KESH lëshon alarmin e borxheve, kurse CEZ-it i duhet të ulë humbjet, duke investuar. Sakaq, ERE përpiqet të ruajë ekuilibrat, por sektorit i nevojitet më shumë se kaq
Muajt e qetësisë në sektorin energjetik u turbulluan shpejt pas përfundimit të zgjedhjeve. Një raport rutinë i Entit Rregullator të Energjisë (ERE) mbi sistemin e shpërndarjes, për 6-mujorin e parë shkaktoi jo pak polemika, nxitur nga një debat politik mbi menaxhimin e sektorit.
Me ardhjen në krye të “CEZ Shpërndarje” të një administratori shqiptar, pasi shteti mori në dorë drejtimin e kompanisë, gjendja nisi të ndryshojë, që siç thotë dhe vetë Sahit Dollapi, në intervistën për “Monitor”, nga gjendja e komës, u ringrit deri në nivele optimale, duke vlerësuar se “gjendja me sektorin nuk është e pashpresë”.
Dy janë problemet që shqetësojnë sektorin energjetik të sistemit të shpërndarjes: humbjet dhe borxhet. Këto të dyja, parametrat negativë morën në qafë çekët e CEZ-it, të cilët u dorëzuan përballë një morie problemesh. Borxhet e akumuluara ndaj CEZ janë rreth 360 milionë dollarë, kurse ndaj KESH janë afro 450 milionë dollarë, sipas pretendimit të drejtorit të korporatës, Halit Velaj. Nga ana tjetër, kemi një nivel humbjesh, mesatare si 6-mujor në rreth 46 për qind, në një kohë që duhet të ishin të paktën nën 25 për qind.
Ende edhe sot diskutohet nëse gjendja e shkaktuar i atribuohet njerëzve që drejtojnë apo sistemit të ngritur ndër vite. Sot që flasim, KESH-it i kanë qindra milionë dollarë borxhe, kurse korporata i ka me miliona dollarë HEC-eve lokale. Këta të fundit ua kanë bankave. Pra, shihet një efekt zinxhir. KESH fajëson CEZ-in si kompani, duke u nisur nga e përgjithshmja, bazuar mbi bilance, por kompania e shpërndarjes së energjisë thotë se po mundohet të punojë në katër drejtime paralelisht: arkëtime, humbje, borxh dhe importe. Nga pak me secilën, Dollapi ka përmirësuar treguesit, por nuk mjaftojnë. Pse? Ndoshta duhet rishikuar sistemi i llogaritjes së tarifave, duhet liberalizuar më tej tregu, ndoshta nevojitet një nivel tarifash sipas kategorive të konsumatorëve, duhet krijuar kultura e pagesës, duke nisur nga vetë institucionet shtetërore, apo duhet me pak fjalë të rishikohet Modeli i Tregut, në të kundërt duhen parë gabimet te menaxhimi, te personat. Çekët me përvojë nuk arritën të zgjidhnin problemet, për “1001 arsye” dhe ikën, duke thënë se “ky vend, me këtë mentalitet, nuk bëhet”. Atëherë çfarë duhet ndryshuar?
Ekspertët e opozitës, që nesër do të qeverisin vendin për 4 vjet, thonë me të madhe se nevojiten reforma të mëdha, por nuk japin me detaje, ose të paktën të tregojnë një element se si do ta realizojnë zgjidhjen njëherë e mirë të sektorit, që jo vetëm gërryen xhepat e konsumatorëve me një shërbim jo fort cilësor, por nga ana tjetër, edhe buxhetit i ka shkaktuar jo pak probleme financiare, ku edhe këtu përsëri të ndëshkuar kanë qenë taksapaguesit.
Janar-maj 2013
Arkëtimet
Në kategorinë “Familjarë”, arkëtimet u rritën nga 47.8% në 82.6%. Në kategorinë “Privatë”, arkëtimet u rritën nga 76% në 91%. Në kategorinë “Buxhetorë”, arkëtimet u rritën nga 24% në 98.4%. Në kategorinë “Jobuxhetorë”, arkëtimet u rritën nga 12% në 50.5%
Borxhet
Shlyerja e detyrimeve në total është rreth 184 milionë USD, ku 120 milionë ishin detyrime të vjetra, që i përkasin 2011-2012, ku prioritet ka qenë shlyerja e detyrimeve të vjetra e të reja ndaj KESH e OST, të cilat morën përkatësisht 63 milionë dhe rreth 19 milionë
Importi
Është bërë e mundur edhe shlyerja e detyrimeve të vjetra për importin, në shumën e afro 35 milionë USD. Nga janari dhe deri tani, nuk është akumuluar asnjë borxh për energji importi dhe se të gjitha detyrimet prej rreth 14 milionë USD janë shlyer në kohë, thotë Dollapi
INTERVISTA
Sahit Dollapi, administrator i “CEZ Shpërndarje”, në një intervistë për Monitor tregon situatën dramatike dhe masat e marra
Tre shtyllat e ringritjes nga “koma”!
Pas shkrimit të botuar numrin kaluar nga Revista Monitor, me titull “Muajt e CEZ-it shqiptar”, ku jepej ecuria e CEZ në bazë të një raporti të publikuar nga Enti Rregullator i Energjisë, drejtori i CEZ, Sait Dollapi flet në një intervistë për Monitor, për sfidat e tij në drejtimin e kompanisë problematike.
Mund të na thoni çfarë vështirësish hasët në fillimin e menaxhimit të kompanisë dhe cilat ishin problemet kryesore?
Për ata që janë jashtë sistemit dhe nuk njohin problematikën e këtij sektori strategjik, gjendjen e kompanisë, më 21 janar 2013, më duhet ta përkufizoj, që në fillim, si ekstremisht pesimiste, por jo të pashpresë. Përse ekstremisht pesimiste? Sepse po merrja nën administrim një kompani, e cila kishte zhgënjyer besimin dhe pritshmëritë si të autoriteteve shtetërore, ashtu edhe të konsumatorëve shqiptarë. Pra, do të duhej të drejtoja një kompani në kuotat më të ulëta të saj morale dhe financiare, emri i së cilës shkaktonte reaksion negativ te qytetarët. Por përse e konsideroja gjendjen jo të pashpresë? Unë e kisha drejtuar këtë kompani deri në privatizimin e saj dhe e kam dorëzuar në kuotat e saj më të larta historike. Isha i bindur, dhe këtë bindje e konfirmova plotësisht shumë shpejt, se kompania ishte keqmenaxhuar. Pra, CEZ Shpërndarje kishte nevojë vetëm për menaxhim efikas, për përkushtim dhe për ndershmëri. Në këto tri shtylla e kam bazuar punën për ringritjen e kompanisë. Ndërhyrja duhej të ishte energjike dhe e menjëhershme, sepse në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë kishte mungesë të furnizimit me energji elektrike për periudha të gjata kohore në 186 zona. Defektet që nuk riparoheshin në kohë ishin një shqetësim tjetër madhor, që linin pa energji me mijëra qytetarë në ditë. Shkaqet kryesore të këtyre problemeve, që kërkonin zgjidhje emergjente ishin organizimi i gabuar i strukturës piramidale të kompanisë, mungesa e theksuar e bazës materiale (magazinat ishin pothuajse bosh), si edhe mungesa e investimeve në rrjet. Ndërhyrjet kërkonin fonde, por, kur kompania u kalua në administrim të përkohshëm shtetëror, llogaritë e saj monetare në bankat e nivelit të dytë ishin pothuajse të gjitha të bllokuara. Kjo do të thotë se ishin pezulluar transaksionet financiare të shoqërisë, duke bërë të pamundur që CEZ Shpërndarje të ekzekutonte detyrimet ndaj të tretëve, duke nisur nga sigurimi i shërbimeve më elementare deri tek shërbimi i printimit dhe shpërndarjes së faturës mujore për konsumatorët. Problemi tjetër madhor, mes shumë problemeve të tjera teknike dhe administrative, ishte borxhi i lartë i mbartur. Deri më 31 dhjetor 2012, sistemi kishte të regjistruar një borxh prej 36,247,009,208 lekë ose rreth 360 milionë USD. Dhe këtu nuk ishin përfshirë ato detyrime të vitit 2012, ende të pafaturuara dhe të papasqyruara në sistem për shkak të mungesës së rakordimit. Kjo situatë, që unë po e përmbledh vetëm në këto tri drejtime kryesore, ishte tronditëse dhe veprimet duhet të ishin të mirëllogaritura, në mënyrë që kompania të mos binte në koma dhe sistemi të mos binte në kolaps.
Çfarë ka ndryshuar te shoqëria CEZ gjatë 5 muajve nën drejtimin tuaj, pra si periudhë shkurt-qershor?
Veprimi i parë që do t’i siguronte kompanisë oksigjenin e nevojshëm ishte ngritja nga e para e një strukture organizative eficente, që do të thotë: rivendosja e kontrollit në të gjithë territorin, administrimi dhe kontrolli i fuqisë punëtore, marrja e masave emergjente për përmirësimin e furnizimit të konsumatorëve me energji elektrike, përcaktimi i targeteve për nivelin e humbjeve dhe arkëtimeve për muajt në vijim, përmirësimi i situatës financiare të CEZ Shpërndarje. Po i trajtoj një nga një. Brenda dy muajve të parë, ne ia dolëm, bazuar mbi strukturën e re, që decentralizon vendimmarrjen dhe u jep drejtorive rajonale mundësinë të jenë të shpejta dhe efikase në veprim, pra, ia dolëm, që të stabilizojmë situatën e furnizimit me energji elektrike. Natyrisht, që defekte kishte, por ne ishim aty në kohën më të shkurtër të mundshme, duke shfrytëzuar me kapacitetet më të larta të gjitha asetet e kompanisë, që nga kabllot deri te transformatorët. Kjo mënyrë menaxhimi e shoqërisë dha efektin e saj të menjëhershëm në vendosjen graduale të besimit mes kompanisë dhe qytetarëve. Arkëtimet filluan të rriten dhe humbjet u zvogëluan. Ecuria e arkëtimeve për periudhën janar-maj 2013 tregon se në kategorinë “Familjarë”, arkëtimet u rritën nga 47.8% në 82.6%. Në kategorinë “Privatë”, arkëtimet u rritën nga 76% në 91%. Në kategorinë “Buxhetorë”, arkëtimet u rritën nga 24% në 98.4%. Në kategorinë “Jobuxhetorë”, arkëtimet u rritën nga 12% në 50.5%. Treguesi në total i arkëtimeve, i pandarë sipas kategorive, është rritur nga 51% në muajin janar në 84.3% në muajin maj. Edhe treguesit e humbjeve në rrjet janë përmirësuar. Natyrisht që nuk janë ende në parametrat e duhur, por po ecim sipas objektivit. Kështu, nëse në janar 2013, humbjet ishin në nivel katastrofik, 51% pas 5 muajsh, pra, deri në maj 2013, humbjet janë 40%. Përmirësimi i treguesve financiarë na dha mundësinë të kryenim disa investime të domosdoshme për të përmirësuar shërbimin ndaj konsumatorëve për sa i përket furnizimit me energji elektrike. Këto investime u përqendruan kryesisht në zonat bregdetare, në mënyrë që të mos përsëritej situata e patolerueshme e ndërprerjes së energjisë gjatë sezonit turistik, siç ndodhi dy vitet e fundit. Investimet kanë një shtrirje gjeografike nga Veriu i Adriatikut në Koplik, Velipojë e Shëngjin, zbresin në zonën e frekuentuar të Shkëmbit të Kavajës duke shkuar poshtë në Jug, në të gjithë zonën e Bregut nga Himara në Lukovë dhe duke përfunduar në Ksamil. Është një investim prej rreth 6 milionë USD, që siguron jo vetëm furnizimin me energji të zonave turistike, por edhe garanton cilësinë e tij. 6 milionë USD nuk janë një shumë domethënëse për një kompani si CEZ Shpërndarje, që është edhe kompania më e madhe në vend, por, më duhet të theksoj se këto investime, bashkë me disa ndërhyrje të tjera, janë kryer brenda një kohe shumë të shkurtër ose e thënë ndryshe janë të barabarta me investimet e kryera gjatë tre vjetëve, kohë në të cilën kompania ishte nën administrim privat. Tani, le të vijmë tek pika tjetër nevralgjike, situata financiare e kompanisë. Ju thashë që gjeta një situatë tronditëse, me një borxh rreth 360 milionë dollarë, pa përfshirë këtu disa detyrime të tjera të pallogaritura ende, kur unë mora detyrën. Tani, mund t’ju them se për periudhën janar-qershor 2013, shlyerja e detyrimeve në total është rreth 184 milionë USD. Nga këto janë 120 milionë USD shlyerje të detyrimeve të vjetra, që i përkasin periudhës 2011-2012 dhe janë rreth 60 milionë të tjera shlyerje detyrimesh të reja për vitin 2013. Një nga prioritetet e mia ka qenë shlyerja e detyrimeve të vjetra dhe të reja ndaj KESH dhe OST, të cilave CEZ Shpërndarje u ka likuiduar, përkatësisht, rreth 63 milionë USD dhe rreth 19 milionë USD. Gjatë kësaj periudhe, bazuar në menaxhimin eficent të kompanisë, është bërë e mundur edhe shlyerja e detyrimeve të vjetra për importimin e energjisë në shumën e rreth 35 milionë USD. Jam i kënaqur t’ju bëj me dije se që nga janari dhe deri tani, nuk kemi akumuluar asnjë borxh për energji importi dhe se të gjitha detyrimet prej rreth 14 milionë USD janë shlyer në kohë. Këta janë disa nga treguesit shpresëdhënës se vetëm duke ndjekur këtë ritëm pune me tolerancë zero ndaj çdo abuzivizmi, CEZ Shpërndarje do të mund të shlyejë të gjitha detyrimet dhe do të mund të jetë kompani me financa të shëndosha dhe me standarde të larta shërbimi. Duke pasur këtë si të vetmin objektiv, nga janari deri në maj, kam bërë të mundur të ul në mënyrë drastike shpenzimet e kompanisë, nga rreth 19 milionë USD shpenzime jo rentabël për periudhën janar-maj 2012, me rreth 8 milionë USD në të njëjtën periudhë për vitin 2013, pra, duke kursyer 11 milionë USD.
Humbjet
Nëse në janar 2013, humbjet ishin në nivel katastrofik, 51% pas 5 muajsh, pra, deri në maj 2013, humbjet janë 40%
Ju keni pasur në të kaluarën eksperiencë me drejtimin e sistemit. Mund të na thoni se cilat janë sfidat e këtij sektori, që për hir të së vërtetës i ka shkaktuar qeverisë, por edhe konsumatorit jo pak probleme te kostot? Pra, cilat janë rrugët që u japin zgjidhje përfundimtare problemeve?
Është ndërkombëtarisht e njohur dhe e provuar teoria se, në ditët e sotme, pa një sistem të shëndetshëm energjetik, nuk mund të ketë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. CEZ Shpërndarje është një hallkë nevralgjike e funksionimit të këtij sistemi në Shqipëri. Duke qenë i vetëdijshëm për rëndësinë strategjike të shpërndarjes së energjisë, e konsideroj rikthimin e kompanisë në parametra normalë prioritet të të gjitha prioriteteve. Shtyllë kurrizore e këtij misioni të vështirë, por të arritshëm, është ulja e humbjeve dhe rritja e arkëtimeve, duke bërë investimet e duhura në zona problematike, duke bërë investimet e duhura në përdorimin e teknologjive të reja dhe, veçanërisht, duke bërë investimet e duhura te burime njerëzore, që janë aseti më i madh i kësaj kompanie. Besoj se jemi në rrugë të mbarë dhe po hedhim hapa të sigurt drejt rimëkëmbjes së kompanisë. Jam i bindur se, nëse do të vazhdojmë me këtë standard pune, nuk do të jetë e largët dita, kur CEZ Shpërndarje të krahasohet me kompanitë simotra, më të suksesshme në Europë!
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.