“Energjia diellore ul çmimin që paguhet nga biznesi me 6-8 lekë, ja kujt i leverdis”

02/05/2018 11:51 AM 0 komente

Elton Çekrezi, administrator i kompanisë Euro Elektra

 

Çdo biznes që sot paguan 14 lekë/kwh energjinë që merr nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike mund të ulë dukshëm faturën e tij, nëse do të shfrytëzonte energjinë diellore. Administratori i kompanisë Euro Elektra, Elton Çekrezi, tregon për “Monitor” se përgjithësisht ulja do të luhatej mes 6-8 lekë. Kjo sigurisht do të reflektohej në një faturë energjie shumë më ekonomike.

Kthimi i investimit, sipas Çekrezit, bëhet për 5-7 vite. Sigurisht nëse energjinë e siguroni për një çmim më ekonomik prej 9.5 lekësh siç është ai i përcaktuar për konsumatorët familjarë, impiantet kanë kthim të investimit në një afat më të gjatë, por në finale rezultojë fizibël. Duke pasur parasysh që jetëgjatësia e tyre shkon deri në 25 vjet.

Një vit pas miratimit të ligjit për burimet e energjisë së rinovueshme si e shihni situatën në treg, sigurisht e orientuar më shumë tek fotovoltaikët?

Një vit pas miratimit të ligjit, le të themi që është thyer barriera e parë që ka të bëjë me skepticizmin që shoqëron çdo gjë të re në treg. Tregu fotovoltaik është pothuajse i pazhvilluar në Shqipëri dhe normalisht është pak më e vështirë për t’u kuptuar. Biznesi vazhdon të shfaqë skepticizëm për përfitimet që vijnë nga implementimi i teknologjive fotovoltaike, por vlen për t’u përmendur se dëshira për t’u informuar ka ardhur në rritje dhe në këndvështrimin tim, është zhvillim pozitiv.

Kam parasysh që menjëherë pas miratimit të ligjit, pati vërshim aplikimesh pranë institucioneve megjithëse në dijeninë time, një pjesë e dokumentacionit të dorëzuar prej tyre ka qenë e përgatitur në mënyrë autodidakte dhe jo e studiuar sa duhet, për vetë faktin se përvoja e Shqipërisë në këtë aspekt është minimale. Vlen të përmendet se një pjesë e këtyre aplikimeve janë bërë për zona që vërtet kanë potencial energjetik në këtë sektor, por duhet të shohim sesi do të jetë rezultati.

Dua të shtoj se kuadri ligjor është i hapur për çdo grup interesi që dëshiron të bëhet pjesë e kësaj nisme: duke nisur nga konsumatorët e thjeshtë, tek bizneset që duan të ulin faturën e tyre të energjisë e deri tek ata që duan ta kenë investimin në energjinë diellore, si një qëllim të pastër biznesi duke e përqendruar te prodhimi dhe shitja.
Ligji ka përcaktuar gjithashtu që, nëse ndokush arrin që të marrë lejen por nuk respektojnë afatet për arsye të ndryshme: financiare, teknike apo teknologjike, atëherë leja pezullohet automatikisht. Kjo nënkupton që mundësia reale ju jepet atyre që duan realisht të investojnë, duke korrigjuar atë që ndodhi me hidrocentralet ku lejet merreshin dhe pastaj thjesht komercializoheshin si të tilla.

Ju thatë që kemi rritje të interesit, por cilat profile biznesi shihni si më të interesuara në këtë drejtim?

Informimi në rritje dita-ditës ka bërë që të fillojë të kristalizohet mënyra e funksionimit të një investimi të tillë dhe bizneset e para që kanë shfaqur interes më të dukshëm janë bizneset fasone, agropërpunim apo turizëm, të cilat jo vetëm që kanë mundësi financiare, por edhe e kanë bazuar këtë ide mbi vlerësime teknike që vlerësojnë realisht përfitimin e tyre ekonomik.

Nga ana tjetër, bizneset që duan të bëjnë investime me synim prodhimin e energjisë dhe shitjen e saj janë biznese të mëdha, të cilat zotërojnë kapital të konsiderueshëm për të mbuluar garancinë në masën 20% të vlerës së investimit, të cilën ua përcakton ligji. Ky lloj interesi është shfaqur përgjithësisht në bashkime kompanish nën një projekt të vetëm, çka i lehtëson ato nga aspekti i kapitalit dhe financimit.

Sot po kuptohet gjithmonë e më shumë potenciali që ka Shqipëria në aspektin e prodhimit të energjisë nga dielli e cila mbi të gjitha mund të shërbejë edhe si një balancuese shumë e mirë përkundrejt energjisë hidrike. Zhvillimi i të dyjave do të mundësonte që të shmangeshin situata importesh të larta, të cilat shfaqen kryesisht në periudhat e thatësirës gjatë muajve të verës dhe të cilat mund të shmangen në masë të konsiderueshme nëse ky potencial diellor i shtuar gjatë kësaj periudhe shfrytëzohet për të kompensuar nevojat e brendshme energjetike të vendit.
Hapja e bursës së energjisë është një tjetër faktor avantazhues për investitorët, i cili nëse realizohet, iu jep mundësinë prodhuesve dhe konsumatorëve të marrin më të mirën që siguron kjo lloj konkurrence.

Mendoj se dinamika e zhvillimeve në prodhimin e energjisë nga fotovoltaikët do të ndryshojë sapo të konkludohen edhe dy-tri hapa që nuk kanë përfunduar tërësisht si janë: ‘net metering’ dhe metodologjia. Jam i bindur që nëse përmbyllen me sukses edhe hapat e sipërpërmendur, zhvillimet që do të shohim do të jenë të dukshme për të gjithë. Por ajo që dëshiroja të theksoja në këtë pjesë është kujdesi që duhet të tregojmë ne, si një vend pa përvojë në këtë aspekt.

Qytetarët dhe investitorët duhet të investojnë në produkte të sigurta, të kontrolluara që vijnë nga kanale zyrtare dhe nga marka të besueshme, pasi jemi duke folur për investime afatgjatë. Nëse paratë do të hidhen për produkte “no name”, gjasat janë që kthimi i investimit të jetë shumë i gjatë dhe akoma edhe më keq, i dështuar. Duke qenë se trendi global po orientohet gjithnjë e më shumë drejt diversifikimit të burimeve të energjisë, në treg nuk mungojnë marka ndërkombëtare, të cilat sjellin produkte shumë cilësore që mundësojnë siguri, rendiment të lartë dhe kthim të shpejtë të investimit. Ndaj, sugjerohet që teknologjia e përdorur në projekte fotovoltaike qofshin këto për konsum familjar ose industrial t’i përkasin 2-3 viteve të fundit.

Në dijeninë tuaj, sa rrezikohet tregu shqiptar nga produktet jocilësore?

Ashtu sikurse e kam përmendur edhe më herët, tregu europian sot ka kompani që vuajnë pasojat e investimeve joserioze dhe kanë produkte të mbetura apo me defekt serie. Futja e tyre në Shqipëri do të na përsëriste skenarin e HEC-eve. Praktikisht i bie të bësh një investim të dështuar. Tendenca globale është drejt produkteve më inovative dhe efikase dhe ai i famshmi ROI (Return on Investment) është gjithmonë elementi kyç që kërkohet për të optimizuar produktin dhe çmimin.

Cilës kategori biznesi do t’ia rekomandonit investimin në impiante fotovoltaikë?

Investimin në fotovoltaik do t’ia rekomandoja çdo biznesi që sot paguan tarifën 14 lekë pa TVSH, sepse llogaria është e thjeshtë. Për shembull, nëse gjatë gjithë vitit paguan një faturë prej 100 mijë lekë çdo muaj, me një total 1.2 milionë lekë në vit, për një periudhë 5-vjeçare vlera arrin një total prej 6 milionë lekësh. Me një llogari të thjeshtë, ti mund të reduktosh faturën tënde aktuale dhe të investosh te vetja. Me kthimin që ka ky investim ty të duhen 5-7 vjet dhe pastaj mund të kesh energjinë “falas”.

Domethënë sipas jush, është fizibël që të instalohen panele për çdo biznes që paguan 14 lekë?

Për çdo kategori ka leverdi, por 14 lekëshi është më përfaqësues. Prodhimi i energjisë nga panelet fotovoltaike e redukton tarifën në masën 6-8 lekë/kwh. Ndërsa për target-grupin që energjinë e paguan me 9 lekë, periudha e kthimit nga investimi shkon 8-9 vite dhe është më e lartë se periudha e kthimit të investimit të kategorisë së mëparshme.

Cilat janë zonat që kanë më shumë leverdi për të investuar në këtë profil?

Shqipëria është një vend që kategorizohet sipas hartave europiane dhe botërore, si një zonë me potencial të konsiderueshëm në energjinë diellore, por këto investime nuk mund të bëhen pa realizimin e disa komponentëve të rëndësishëm si: infrastruktura rrugore, investimi në rrjetin e shpërndarjes etj.
Fieri është kthyer në mit si vendi me rrezatim më të lartë, megjithëse nuk është e vetmja zonë. Panelet diellore nuk kanë nevojë për rrezatim të lartë, por për temperatura të mira gjatë viteve. Një ndër zonat që e përmbush këtë kriter është zona e kodrave të Kaninës që kanë rrezatim shumë të mirë, të orientuar në jug me ajrimin e duhur. Panelet do të sillnin rendiment më të lartë këtu sesa në fushën e Karavastasë, ku temperaturat janë më të larta. Panelet kanë një veçori: kur rriten temperaturat, ato e ulin prodhimin pavarësisht rrezatimit që kanë. Por për t’iu përgjigjur pyetjes suaj në fillim, zonë e leverdishme për të investuar konsiderohet gjithë pllaja adriatiko-joniane.

Çfarë duhet të bëhet më mirë për ta nxitur këtë sektor?

Kur kuadri ligjor të jetë i plotësuar dhe të hapë rrugë për investimet, duhet të vendoset fokusi më shumë në krijimin e partneriteteve me palët e interesit, ku përfshihen bankat, kompanitë e konsulencës, investitorët potencialë dhe operatorët që ofrojnë produktet.
Lobimi për të gjetur mënyrën e duhur të bashkëpunimit mes të gjithëve do të sillte një efekt zinxhir në realizimin e projekteve më të mira, financimeve të garantuara dhe të leverdishme nga ana e bankave dhe ekspertizën më të mirë që duhet ta marrim nga jashtë, pasi ne si Shqipëri nuk i kemi. Zbatimi me sukses i një modeli të tillë në vend dhe ngritja e një standardi europian padyshim që do të ishte hapi më i rëndësishëm që hidhet në këtë sektor.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of