botë ndodhin në rrjetet e shpërndarjes. Përafërsisht 15% e humbjeve totale janë teknike (6-8% mbi mesataren ndërkombëtare), ndërsa bilanci shqiptar rëndon për shkak të përdorimit të paligjshëm të energjisë. Operatori i shpërndarjes është i detyruar të importojë energji elektrike për të mbuluar humbjet e sistemit. Pas privatizimit të sektorit të shpërndarjes, dhe sipas Deklaratës Rregullatore të vitit 2009 të miratuar në kohën e privatizimit, tarifa nuk mbulon nivelin e humbjeve sipër një kufiri të rënë dakord. Nga ana tjetër, humbjet gjatë 2009-2012, nuk u ulën sipas premtimeve, por përkundrazi u rritën. Në vitin 2012, kostoja e importit të CEZ, që nuk u mbulua nga tarifa arriti në 126 milionë USD. Grumbullimi i faturave nga konsumatorët tariforë ka mbetur i ulët. Arkëtimet ranë ndjeshëm edhe ndaj konsumatorëve të rregulluar 64% më 2012. Nga ana tjetër, buxhetorët (qeveria) dhe jobuxhetorët (furnizimi me ujë, spitale, shkolla, etj.), institucionet publike kanë qenë vazhdimisht në mesin e atyre konsumatorëve që nuk paguajnë. Në fund të vitit 2012, borxhi i institucioneve publike ishte 11 milionë USD.
Kolapsi
Të ballafaquar me humbje të larta dhe norma të varfra të mbledhjes, operatori i shpërndarjes CEZ nga fundi i 2012-s ishte i paaftë të paguajë faturat ndaj kompanive të tjera të sistemit, OST dhe KESH. Për shkak të gjendjes së dobët financiare, CEZ ndaloi importimin e energjisë elektrike për të mbuluar humbjet e saj në fund të vitit 2012. Në vitin 2013, CEZ Sha. shënon një borxh rreth 36 miliardë lekë (343 milionë USD ndaj KESH, 5.5 miliardë lekë (52 milionë USD) ndaj OST, 15.3 miliardë lekë (144.5 milionë USD) ndaj tregtarëve dhe 2.8 miliardë lekë (26.5 milionë USD) dënime në formën e TVSH-së së papaguar. Nga ana tjetër, borxhet janë të rezervuara si të arkëtueshme nga KESH dhe OST. Megjithatë, në realitet, të dy KESH dhe OST, janë financiarisht të varura nga OSHEE (ish CEZ). Këtyre borxheve u faturohet edhe një shumë prej 4,8 miliardë lekësh të marra nga CEZ AS pas zëvendësimit të kredive të IFC dhe BERZH në vitin 2012.
Investimet emergjencë
Humbjet vjetore financiare dhe shpenzimet për shërbimin e borxhit plus kërkesa në rritje nuk mund të lejojnë qëndrueshmëri në sistem pa përmirësimin e qëndrueshmërisë financiare. Analiza e Bankës Botërore konkludon se duhet një program agresiv investimesh i nevojshëm për të përmirësuar gjendjen e sistemit të shpërndarjes, si dhe për të diversifikuar burimet e furnizimit që duhen për të mbuluar hendekun në rritje të furnizimit. Investimet gjithashtu janë të nevojshme për uljen e humbjeve në sistemin e shpërndarjes, nëpërmjet hartimit dhe zbatimit të një programi gjithëpërfshirës të zvogëlimit të humbjeve. Gjithashtu duhen rregullime të tarifave për të reflektuar koston e plotë të furnizimit me energji elektrike dhe masë tjetër për parandalimin e falimentit është hapja e tregut shqiptar të energjisë elektrike për konkurrencën rajonale. Investimi në brezin e brendshëm dhe diversifikimi i prodhimit të energjisë elektrike do të ulë hendekun e furnizimit me energji elektrike dhe do të zvogëlojë nevojën për importe. Është vlerësuar se nevojat për investime janë të paktën 780 milionë dollarë për të mbuluar hendekun e pritshëm të furnizimit. Duke pasur parasysh që investimet duhet të ndërmerren urgjent, hap i menjëhershëm duhet të jetë sigurimi i funksionimit të plotë të termocentralit në Vlorë për prodhimin e energjisë termike, në mënyrë që prodhimi të mos jetë i ekspozuar ndaj kushteve klimatike dhe importi zvogëlohet në të paktën 500 GW në vit. Ekspertiza e Bankës vlerëson se investitorët privatë duhen tërhequr për të zhvilluar kapacitetin shtesë hidro në vend. Megjithatë, këshillon se, qeveria duhet të jetë e kujdesshme në kontraktimet e reja. Aktualisht, KESH është i detyruar të blejë energjinë elektrike ndaj HEC-eve private me 10% më lart se çmimi i importit. Si rezultat, KESH shpenzoi 30% të fondeve me 2013 për blerjen e energjisë ndaj hidrocentraleve të vogla, pavarësisht faktit se, këto HEC-e kanë mbuluar vetëm 4% të kërkesës. Duke pasur parasysh nevojat në rritje për prodhim dhe importe për të mbuluar kërkesën në rritje është e rëndësishme se me strukturën aktuale, rreziqet mbulohen vetëm nga shteti.
Ringritja e OSHEE
Me qëllimin e rritjes së qëndrueshmërisë financiare të sektorit, OSHEE ka nevojë për të zbatuar një program konstruktiv, realist për reduktimin e humbjeve. Sipas skenarit të biznesit supozohet një plan për reduktimin e humbjeve, për të arritur nivelin e 30% në vitin 2016. Kjo masë është shumë e ngadalshme, jo shumë praktike dhe nuk është një zgjidhje e qëndrueshme për sektorin. Banka Botërore vë në dukje se, Shqipëria aktualisht ka një nivel të lartë të përdorimit të paligjshëm të energjisë elektrike dhe matje të dobët, e cila është e bazuar në sistemin e faturimit (rreth 20% e konsumit të tarifave nuk është matur, duke përfshirë edhe konsumatorët e mëdhenj tariforë) dhe aktualisht ka një sistem të dobët të menaxhimit të informacionit. Vendet e tjera, të cilat ballafaqohen me probleme të ngjashme, kanë arritur të ulin humbjet e tyre të shpërndarjes shumë më të shpejt dhe pa investim të madh shtesë.
Kurba e dështimit
Sektori i energjisë dominohet nga kompania e Prodhimit të Energjisë, (KESH), Operatori i Sistemit të Transmetimit, (OST) dhe sektori i Shpërndarjes OSHEE. Sektori është i rregulluar nga Autoriteti Rregullator i Energjisë (ERE). Të dy KESH dhe OST janë në pronësi publike, ndërsa 76% e OSHEE është në proces tranzicioni të kalimit të pronësisë nga CEZ s.a. te shteti shqiptar. Në gusht të vitit 2004, të gjithë konsumatorëve jofamiljarë iu dha e drejta për t’u kualifikuar, duke u dhënë të drejtën të zgjedhin vetë furnizuesit e tyre. Deri në fund të vitit 2012, Shqipëria kishte vetëm 7 konsumatorë të privilegjuar me konsum vjetor prej 600 GWh në vit (14% e të gjitha shitjeve të energjisë elektrike). Në janar 2013, CEZ sh.a. i është revokuar nga ERE dhe kontrolli dhe funksionimi i tij u vendos nën administrimin e përkohshëm.
KESH është përgjegjës për furnizimin e përgjithshëm të energjisë në Shqipëri, duke vepruar si një kompani e prodhimit të energjisë, si dhe një Furnizues Publik me Shumicë, (FPSH). KESH blen energjinë elektrike të prodhuar me çmim të rregulluar, si dhe energjinë e prodhuar nga HEC-et private. Sipas Ligjit të Energjisë, KESH duhet të blejë energji elektrike shtesë në treg për të plotësuar kërkesat e klientëve tariforë vendas. KESH, përveç energjisë që prodhon nga HEC-et, duhet të blejë energji nga HEC-et e vogla, por të importojë energji elektrike deri në masën e nevojshme për t’u shërbyer klientëve tariforë. Historikisht sektori është karakterizuar nga nivele të larta të humbjeve në rrjetin e transmetimit dhe shpërndarjes, niveli i ulët i mbledhjes së të ardhurave, si dhe nivelet e larta të borxhit të keq.
Privatizimi i sistemit të shpërndarjes në vitin 2009 nuk solli atë që pritej. Pranimi i nivelit të humbjeve dhe borxheve ndodhi më vonë se sa pritej. Tarifat me pakicë nuk janë rregulluar me kohë. Shlyerja e faturave nga institucionet buxhetore dhe jobuxhetore nuk u përmirësua. Humbjet e energjisë u rritën në 51.1% deri në fund të vitit 2012. Normat e mbledhjes kanë rënë nga 85% në vitin 2008, në 73% në vitin 2011 dhe në 64% në vitin 2012.
Perspektiva e zymtë
Perspektiva për kompaninë e shpërndarjes është e zymtë. Nga shumica e masave të arsyeshme, të dy, KESH dhe CEZ sh.a, janë të paaftë të paguajnë dhe vetëm mund të vazhdojnë të funksionojnë me mbështetjen e qeverisë. Për të dalë nga ky rreth vicioz borxhesh Banka Botërore rekomandon një rritje fillestare në tarifat e përdoruesve fundorë nga 10-30%, në varësi të programit të implementuar nga OSHE.Por një rritje e tillë duhet të shoqërohet nga reforma e ndihmës sociale për të përmirësuar targetimin e saj, për të siguruar se shtresat më të rrezikuara janë të mbrojtura nga pasojat negative të reformës. Reforma në tarifa gjithashtu duhet të shoqërohet nga një fushatë ndërgjegjësimi publik, për t’i shpjeguar popullsisë arsyet e reformës tarifore dhe masat e planifikuara lehtësuese për të zbutur ndikimin e saj. Në mënyrë që rreziqet të ndahen drejt midis qeverisë, investitorëve dhe konsumatorëve, tregu ka nevojë të nxjerrë në furnizim të pavarur konsumatorët e mëdhenj. Përgjegjësia për të furnizuar konsumatorët tariforë i duhet dhënë plotësisht OSSH. Kjo strukturë tregu është në përputhje me direktivat e BE-së dhe që kërkohen të zbatohen edhe për Shqipërinë. Ndërsa zbatimi i rregullave ekzistuese të tregut duhet bërë në mënyrë rigoroze. Në tregun aktual të energjisë elektrike në Shqipëri, rregullat ekzistuese janë implementuar dobët dhe ka disiplinë të mangët të pagesës. Moszbatimi i rregullave të tregut ka nxitur një treg konkurrues.
Detyrat që duhen bërë
Sektori është në krizë. Humbjet financiare dhe shërbimi i borxhit kërkojnë reforma shtesë, që duhet të zbatohen me sukses dhe të mbështetur nga marrëveshjet dhe kapacitetet institucionale që funksionojnë mirë. Kjo do të kërkojë një numër masash të ndërlidhura nga qeveria, KESH, OST, OSSH dhe ERE. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes duhet të mirëqeveriset. Banka Botërore sugjeron se, fillimisht kjo mund të bëhet duke identifikuar dhe duke rekrutuar një operator efikas për të marrë administrimin e OSHEE me një kontratë menaxhimi. Emergjente konsiderohet futja e një programi më agresiv në reduktimin e humbjeve dhe mbledhja e detyrimeve ndaj klientëve të mëdhenj dhe të mesëm. OSHE duhet të përmirësojë menaxhimin e rrjetit, rritjen në faturimin e konsumit të bazuar në përdorimin e paligjshëm. Gjithashtu kërkohen reforma në kuadrin rregullator. Një nga elementet kryesore në mbrojtje të interesit publik është shmangia e ndonjë rregulloreje të mbetur e cila, në mënyrë efektive, pengon qëndrueshmërinë financiare nga subjektet që operojnë në tregun e energjisë elektrike. Përkundër kundërshtimit publik, tarifat e energjisë elektrike duhet të rriteshin. Ribalancimi i tillë është një parakusht për të inkurajuar hyrjen efikase në segmentin e gjenerimit të tregut. Por ndryshimi i tarifave duhet të shoqërohet me një politikë të fortë sociale, çka nënkupton mbrojtjen e shtresave më të rrezikuara. Reforma në tarifa duhet të përjashtojë konsumatorët që nuk kanë aftësi paguese. Së fundi, modeli shqiptar i tregut të energjisë elektrike duhet të ndryshohet në përputhje me kërkesat e Direktivave të BE-së. Kjo do të thotë se të gjithë konsumatorët komercialë mund të fillojë blerjen e energjisë elektrike në treg. Gjithashtu Banka Botërore rekomandon se KESH nuk mund të jetë një furnizues i instancës së fundit dhe OSHEE-ja të mund të bëhet përgjegjës për një furnizim të qëndrueshëm të energjisë për konsumatorët tariforë. Qeverisja e sektorit sipas BB duhet të përmirësohet, ndërsa rregullat e tregut duhet të zbatohen dhe transparenca nga ana tjetër duhet rritur.
2015, hiqet fasha mbrojtëse 300 kilovat
Qeveria e ka formësuar ditët e fundit qëndrimin që do të mbajë për tarifën e energjisë më 2015. Fasha mbrojtëse për 300 kilovatësh me çmim të lirë do të hiqet. Ministri i Financave, Shkëlqim Cani ka pohuar se, cmimi i ri do të jetë një mesatare ndërmjet nivelit 7.7 lekë për konsumin nën 300 kV/orë energji në muaj dhe atij 13.5 lekë për konsumin mbi 300 kV/orë. Kjo mesatare do të prodhojë një nivel çmimi për të gjithë, 10.6 lekë për kV/orë energji duke nisur nga 1 janari 2015. Ky propozim ishte një kërkesë që kishte bërë kompania CEZ për periudhën rregullatore 2012-2014 dhe që pritet të merret në konsideratë nga qeveria shqiptare. Sipas kompanisë së shpërndarjes OSHEE sistemi i tarifave me dy blloqe (e ashtuquajtura tarifë sociale) duhet të hiqet për shkak se nuk përmbush aspak qëllimin e saj, të synuar teksa e gjithë popullata është përfituese e një “subvencioni” të tillë, jo vetëm konsumatorët në nevojë.
Nëse do të operohej me këtë çmim mesatar atëherë nga rritja e tarifës do të prekeshin shumica e familjeve shqiptare që konsumojnë më pak se 300 kV/orë në muaj. Bazuar në raportin vjetor të Entit Rregullator të Energjisë për vitin 2013, rreth 76.3% e të gjithë konsumatorëve familjarë i përkasin bllokut të konsumit deri 300kVh/muaj. Nëse me çmimin aktual këto familje paguajnë 7.7 lekë për kV/orë, me çmimin mesatar prej 10.6 lekësh për kV/orë, fatura mujore do të rritej me të paktën 1 mijë lekë në muaj për çdo familje. Nëse i referehohemi këtij çmimi mesatar për familjet që konsumojnë më shumë se 300 kV/orë në fatura mujore do të ulej me një shumë të pakonsiderueshme. Sipas të njëjtit raport të ERE-s kjo kategori zë më pak se 25 % të konsumatorëve familjarë.
Përgatiti: Blerina Hoxha
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.