Sipas studimeve, orari tradicional në punë, nga 9:00 deri në 5:00, është tashmë normë vetëm për një pakicë punonjësish.
Një sondazh i YouGov gjeti se vetëm 6% e personave punojnë në këto orë.
Thuajse gjysma e personave kanë punuar me orë fleksibël, me marrëveshje të cilat ndarja e punës, duke përfshirë dhe orët e punës, u lejonin atyre të manovronin me angazhime të tjera.
Anna Whitehouse, një aktiviste, kërkesa e së cilës për të punuar me orar fleksibël u refuzua nga punëdhënësi i saj, tha se ekzistojnë ende ide të gabuara për marrëveshje të tilla. Në rastin e saj, punëdhënësi e refuzoi kërkesën e saj për të pasur 15 minuta fleksibilitet në fillim dhe në fund të ditës, për t’i dhënë mundësinë për të çuar dhe për të marrë fëmijët nga kopshti.
“Ata e refuzuan kërkesën time pasi thanë se kjo do t’u hapte dyert njerëzve të tjerë që të kërkonin të njëjtën gjë”.
Znj. Whitehouse, autore dhe blogere e njohur si znj. Pukka, tha se refuzimi e detyroi atë të jepte dorëheqjen dhe të shkruante në blog për përvojën e saj.
“Njohuritë e mia janë në fushën e gazetarisë, kështu që nisa të shkruaj. Nuk jam një aktiviste, por pata një moment frustrimi dhe u rrëmbeva prej tij”. Që prej asaj kohe, ajo ka krijuar Flex Appeal, e cila ka si qëllim të bindë kompanitë dhe të eksperimentojë orarin fleksibël dhe t’i bëjë njerëzit të ndërgjegjshëm për të drejtën e tyre që të kërkojnë të punojnë më orar fleksibël.
“Nuk bëhet fjalë për prindërit, por për njerëzit. Shumë studime tregojnë se të punosh në orë fleksibël është më mirë për shëndetin mendor dhe produktivitetin”, – tha z. Whitehouse.
Shoqëria e sondazheve YouGov kreu një sondazh te më shumë se 4000 të rritur, nën mbikëqyrjen e rrjetit të fast-food, McDonald’s.
Çdo punonjës në Mbretërinë e Bashkuar ka të drejtën ligjore të kërkojë të punojë me orar fleksibël pas 26 javësh pune.
Kërkesa duhet të paraqitet me shkrim, duke deklaruar datën e kërkesës dhe nëse është bërë një kërkesë e mëparshme, edhe datën e asaj kërkese.
Kërkesat dhe ankesat duhet të merren në konsideratë dhe të vendosen brenda tre muajve nga data e marrjes së kërkesës. Punëdhënësit duhet të kenë një arsye të vlefshme për refuzimin e çdo kërkese.
Punonjësit kanë të drejtën të bëjnë vetëm një kërkesë në një periudhë 12-mujore.
Sipas një studimi, pjesa më e madhe e punonjësve me kohë të plotë, 37%, do të donin ta nisnin punën në orën 8:00 të mëngjesit dhe ta mbyllni atë në orën 4:00. Preferenca e dytë, për 21% të të intervistuarve, ishte ajo që puna të nisë në 7:00 dhe të përfundojë në orën 15:00.
Fleksibiliteti është i rëndësishëm për njerëz të çdo moshe dhe faze të jetës, duke përfshirë për shembull edhe prindërit dhe studentët.
Ata që punojnë me orë fleksibël thanë se kjo gjë kishte përmirësuar motivimin e tyre dhe i nxit ata që të qëndrojnë për një kohë më të gjatë në një punë.
Peter Cheese, drejtues ekzekutiv i Burimeve Njerëzore në CIPD (Chartered Institute of Personnel and Development), ka deklaruar se kompanitë të cilat janë të gatshme për të ofruar punë me orar fleksibël do të tërhiqnin një numër më të madh kandidatësh.
Por ai shtoi se “puna në orar fleksibël është ende në nivele të ulëta dhe pjesa më e madhe e vendeve të lira të punës nuk publikohen si mundësi e tillë”.
*Katie Hope
Burimi: BBC News