Energjia, duhen 50 milionë euro. Thatësira prek buxhetin e shtetit

17/07/2017 11:55 AM 0 komente

Shqipërisë do t’i duhet të shpenzojë të paktën 50 milionë euro të tjera për të blerë energji elektrike nga importi gjatë dy muajve të ardhshëm.

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare dhe Operatori i Shpërndarjes kanë bërë bilancin e situatës energjetike në vend, duke listuar dhe skenarët për muajt në vijim.

Sipas tyre, vendi është i detyruar të ruajë importet masive të energjisë, të paktën edhe për periudhën gusht-shtator, pasi rezerva hidrike është në nivele minimale.

Por edhe shifra prej 50 milionë euro mund të mos jetë e mjaftueshme. Nëse situata hidrike nuk përmirësohet, atëherë importet e mëdha do të vazhdojnë edhe për tetorin e ndoshta edhe më mbrapa.

Kjo do të ketë pasoja direkte për buxhetin. OSHE ka shpenzuar sakaq 18 milionë euro për të blerë energji në korrik. Fatura prej 50 milionë eurosh që duhet të shpenzojë për dy muajt e ardhshëm do të thante plotësisht buxhetin e saj, përfshirë atë të KESH.

Kjo do të thotë se dy kompanitë publike mund të sigurojnë energjinë elektrike me fondet e tyre deri në fund të shtatorit. Për çdo sasi që do të nevojitet pas kësaj periudhe kostoja do të paguhet nga buxheti i shtetit.

Të dhënat zyrtare tregojnë se në 6 muajt e parë të vitit prurjet energjetike kanë qenë 40 për qind më të ulëta se sa mesatarja 10-vjeçare.

Si rezultat, niveli i Fierzës gjendet aktualisht në kuotën 270 metra, ose mbi 15 metra më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë.

/ Top Channel

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz