Përse njerëzit i krijuan robotët? Teknologjia lindi nga dëshira e njerëzve për të kursyer kohë, që ta investonin atë në imagjinatë.
Falë teknologjisë, ne kemi më shumë kohë dhe hapësirë për aktivitete që na bëjnë më njerëzorë: krijimtarinë, sipërmarrjen, zbulime. Ajo na shërben nëpërmjet lehtësimit të vuajtjeve dhe gjetjes së zgjidhjeve për t’u rritur dhe për të përmbushur qëllimet tona – nga shërimi i kancerit tek dëshira për të zbarkuar në Mars.
Niçe ka thënë njëherë e një kohë se gabimi më i shpeshtë i njeriut është se harron qëllimin e tij. Për këtë motiv, përballë automatizimit, shumë i tremben një “apokalipsi Matriks”. Në anën tjetër, ka nga ata që i gëzohen, ndoshta me shumë entuziazëm, premtimeve të Inteligjencës Artificiale, shpesh duke injoruar rrezikun e delegimit të vendimeve tek organizmat, procesi i të mësuarit dhe logjik i të cilave është edhe më i vështirë për t’u deshifruar.
Sot, potenciali i Inteligjencës Artificiale varet nga limitet që i kanë vënë vetë zhvilluesit e saj. Duke qenë se Inteligjenca Artificiale është gjithnjë e më e përhapur në ditët tona, është e rëndësishme të fokusohemi te detyrat dhe përgjegjësitë që duhet të mbajmë në epokën e robotëve.
NJË MARRËVESHJE SOCIALE PËR INTELIGJENCËN ARTIFICIALE
Që tani, robotët janë superiorë ndaj qenieve njerëzore në fushën e llogaritjes dhe kujtesës. Në të njëjtën kohë, përdorimi i Inteligjencës Artificiale është një zgjedhje njerëzore – politike e sociale. Inteligjenca Artificiale është më e aftë se njeriu në llogaritjen e trafikut, parashikimin e përhapjes së një epidemie dhe menaxhimin e energjisë në mënyrë eficente, por çështjet që analizon dhe gabimet që manifeston për t’i zgjidhur ato janë trashëguar nga projektuesit e saj: Ne.
Evolucioni dhe përhapja e Inteligjencës Artificiale është gjithashtu një çështje e së drejtës civile. Ne kemi zhvilluar norma dhe ligje për të luftuar diskriminimin social dhe ekonomik, përdorimin e lëndëve narkotike dhe armëve, ose më thjeshtë kufizimet e shpejtësisë. Në të njëjtën kohë duhet të përcaktojmë rregulla për drejtimin e makinave me vetëdrejtim.
Çfarë kriteresh duhet të kemi parasysh kur zgjedhim se cilat vendime t’ua delegojmë robotëve?
Për çdo Inteligjencë Artificiale që bëhet më e sofistikuar duhet të ketë një komunitet qytetarësh që të vlerësojë qëllimin social dhe përdorimin e saj.
STANDARDE TË REJA PËR NJË EPOKË TË RE
“Besojini instinktit tuaj” është një këshillë që ka limitet e saj: mundësia që të marrë vendime të drejta i ngjan pak a shumë hedhjes së një monedhe. Me fjalë të tjera ka gjithnjë një hendek midis veprimeve tona dhe të kuptuarit se si ne vendosim t’i kryejmë ato. Përpjekja për t’i shpjeguar është në rastin më të mirë një thjeshtëzim i procesit tonë të të menduarit dhe të mos menduarit. Ndaj nuk duhet të habitemi nëse disa procese të të mësuarit të trurit janë po aq të mistershme brenda kontekstit të Inteligjencës Artificiale.
Kjo nuk do të thotë të dorëzohemi përpara të dhënave të tilla, e as që të heqim dorë nga inovacioni apo të kufizojmë ndërmarrjen e rreziqeve të nevojshme për ta çuar përpara atë. Kërkohet zhvillimi i normave dhe instrumenteve të reja për të kontrolluar zhvillimin teknologjik.
Një Komision për Inteligjencën Artificiale, për shembull, do të kishte të drejtën të vlerësonte se sa janë të shpjegueshme dhe transparente proceset vendimmarrëse të robotëve. Pse të mos organizohen rregullisht kompeticione mes robotëve për të kuptuar gabueshmërinë – ose për të testuar aftësinë – në të njëjtën mënyrë siç ndërmarrim teste stresi për bankat?
NJERËZ TË PËRSHTATSHËM PËR TEKNOLOGJINË
Giuliano Toraldo, një fizikan italian, ka thënë dikur: “Kemi nevojë të krijojmë teknologji që të përshtaten për njerëzit dhe të jemi njerëz të përshtatshëm me teknologjinë”. Zgjodhëm të krijojmë robotë për t’u specializuar në avantazhet tona unike njerëzore. Ky duhet të jetë hapi i parë që duhet t’i kujtojmë vetes. Hapi tjetër është të përgatitemi për momentin në të cilin do të duhet të angazhohemi seriozisht në një dialog të përditshëm me Inteligjencën Artificiale.
Tingëllon si fantashkencë? Smartphone-t janë një lloj zgjerimi i mendjes sonë, është një vazhdim thuajse konstant i trupit tonë. Kemi nevojë për një “filozofi të teknologjisë” që të na pajisë me një busull sjelljeje dhe morale në mjedise të pasura me teknologji. Duke qenë se Inteligjenca Artificiale është bërë pjesë e pandarë e jetës sonë publike dhe private duhet të vendosim të drejta dhe përgjegjësi për “qytetarinë njerëz – robot”.
Burimi: World Economic Forum