Energjia, qeveria jep sërish para

16/10/2017 9:40 AM 0 komente

Qeveria do të shpenzojë fondin rezervë të buxhetit për t’i dhënë borxh Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim, i cili autorizon Ministrinë e Financave të japë 1 miliardë lekë, ose 7.5 milionë euro në formën e një huaje afatshkurtër për OSHEE.

Sipas vendimit, paratë do të përdoren për të blerë energji nga importi për muajt nëntor dhe dhjetor. Sipas burimeve nga OSHE, për të përballuar konsumin vendas deri në fund të vitit nevojiten të importohen rreth 500-600 mijë megavat energji.

Në vlerë monetare, kostoja llogaritet rreth 30 milionë euro, që do të thotë se pjesa tjetër e parave do të përballohet nga fondet e vetë OSHE-s.

Që prej fillimit të verës,  Shqipëria po përballet me një situatë të vështirë energjetike si pasojë e mungesës së reshjeve.  OSHE dhe KESH deri tani kanë shpenzuar rreth 100 milionë euro për të importuar energji, pjesa dërrmuese e të cilave është financuar nga fondet e kompanisë së shpërndarjes.

Por, shpenzimet e larta kanë tronditur financat e të dyja kompanive. Në korrik, qeveria u detyra të ndryshojë me urgjencë buxhetin e shtetit duke paguar 22.5 milionë euro për të shlyer kreditë e marra nga KESH dhe OSHEE.

Me vendimin e fundit, mbështetja totale e buxhetit për kompanitë energjetike shkon në rreth 30 milionë euro. Megjithatë Ministria e Financave thotë se paratë e dhëna për sektorin e energjisë nuk e rrezikojnë buxhetin e shtetit.

/ Top Channel 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz