Të flesh është luks
“Asnjë vend nuk është i plotë pa një kapsulë gjumi”. Këtë e thotë zëvendëspresidenti i shërbimeve në vendin e punës të Google. Kolosi i Mountain View është një ndër kompanitë që njeh rëndësinë e një pushimi të shkurtër për mirëqenien e punonjësve dhe përmirësimin e produktivitetit.
Nëse urtësia popullore e kulturave mesdhetare e ka këshilluar gjithnjë rëndësinë e një dremitje gjatë ditës – prej disa vitesh, kolosët e industrisë e kanë institucionalizuar dhe madje e kanë sjellë edhe në zyrë. Shumë kompani kanë adoptuar kapsulat për gjumë EnergyPod të MetroNaps. Bëhet fjalë për mjete të teknologjisë së lartë, që kushtojnë 13 mijë dollarë secili.
Si funksionojnë
EnergyPod, që janë krijuar posaçërisht për vendin e punës, ju lejojnë të qëndroni shtrirë dhe të keni njëfarë intimiteti. Sfera mbron fytyrën dhe një pjesë të kraharorit nga sytë e të tjerëve, mjafton që të shtriheni dhe të përcaktoni kohën se sa do të flini, pasi altoparlantët përhapin tinguj relaksues në mënyrë që të çlodheni. Kolegu që dëshiron të përdorë EnergyPod, mund të shohë se sa kohë i ka mbetur nga zgjimi atij që po e përdor, duke parë timer jashtë kapsulës.
Ora e alarmit
Pak para orarit të zgjimit të programuar, EnergyPod nis të përhapë tinguj në mënyrë që të zgjoheni në mënyrë sa më pak dramatike. Dhe të rinisni të punoni.
Të personalizueshëm
Kapsulat bazë janë në ngjyrë të bardhë dhe gri, por sipas dëshirës mund të personalizohen në çdo ngjyrë për t’ju përshtatur sa më mirë ambientit të zyrës.
Klientë prestigjiozë
Në faqen e internetit të kompanisë shkruhet se janë instaluar qindra EnergyPod në zyra, spitale, universitete dhe qendra fitnesi në qindra vende. Arianna Huffington e cila drejton ‘Huffington Post’ foli për një rezistencë në fillim, e cila tashmë është kapërcyer.
“Kur nisëm të krijojmë dhoma për gjumin, njerëzit hezitonin t’i përdornin ato. Tani, kemi nevojë të krijojmë një dhomë të tretë”.
Burimi: Corriere della Sera