Si paraqitet Shqipëria në krahasim me fqinjët e vendeve të rajonit
Gjithçka po bëhet dixhitale dhe ndoshta është fjala më e dëgjuar e çdo dite. Kësaj vale zhvillimi duket se nuk i kanë shpëtuar as bankat kudo në botë, por edhe në vendin tonë.
Dixhital Banking, përfitimi i shërbimeve bankare nga distanca, pa u paraqitur në bankë, është përqafuar edhe nga bankat tona dhe secila ofron një variant të aksesit të bankës online 24 orë në ditë, në 7 ditë të javës.
Në vitet e fundit nuk flitet më për E-Banking (electronic banking), por është kaluar nga ky term tradicional në atë Dixhital Banking. Synimi është që gjithçka të bëhet nga distanca, duke kaluar nga kryerja e veprimeve të kufizuara online në kryerjen e çdo veprimi online.
Nëpër botë po bëhen gjithnjë e më të përhapur rastet e bankave të cilat operojnë vetëm online, pa pasur filiale për të pritur klientët.
N26 përbën një nga shembujt më të njohur të bankës virtuale, e shtrirë pothuajse në të gjitha vendet e Bashkimit Europian. Kjo bankë nuk ka degë të saj fizike, por të gjithë aktivitetin e kryen online.
Forma më e hershme e E-Banking në vendin tonë është tërheqja e parave nga ATM (Automated Teller Machine). Ndërsa mundësia për të kryer veprime bankare online nëpërmjet internet banking u ofrua për herë të parë në vitin 2002. Prej asaj kohe e në vijim, secila bankë në treg ka mundësuar për klientët forma të ndryshme shërbimi si: internet banking, mobile banking, SMS banking dhe telefon banking. Nuk kanë munguar edhe bashkëpunimet e bankave me operatorë të tjerë jobankarë, duke vënë në dispozicion të klientëve edhe forma të tjera për të vizituar bankën online, krahas atyre tradicionale.
Nëse shohim zhvillimet e dy viteve të fundit në tregun tonë, kjo mori kanalesh të aksesit të bankës online po zëvendësohet me platforma unike ku klienti zgjedh sipas komoditetit / prakticitetit të tij nëse dëshiron që bankën ta vizitojë nga kompjuteri (faqja e bankës) apo nga aplikacioni në telefon, po me të njëjtat kredenciale.
Nëse para disa vitesh, për të pasur një nga shërbimet e E-Banking duhej që klienti të paraqitej në bankë për të aplikuar, më pas të paraqitej për së dyti herë në bankë, për të marrë kredencialet e sigurisë, sot jepet edhe mundësia e aplikimit online, pa u paraqitur aspak në bankë dhe kredencialet e sigurisë merren nëpërmjet një mesazhi telefonik apo e-mail.
Mund të thuhet me siguri se platformat e dixhital banking të ofruara nga bankat në vendin tonë janë bashkëkohore, njëlloj të krahasueshme në funksionalitete, aksesim dhe paraqitje me ato të ofruara nga bankat në vendet e zhvilluara perëndimore. Çdo ditë e më shumë rriten vizitat e bankës online dhe kryerja e veprimeve të ndryshme direkt nga zyra, kafeneja apo shtëpia. Veprimet më të zakonshme të kryera në Dixhital Banking nga shqiptarët përfshijnë: kontrollin e gjendjes apo lëvizjeve të llogarisë, transferta të ndryshme, pagesa të faturave të energjisë elektrike, ujësjellësit apo tatimeve dhe rimbushja e krediteve të celularit. Më pak të përdorura paraqiten çelja e një depozite online, aplikimi për një kredi apo kartë etj…
Si paraqitet përdorimi në Shqipëri duke u krahasuar me fqinjët në Ballkan.
Të dhënat statistikore të pasqyruara përgjatë artikullit, siguruar nga faqet zyrtare të bankave qendrore respektive, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare dhe Banka Botërore vijnë në ndihmë në këtë drejtim.
Shifrat paraqiten pozitive sa i takon zotërimit të një llogarie dixhital banking, duke u renditur të katërt në rajon për vitin 2017. Edhe më pozitiv është treguesi i rritjes nga viti në vit (Tabela 2). Vendi ynë renditet i pari për rritjen e llogarive dixhital banking nga viti 2016 në 2017-n, ndërkohë që vendet e tjera kanë shënuar rritje më të vogël, apo kanë shënuar edhe rënie, si rasti i Maqedonisë dhe Malit të Zi.
Kjo mund të jetë rrjedhojë e platformave moderne të vëna në dispozicion të klientëve nga bankat në vendin tonë në dy vitet e fundit dhe marketingut më intensiv.
Si paraqitet shpërndarja e shërbimit në popullsi në secilin vend
Megjithëse ka shënuar rritje të mirë krahasuar edhe me vendet e rajonit duke u renditur e para për vitin 2017, nëse i referohemi treguesit të penetrimit në popullsi, vendi ynë renditet i fundit. Vetëm 11% e shqiptarëve kanë akses në bankën online.
A e përdorin Dixhital Banking ata që kanë akses në të
Nga viti në vit është shtuar numri i klientëve që pajisen me dixhital banking, por edhe i transaksioneve të kryera online prej tyre. Kështu megjithëse lëmë pas vetëm Malin e Zi për numër transaksionesh të kryera online (e kuptueshme kjo nisur nga popullsia e këtij vendi në raport me tonën), renditemi të dytët për rritjen nga viti 2016 në atë 2017 me 26%. Një shifër jo e mirë është edhe numri mesatar i transaksioneve për klient duke u renditur të parafundit.
Cilët janë përdoruesit më të mëdhenj të shërbimit në vendin tonë
Nga viti në vit vihet re një rritje e peshës së transaksioneve të kryera nga bizneset në dixhital banking. Kështu nga viti 2016 në atë 2017 shënohet një rritje me 14%. Është e dukshme që kjo kategori klientësh e ka kthyer në pjesë të rutinës së përditshme të punës kryerjen e transfertave online, pagesën e detyrimeve tatimore apo detyrimeve të tjera, duke kursyer kohë dhe duke reduktuar shpenzimet e lidhura me operacionet bankare.
Volumi i transaksioneve të kryera në dixhital banking
Tejet pozitive paraqitet rritja e volumit të transaksioneve të kryera nëpërmjet dixhital banking, duke u renditur të dytët në rajon (60%) në raport me vitin e kaluar. Ndërkohë që mbetet ende për t’u bërë në drejtim të volumit të kryer nga një përdorues. Kështu Kosova, me një numër më të vogël banorësh dhe llogarish dixhital banking, ka realizuar në vitin 2017 një volum transaksionesh online dy herë më të lartë se vendi ynë.
Ndryshe nga shifrat në numrin e transaksioneve, raportet janë në anën e Biznesit për sa i takon volumit. Kështu në të dyja vitet, janë bizneset ato që zënë peshën kryesore për volumin e transaksioneve online, duke shënuar rritje me 8%, rezultat i pritshëm ky.
Siç tregojnë edhe shifrat e mësipërme, Dixhital Banking ka marrë një hov zhvillimi të ndjeshëm në dy vitet e fundit, ku vendi ynë renditet në vend të parë për rritjen e numrit të klientëve që zotërojnë një llogari Dixhital Banking dhe të dytët për rritjen e numrit dhe volumit të transaksioneve. Ndërkohë që duhet të rritet më tej numri apo volumi i transaksioneve të kryera nga çdo përdorues. Rritja domethënëse e shifrave përgjatë kësaj periudhe nuk është e rastësishme, por një rol të rëndësishëm ka luajtur rritja e vëmendjes së bankave drejt Dixhital Banking.
Kjo mund të vihet re lehtësisht nga shifrat, por edhe aspekte të tjera:
• Teknologji dhe platforma moderne. Kalimi nga shumë kanale për të aksesuar bankën nga distanca në platforma unike, ku klienti zgjedh nëse do ta aksesojë nga aplikacioni në telefonin celular, apo nga faqja e bankës. Nëse do të vizitoni platformat Dixhital Banking të bankave të tjera në vendet e zhvilluara nuk do të vini re asnjë ndryshim me atë që ofrohet në vendin tonë. Mund të thuhet që investimet e bankave në këtë drejtim kanë qenë kolosale.
• Përfshirja në tregun e pagesave (transfertave, pagesave të utiliteteve etj…) edhe të operatorëve të tjerë jobankarë e ka rritur konkurrencën sa u takon këtyre shërbimeve, të cilat kanë një peshë jo të vogël për aktivitetin bankar. Në këtë mënyrë, rritja e konkurrencës e ka rritur cilësinë, duke e bërë më të lehtë kryerjen e një veprimi online dhe ka ulur edhe tarifat bankare që klientët duhet të paguajnë.
• Bankat kanë reduktuar ndjeshëm tarifat e transaksioneve të kryera online, apo në disa raste i kanë zeruar ato në raport me tarifën që duhet të përballojë një klient, nëse veprimin e kryen në një filial banke.
• Në dispozicion, klientët krahas tutorials/demove kanë edhe punonjës të specializuar, të cilët ofrojnë suport dhe asistencë edhe 24 orë në 7 ditë të javës, për çdo vështirësi apo problematikë që mund të ndeshet gjatë përdorimit të shërbimit.
• Janë krijuar zona vetëshërbimi, ku klientët mund të kryejnë çfarëdo lloj veprimi bankar: kontroll të llogarive, pagesa, transferta dhe tashmë edhe depozitim të parave në ATM në sajë të vendosjes së ATM të teknologjisë së fundit, të cilat pranojnë edhe depozitim. Disa banka kanë reduktuar numrin e degëve, duke i zëvendësuar ato me zona vetëshërbimi.
• Çdo klient individ mund të ketë shërbimin dixhital banking falas, pa asnjë lloj komisioni aplikimi apo mirëmbajtje. ndërkohë që për klientët Biznes aplikohen tarifa simbolike.
• Për të nxitur përdorimin nga bankat organizohen herë pas here fushata promocionale, lotari apo ofrohen bonuse të ndryshme.
Megjithëse kemi shifrat ndër më të mirat të rritjes në rajon, kemi tregues të ulët të përdorimit të dixhital banking.
Sipas të dhënave të Bankës Botërore, për vitin 2017, nga rreth 2.5 milionë banorë në moshë të rritur, vetëm 900 mijë (36%) prej tyre kanë të paktën një llogari rrjedhëse në bankë.
*36% e atyre që kanë një llogari bankare zotërojnë akses në Dixhital Banking, duke pasur në këtë mënyrë hapësirë të madhe për rritje.
*Duke abstraguar nga fakti që një person mund të ketë llogari Dixhital Banking në më shumë se një bankë.
Ndërkohë nëse u referohemi të dhënave të AKEP (tabela 8), janë mbi 2 milionë shqiptarë përdorues aktivë të telefonit celular me akses në internet dhe 72% e popullsisë kanë akses në internet nëpërmjet telefonit. Më i ulët paraqitet aksesi në internet nëpërmjet rrjeteve fikse vetëm 10%. Nisur nga këto shifra mund të thuhet se aksesi në internet dhe të pasurit e një pajisje elektronike për të lundruar në internet nuk është pengues për të aksesuar bankën online.
Përvoja e deritanishme e punonjësve në banka të ndryshme në vendin tonë në lidhje me qasjen që kanë klientët për Dixhital Banking, mund të përmblidhet:
• Janë të rrallë klientët që e kërkojnë vetë si shërbim dhe ato që e bëjnë janë kryesisht kompanitë. Procesi i zakonshëm është që punonjësi i bankës e informon klientin rreth mundësisë që veprimin të cilin është paraqitur ta kryejë në bankë, mund ta kryejë pa shumë mundim dhe më lirë direkt nga shtëpia.
• Neglizhencë, shprehja standarde që ndeshet më së shumti kur klientit i prezantohet shërbimi është “Nuk më duhet”.
• Vështirësi në përdorimin e parë, për t’u ardhur në ndihmë klientëve janë përgatitur tutorials/demo dhe është rutinë që klientët të udhëzohen herën e parë të aksesit të shërbimit.
• Ndjenjë pasigurie nëse e kanë kryer saktë një veprim. Jo rrallë, edhe pse veprimi është kryer online, klientët kërkojnë ta konfirmojnë edhe një herë që çdo gjë ka shkuar mirë, duke kontaktuar bankën. Kjo vjen duke u zbehur dhe klientët fitojnë siguri me rritjen e veprimeve të kryera online.
• Nevoja për të pasur një dokument të firmosur. Një pjesë e klientëve, megjithëse e pëlqejnë lehtësinë/komoditetin që ofron kryerja e një pagese apo transferte online, nuk e përdorin këtë alternativë, pasi preferojnë të kenë një dokument të firmosur nga banka. Shembulli më i përhapur është pagesa e detyrimeve të energjisë elektrike apo ujësjellësit, kur kërkohet një vulë në librezat përkatëse.
• Nevoja për të ndërvepruar me njerëz. Është një kategori klientësh të cilët me gjithë lehtësitë që ofron shërbimi, kursimin në kohë dhe para, preferojnë që çdo veprim ta kryejnë në bankë, pasi e konsiderojnë të nevojshëm kontaktin me një punonjës. Kjo i jep besim, siguri, socializim.
• Fillimisht, shërbimi përdoret në masë për të kontrolluar gjendjen e llogarive apo aktivitetin e llogarisë dhe me kalimin e kohës, pasi ndihen të familjarizuar, vetë klienti fillon të kryejë edhe transaksione.
• Frikë për sigurinë që ofron shërbimi. Kjo është ndër hezitimet që kanë në fillim një pjesë e klientëve kur i prezantohet shërbimi. Por, pasi i shpjegohet në detaje në lidhje me elementet e sigurisë, nuk e konsiderojnë më.
Trendi i treguar nga shifrat e mësipërme është pozitiv dhe duket se nuk kërkohet gjë tjetër veçse që bankat të vijojnë përpjekjet për ta masivizuar shërbimin dhe dëshira e klientëve për të përqafuar të renë.
Statistikat tregojnë për një nivel të lartë të përdorimit të rrjeteve sociale në vendin tonë, apo të përdorimit të aplikacioneve të komunikimit (Whatsup, Viber etj…). Andaj thjesht duhet shtuar një aplikacion më shumë në telefon, ai i Dixhital Banking krahas atyre të rrjeteve sociale apo të komunikimit dhe përdorimi i tij do të kthehet në rutinën e çdo klienti.
Bëhu Trendi, përdor Digital Banking!
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.