Publikim i Artikullit të Sponsorizuar

Energy Expo & Forum 2018, Biznesi 1.7 miliardë dollarë, mundësi investimi në asete në energji

06/10/2018 9:28 PM

Energy Expo & Forum 2018Biznesi 1.7 miliardë dollarë, mundësi investimi në asete në energji

Sektori energjetik në vend po përkufizohet në vitet e fundit nga një reformim total i lidhur jo vetëm me modelin, por edhe me prioritetet e zhvillimit. Viti 2018 ka mbajtur sërish vëmendjen te burimet e rinovueshme të energjisë, eficencën, procesin e liberalizimit, si dhe gjithë efektin zinxhir që njëra hallkë përcjell te tjetra. Të gjitha këto u bënë pjesë e diskutimit në “Energy Expo & Forum 2018”, edicioni i dytë i tij, i organizuar nga Expocity Albania. Në fjalën e saj të hapjes, Aida Lutaj, CEO i Expocity Albania, duke u uruar mirëseardhjen të pranishmëve në event, theksoi se Expocity vijon që t’i qëndrojë idesë se Tirana i ka të gjitha mundësitë për t’u kthyer në një qendër të organizimit të eventeve dhe takimeve B2B sektorialë. “Duke marrë shkas nga suksesi i vitit të shkuar, si dhe zhvillimeve gjithnjë e më dinamike në sektor, edhe këtë vit, fokusi është te burimet e rinovueshme, eficenca e energjisë, si dhe aspektet e tjera të lidhura me to”, – tha znj. Lutaj. Ajo nënvizoi se “Energy Expo & Forum 2018” sjell në një mjedis të vetëm aktorët kryesorë të tregut, konsulentë, vendimmarrës, duke ofruar kështu jo vetëm një panoramë të qartë të risive teknologjike, por edhe potencialeve për investim dhe masave mbështetëse në funksion të rritjes.

Në të njëjtën linjë ishte edhe zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Dorina Çinari, e cila në fjalën e saj përshëndetëse për aktivitetin theksoi se qeveria shqiptare ka miratuar vizionin 2030 për zhvillimin e sektorit të energjisë. Ky vizion ka si pjesë të tij zhvillimin e burimeve kombëtare të energjisë, që çon në një sistem rajonal të integruar dhe të diversifikuar të bazuar në parimet e tregut, i aftë për të përmbushur kërkesën për energji dhe për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë, duke garantuar sigurinë dhe cilësinë e furnizimit, sigurimin dhe mbrojtjen e mjedisit, ndryshimet klimatike dhe rritjen e mirëqenies me kosto minimale.

“Objektivi ynë është reduktimi i importeve me 32% deri në 2030, rritja e penetrimit të eficencës së energjisë duke kursyer 15% deri në 2030. Rritja e përdorimit të burimeve të rinovueshme të energjisë deri në 42% të konsumit total deri në 2030. Hapja e tregut të energjisë deri në hapje totale deri në 2025-n,  penetrim gazi deri në 20% kundrejt totalit të energjisë primare  deri në 2030. Kemi objektiva të rëndësishëm që kërkojnë investime dhe gjithë kjo paketë do të kushtojë rreth 5 miliardë dollarë ku vetëm 1.7 miliardë dollarë do të jenë investime në asete dhe në këtë pikë ftoj gjithë investitorët që t’i shtohen kësaj ambicieje”, tha Çinari.


Nga ana tjetër, Arbër Avrami nga “Albgaz”, vlerësoi organizimin e “Energy Expo & Forum 2018” duke e cilësuar atë si një organizim që u shërben debateve që janë sot në sektor mbi burimet e rinovueshme dhe eficencën dhe sigurinë energjetike. “Shqipëria ka burime energjie të rinovueshme dhe kjo është pozitive por politikat e zgjuara kërkojnë që këto politika të jenë të diversifikuara për të garantuar atë që quhet siguri. Për t’i shërbyer këtij qëllimi, qeveria shqiptare ka krijuar kompaninë Albgaz”, tha Avrami. Ai nënvizoi se kompania ka fokus të investojë në infrastrukturë. Por, sipas tij, fokusi do të jetë edhe në burime njerëzore dhe për këtë po asistohet nga kompania italiane SNAM. “Avantazhi i vendit tonë, Shqipërisë, është se projekti i gazsjellësit TAP, i jep mundësi që të jetë nyje lidhëse në rajon, edhe më tej me projektin IAP, ndërlidhja rajonale bëhet më e fortë”, – tha z. Avrami.

Nikolin Jaka, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, gjatë fjalës në aktivitet, ftoi sipërmarrjen të bëhet pjesë aktive e investimeve në këtë sektor. “Unë u bëj thirrje të hapur sipërmarrjes që si gjithmonë është një hap para politikave dhe strategjive, të jetë prezentë, sepse Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm në këtë sektor. Po të bëjmë një analizë më të hollësishme, Shqipëria vazhdon të lëngojë në mungesën e eficencës së energjisë, një sektor i paeksploruar dhe i pazhvilluar në Shqipëri por, nga ana tjetër, ne vazhdojmë të lëngojmë edhe në ofertat alternative që sot tregu i energjisë i ofron sipërmarrjes private në veçanti, por pse jo edhe qytetarit në përgjithësi. Duke e parë këtë si një mundësi të artë, edhe kalimin e rrjetit të gazit që kalon në Shqipëri, ne duhet jo vetëm ta shfrytëzojmë por edhe ta kalojmë në eficencë reale për sipërmarrjen private”, tha Jaka. Në ceremoninë e hapjes ndanë mendime lidhur me zhvillimet e fundit të sektorit disa nga partnerët e rëndësishëm të Energy Expo & Forum 2018 si Longi, Euroelektra (Sun Power) dhe Novamat, të cilët dhanë detaje të rëndësishme mbi zhvillimet që ka sot sektori energjetik në botë, tendencat e tij, risitë dhe inovacioni, si dhe potencialet që paraqet Shqipëria si treg investimi.

Longi, Wu Linyong: Duam të zgjerohemi në Shqipëri, energjia nga dielli, e ardhmja

Një ndër emrat më përfaqësues në Expo-Forumin e këtij viti është kompania Longi. Përfaqësuesi i saj Wu Linyong u shpreh se kompania kërkon të zgjerohet tashmë në Shqipëri, duke pasur parasysh politikat e qeverive për energji të pastër.

“Sistemi global i energjisë po lëviz shumë pranë transformimeve më të mëdha teknologjike drejt prodhimit të një energjie me karbon të ulët, për shkak të arsyeve që lidhen me ndryshimet klimatike që ka pësuar bota, kryesisht gjatë shekullit të 21. Për të zhvilluar dhe për të nxitur sa më shumë përdorimin e energjisë së pastër, shtetet në botë kanë arritur konsensusin dhe kanë ndërmarrë masa të ndryshme. Si në Kinë, ashtu edhe në vende të tjera. Për të arritur një proporcion, një përqindje sa më të lartë të energjisë së rinovueshme, sigurisht që janë ndjekur strategji shumë të mëdha.


Siç propozohet edhe në planin e 13-të 5-vjeçar pra përqindja e prodhimit të energjisë jofosile, kryesisht në konsumin primar të energjisë deri në 20% deri në vitin 2030. Që do të thotë një rritje vjetore me 8% brenda 25% brenda 25 viteve. Për të arritur këtë qëllim, Kina ka nevojë për 780 gigavat energji të rinovueshme. Instalime dhe prodhime që arrijnë deri në 19 mijë Gigavat që është 27% e gjithë prodhimit të energjisë deri në vitin 2030. Energjia e rinovueshme tashmë luan rol shumë të rëndësishëm që nga viti 2015 dhe që atëherë dhe kështu deri më tani, përdorimi i kësaj energjie arrin 2/3 e kapacitetit të prodhimit të energjisë në tërësi deri në vitin 2016. Ndërmjet shumë alternativave të burimeve të rinovueshme tashmë yllin kryesor e mbajnë panelet fotovoltaike. Vitin e kaluar, kapaciteti i paneleve fotovoltike të instaluara në botë është rritur me 37% duke arritur deri në 102 gigavat. Kina zë më shumë se gjysmën e këtij zgjerimi me 53 gigavat. Longi, kompania që unë përfaqësoj, është një lojtar kyç në këtë industri dhe është i angazhuar që në këtë epokë të re të paneleve fotovoltike të jetë një nga format më dominuese të energjisë. Longi është prodhuesi numër në sistemin PV solar. Rreth 400 megavat shkon fuqia e stacionit të ri të PV që ka nisur punën e tij pak kohë më parë dhe është stacioni më i madh që njeh deri në 220 megavat prodhim energjie. Shqipëria gjithmonë ka pasur një komunikim shumë të mirë dhe marrëdhënie shumë të mirë me Kinën. Longi do të donte të bashkohej me Shqipërinë në mënyrë që të prodhojmë energji të pastër dhe të besueshme”, tha Linyong

Novamat, Krasniqi: Tetë fusha operimi, ja projektet ku jemi angazhuar

Përfaqësuesi i kompanisë Novamat, Mehmet Krasniqi, u shpreh gjatë forumit të energjisë se tregu shqiptar është një treg në rritje dhe falë kësaj edhe kompania që ai drejton ka një fokus të veçantë në disa fusha, ku një pjesë e mirë e lidhur direkt me energjinë. Ai nënvizoi se Novamat e ka përqendruar vëmendjen e saj në projekte që mblidhen me hidrocentrale, Termocentrale, Biomasa, Nënstacionet energjetike, rafineritë, ujësjellës-kanalizime, miniera, fusha të naftës. Ndër të tjera, ai solli në vëmendje projekte ku kompania është angazhuar konkretisht duke nisur nga rehabilitimi dhe rinovimi teknologjik në pesë agregate të hidrocentralit të Vaut të Dejës, një kontratë kjo trevjeçare që ka nisur në vitin 2017 dhe që ende vijon. “Voth dhe Novamat kanë filluar punën me qëllim realizimin e kësaj kontrate me çelësa në dorë. Hapat e parë që janë ndjekur për realizimin e saj konsistojnë në hartimin e një projekti të detajuar teknik”, tha Krasniqi, i cili shpjegoi se synimi është angazhimi edhe në projekte të reja serioze.

EuroElektra, Çekrezi: Pse energjia nga dielli ka leverdi për biznesin

Net metering duket se është ngërçi që mban sot për sot “peng” një pjesë të investimeve në fotovoltaikë. Aktualisht, matësi me dy kahe që bën balancën për konsumin dhe energjinë e hedhur në rrjet nuk ka të miratuar plotësisht pjesën që lidhet me metodologjinë duke bërë kështu që investimet potenciale të mbeten në pritje. Drejtori ekzekutiv i kompanisë, EuroElektra, Elton Çekrezi, nënvizoi se miratimi i kësaj hallke pritet që t’i japë një tjetër dinamikë zhvillimit të sektorit sidomos investimeve në biznese, të cilët shohin një leverdi të lartë.

“Njohja me aspektin teknik të kësaj çështjeje më jep mundësinë të them se nuk ekziston asnjë pengesë reale për implementimin e teknologjisë fotovoltaike në rrjetin aktual elektroenergjetik shqiptar. Kemi fatin të kemi një potencial të rrezatimit diellor nga 1300 deri në 1500 orë në vit (ndër më të lartat në rajon) e cila rrit potencialin e prodhimit të energjisë dhe si rrjedhojë, shkurton procesin e kthimit të investimit. Një rast konkret për të dëshmuar këtë të fundit është impianti i instaluar prej nesh në Vilën Pascucci në Durrës, e cila kaloi pritshmëritë tona, me rreth 1600 orë rrezatimi optimal diellor për vitin 2017. Personalisht jam shumë besimplotë që aprovimi i këtij ligji është thjesht çështje kohe dhe e ardhmja e këtij sektori është premtuese për Shqipërinë. Ne në EuroElektra, aktualisht po bashkëpunojmë me specialistë ndërkombëtarë të ndërtimit të parqeve fotovoltaike për të ruajtur standardin dhe ekspertizën e tyre dhe për të mbuluar të gjitha shërbimet të përfshira, duke nisur që nga studimi, projektimi dhe deri te zbatimi dhe monitorimi i vazhdueshëm i parametrave energjitikë të impianteve”.

“Statkraft po diversifikon portofolin, tani interes edhe te dielli dhe era”Drejtori Menaxherial i Devoll Hydropower, Tom Kristian Larsen

Një ndër investitorët më të mëdhenj në sektorin energjetik Statkraft, duket se do të shkojë drejt diversifikimit të portofolit të investimeve në Ballkan, përfshirë Shqipërinë, duke mos qëndruar vetëm te hidrocentralet. Strategjia e re e kompanisë ka dhënë një orientim drejt burimeve të reja. Drejtori Menaxherial i Devoll Hydropower, Tom Kristian Larsen, një kompani nën zotërimin e norvegjezëve të Statkraft, tha për “Monitor” se kompania po sheh me vëmendje mundësitë e investimit si dhe masat mbështetëse që do të jepen për të nxitur këto sipërmarrje. Ai nënvizoi se ende hidro mbetet atraktiv, për shkak të çmimeve të shumicës, si dhe hendekut që ekziston mes investimeve reale dhe nevojës.

Së pari, a mund të kemi një mendim të përgjithshëm për sektorin e energjisë në Shqipëri. Ku ndodhet sot ky sektor?

Mendoj se sektori po rritet dhe po vijon këtë tendencë që në fakt përkufizon gjithë rajonin. Çmimet këtu në tregun e shumicës janë ende mirë dhe kjo është pjesërisht për shkak të hendekut që ekziston me nevojën reale për investime. Pra ka ende nevojë për investime në këtë sektor. Kjo nuk është vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin. Është një shenjë pozitive për investitorët, shihet si një tregues për hapësirë për investime të reja. Shqipëria është në një pozicion unik, pasi ka ende potencial në hidro. Është bërë shumë në këtë aspekt por ka ende hapësira. Edhe në terma të burimeve të tjera të energjisë së rinovueshme si energjia diellore apo nga era, shihet potencial. Shqipëria, por edhe vende të tjera të Ballkanit, kanë qenë të qarta në objektivin e tyre të rritjes dhe po lançojnë masa të ndryshme mbështetjeje në mënyrë që të mundësojnë që këto investime të shkojnë drejt konkretizimit. Shqipëria po përpiqet të jetë më e hapur për investime të reja dhe fokusi duket se është energjia diellore.

Statkraft deklaroi se në strategjinë e vet të zgjerimit do të diversifikojë portofolin e investimeve në tërësi në vendet ku është e pranishme, përfshirë edhe Shqipërinë?

Statkraft po rritet dhe sidomos ka një fokus të ri tek energjia nga era. Në Britaninë e Madhe ka në operim prej vitesh një projekt të madh të kësaj kategorie. Po investojmë dhe po ndërtojmë një park eolik të madh në Norvegji. Po eksportojmë edhe te pjesa e diellorit në disa vende të botës si në Indi, ku kemi blerë një kompani që po rritet shpejt, sidomos në solar, dhe do të vijojmë të rritemi aty përmes kësaj kompanie. Në Brazil, po shohim mundësinë për energjinë diellore, por edhe në Ballkan përfshirë Shqipërinë. Po shohim edhe energjinë diellore dhe iniciativat që do t’i jepen këtij sektori. Statkraft, referuar strategjisë, parashikon që të investojë një shumë të konsiderueshme deri në vitin 2025, për diversifikimin e burimeve. Janë tre fusha ku mund të rritemi në Ballkan. Është uji, era dhe dielli dhe në të tria kemi interes. Për të gjetur mundësi të reja në hidro është e vështirë, pasi ekonomia nuk është më aty sikurse ka qenë, por me mekanizmat e duhur mbështetës mund të ndodhë sërish. Varet gjithmonë nga termat. Ne jemi të pranishëm me projekte të rëndësishme siç është Moglica dhe do të thotë se e njohim tregun dhe kuadrin. Kjo do të thotë që mund të shohim mundësi të reja që kapacitetet që kemi, t’i angazhojmë diku tjetër në këtë moment.