E PERDITESUAR/ Më i penalizuar rezulton biznesi. Për bizneset në tensionin e ulët, rritja e tarifave është 16-30%. Psh, tarifa e energjisë për industrinë u rrit nga 10.5 lek/kvh në 14 lek/kvh, një shtrenjtim prej 33%…
Enti Rregullator i Energjisë (ERE) vendosi të mos rrisë çmimin e energjisë për operatorin e Transmetimit të Energjisë (OST). Bordi i ERE që është mbledhur në këto momente për të përcaktuar tarifat e reja të energjisë, njoftoi se nuk do të ndryshojë tarifat e transmetimit.
Operatori i Transmetimit ka kërkuar një rritje të tarifave në 10%. Operatorët e ndryshëm energjetikë i paguajnë OST-së 0.65 lekë për kilovat/orë të transmetuar në linjë, ndërsa propozimi i këtij të fundit është rritja në vlerë totale prej 0.71 lekë.
Por ERE vendosi të risë çmimin të prodhimit ndaj KESH duke e çuar në nivelin 1.45 lekë nga 1 lekë që është aktualisht. KESH ka kërkuar të mos ndryshohet tarifa për prodhimin e energjisë 1 lekë për kilovatorë, por rritje të tarifës së shitjes me shumicë, nga 2.2 në 3.48 lekë..
Enti Rregullator i Energjisë (ERE) vendosi që çmimi i energjisë për konsumatorët familjarë do të jetë 9.5 lekë nga 1 janari, më i ulët nga 10.6 lekë, që ishte çmimi i mesatarizuar i energjisë për konsumatorët më parë (7.7 leke/kvh për konsumin deri në 300 kvh në muaj dhe 13.5 lek/kvh mbi konsumin 300 kvh në muaj).
Bordi sqaroi se çmimi u miratua në këtë nivel pavarësisht se, mesatarja ndërmjet çmimit aktual poshtë 300 dhe konsumit mbi këtë çmimin është 10.6 kv. OSSHE kishte kërkuar që tarifa e shitjes me pakicë për familjarët të jetë 12.6 lekë, pasi ky nivel tarife përballon edhe kostot.
Më i penalizuar rezulton biznesi. Për bizneset në tensionin e ulët, rritja e tarifave është 16-30%, siç ishte paralajmëruar më parë dhe nga ERE dhe publikuar më parë nga Monitor. Psh, tarifa e energjisë për industrinë u rrit nga 10.5 lek/kvh në 14 lek/kvh, një rritje prej 33%.
Ulje ka pasur vetëm për furrat e bukës.
Çmimet e reja janë si më poshtë:
ERE, tarifa 9.5 lek/kwh e paracaktuar, surprizë vetëm tarifa e energjisë për biznesin
Enti Rregullator i Energjisë Elektrike pritet të mblidhet sot në mesditë për të vendosur miratimin e tarifave të rregulluara të energjisë elektrike për prodhimin, trasmetimin dhe shpërndarjen. ERE ka njoftuar në faqen e internetit axhendën e mbledhjes së sotme të orës 12 ku pritet të miratojë Planin e Investimeve për vitin 2015 të KESH sh.a, OST sh.a. dhe OSHEE sh.a.
Pas investimeve ERE do të miratojë edhe vendimin për Llogaritjen e Tarifave të Prodhimit të Energjisë Elektrike, të Shërbimit të Furnizimit me Shumicë, Transmetimit, Shpërndarjes dhe Shitjes me Pakicë të Energjisë Elektrike për Konsumatorët Tariforë për vitin 2015.
Mbledhja e sotme e ERE nuk pritet të ketë ndonjë suprizë për çmimin e energjisë për konsumatorët. Ashtu si kishte njoftuar Monitor në numrin 59 të datës 15 dhjetor 2014 çmimi mesatar i ponderuar ishte paracaktuar që para zhvillimit të seancës dëgjimore të ERE-së të datës 12 dhjetor 2014. (http://www.monitor.al/cmimi-i-energjise-rritja-vetem-per-biznesin/).
Një burim i ERE-s i tha “Monitor” gjatë seancës dëgjimore të 12 dhjetorit 2014 se, gjithsesi, një rritje çmimi do të ketë për bizneset për të përmirësuar situatën financiare të tre kompanive, ndërkohë që konsumatorët me konsum nën 300 kwh përgjithësisht do të kompensohen, ndërkohë që çmimi mesatar i ponderuar për konsumatorët e tjerë do të jetë mes 9.5-10 lekë për kilovat/orë.
Gjatë ditëve të fundit në ERE janë zhvilluar bisedime intensive me tre kompanitë por në mënyrë më të dendur me OSHEE për njohjen ose jo të disa shpenzimeve, kryesisht ato që lidhen me humbjet jo-teknike(vjedhjet) e energjisë. Burimet nga ERE thanë për “Monitor” se tarifa e energjisë do jetë 9.5 lekë/kilovatorë ndërkohë që supriza e vetme, siç kishte lajmëruar Monitor, lidhet me çmimin që do të paguajë biznesi sipas sektoreve, industrisë, tregtisë dhe shërbimeve dnërkohë që është lajmëruar se furrat e bukës do të kenë një çmim më të ulët.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.