Ford Fiesta – Peugeot 208 – Toyota Yaris
Ta marr me naftë apo me benzinë? Në dilemën e përjetshme tashmëështë futur edhe një zgjidhje e tretë. Ja pse kemi vënë përballë njëra-tjetrës tre makina të vogla, që janë edhe eksponentët kryesorë të po aq shkollave motorike
Pasi kemi arritur në gjeneratën e dytë të Yaris Hybrid, e pajisur me një teknologji gjithnjë e më të përhapur, të besueshme dhe madje “popullore” (në aspektin e çmimit, por edhe të kërkesës së publikut, duke qenë se katër nga dhjetë Yaris të shitura janë me skemë hibride), menduam të vejmë përballë dy prej eksponentëve më të mirë të “shkollës së vjetër”: një Fiesta me benzinë dhe një 208 turbodiesel. Natyrisht, asnjëra nga të dyja nuk është e vjetër, përkundrazi. Motori Ecoboost i Ford është me plot zërin motori më i vlerësuar i viteve të fundit, ai që përfundimisht legjitimoi cilësitë e motorëve me tre cilindra, që më parë ishin sinonim i dridhjeve dhe zhurmave të pakëndshme, e që tani janë bërë të dëshirueshëm dhe argëtues edhe në vetura me përmasa më të mëdha. Ndërsa motori 1.6 e-HDi i Peugeot përfaqëson një tentativë të arrirë të mikro-hibridizimit, duke qenë se është i aftë të fiket automatikisht në shpejtësi të ulët, gjë që i ka çuar një hap përpara sistemet klasike Start&Stop. Në këtë provë krahasuese, makinat janë “rrahur” keqas, duke fshirë nga mendjet tona disa paragjykime dhe duke konfirmuar në pistë disa nga ndjesitë e perceptuara që në sekondat e para në timon. Para së gjithash le të shohim karakteristikat e tre modeleve.
MË PAK SE KATËR METRA
Për sa i përket përmasave dhe karakteristikave, Fiesta, 208 dhe Yaris janë shumë të ngjashme. Toyota fillimisht lindi disi e shkurtër, por me kalimin e kohës, gjeneratë pas gjeneratë, iu afrua katër metrave, duke ndjekur kështu këmba këmbës dy të tjerat. Tani prezantohet me fytyrën si “X”, e ngjashme me modelin më të vogël Aygo, e rinuar në pamje dhe e përmirësuar në shumë aspekte, para së gjithash në cilësinë e kabinës, sidomos të kroskotit. Festa, e prezantuar gjashtë vite më parë, është më e vjetra e grupit dhe në disa aspekte e ndjen pak moshën (veçanërisht për mungesën e një ekrani me prekje dhe për vetë përmasat e ekranit), por ristilizimi i fundit – i frymëzuar dukshëm në pjesën ballore tek makinat Aston Martin – i ka pëlqyer publikut dhe e konfirmon sërish në majë të klasifikimeve të shitjeve. 208, nga ana tjetër, vazhdon të habisë edhe pas dy vitesh për shkak të zgjedhjes revolucionare të vendosjes së timonit mjaft të vogël nën kuadrin e instrumenteve (zgjedhje e përsëritur edhe tek 308 dhe 2008). Megjithatë, makina vlerësohet shumë jo për shkak të kësaj gjetjeje origjinale, por për cilësinë e përgjithshme dhe performancat e mira. Ka diferenca të vogla në hapësirën brenda kabinës, disa litra më shumë a më pak në bagazh (pikë e dobët e francezes), por gjithsesi një çantë më shumë në bagazh nuk të bën të zgjedhësh një makinë krahas një tjetre. Pra, nëse do të kishim marrë në krahasim tre motorët 1 litërsh tradicionalë të ofruar për secilin model, do kishim një garë kokë më kokë, ku fitimtari do të dilte vetëm për shkak të ndonjë mangësie në sistemin multimedial apo mungese në kabinë të dy të tjerave. Përkundrazi, në këtë provëështë vënë në qendër pikërisht zgjedhja e motorit dhe cilësitë në drejtim që vijnë prej kësaj zgjedhjeje.
MË E EKUILIBRUARA
E kotë ti biem vërdallë. Fiesta 1.0 Ecoboost është një makinë me të vërtetë e mirë dhe në këtë krahasim i tregon vendin atyre që thonë se motorëve me benzinë po i vjen fundi. Me pak fjalë, ecën fort. Motori duket thuajse i fikur në minimum, por i rrit xhirot shpejt dhe disponon plot 170 Nm që në 1.400 xhiro, falë edhe turbos së vogël (krejt ndryshe nga motorët e aspiruar me cilindratë të mesme, ato që realisht janë të dënuar të mbeten prapa). Udhëtohet më ritëm të lartë edhe duke i ndërruar shpejt marshet. Vlerësohet marshi i dytë i gjatë, që mundëson një mbulim në pak sekonda të sprintit nga 0-100 km/h, duke kaluar më pas edhe direkt në marshin e katërt ose të pestë, nëse dëshironi të qetësoheni në fluksin e trafikut. Marshi më i lartëështë i pesti, por mungesa e marshit të gjashtë për udhëtimet në autostradë rrallëherë ndihet, madje vetëm në shpejtësi të palejuara nga Kodi Rrugor. Pikërisht, në 130 km/h motori punon në 3.000 xhiro, me një gumëzhitje të mbytur, që nuk bezdis brenda kabinës. Për t’u kujtuar se nën kofano gjendet një motor me vetëm tre cilindra, duhet të hutoheni dhe ta lini motorin t’i bien xhirot fare, si për shembull, në marsh të katërt me 40 km/h dhe 1.000 xhiro. Në këto raste dhe deri sa motori arrin sërish në xhiro mesatare, dridhjet nuk mungojnë. Në drejtimin e kësaj makine përftohet një ndjesi kompaktësie dhe sigurie, me timonin e shpejtë dhe të drejtpërdrejtë, që mundëson “pikturimin” e trajektoreve në një nivel krejt tjetër në krahasim me dy të tjerat. Konfigurimi i suspensioneve përfaqëson një kompromis veçanërisht të arrirë ndërmjet komfortit, dinamizmit dhe ekonomisë. Me disqe alumini 15″ (të ofruara në seri për versionin e pasur Titanium, kur tashmë disqet 16″ dhe 17″ ofrohen për të gjitha makinat e vogla), Fiesta konfirmon dhunti shumë të mira për kapjen me asfaltin dhe përgjigjet reaktive. Zhvendosjet e masave të kabinës janë tëulëta ndërsa përthithja e parregullsive të asfaltit është e vlerësueshme. E vështirë të gjendet më mirë në këtë kategori, sidomos duke marrë parasysh ekuilibrin e përgjithshëm. Për sa i përket konsumit, ky motor turbo benzinë arri shifra prej turbodiesel-i: mesatarja prek 16 kilometrat me 1 litër benzinë, por në rrugë ndërurbane bëhen lehtësisht 20 km/litër. Duke bërë një llogari të shpejtë, nëse marrim parasysh përshkueshmëritë dhe diferencën mes naftës dhe benzinës (rreth 15 lekë për litër), del se s’ka garë fare mes të dyjave: një Fiesta TDCi me 95 kf, për të njëjtin version, kushton 1.500 euro më shumë se Fiesta me Ecoboost. Për të rikuperuar ato para, duhet të arrini kuotën 75.000 kilometra, që nuk janë pak.
Domethënë, jemi përballë epilogut të motorëve të vegjël turbodiesel? Si gjithmonë, varet nga sa kilometra përshkohen. Nëse bëni më shumë se 12-13.000 km në vit, ja vlen të mendoni për njëturbodiesel. Por këtu hyjnë në lojë edhe faktorë të tjerë. Për shembull, nëse modeli i preferuar ka në gamë motorë turbodiesel të paparë dhe motorë me benzinë mediokër. Ky është rasti i 208.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.