Pas kërkesës për dy vjet burg për sulmuesin brazilian, Neymar, hetimet janë fokusuar te llogaritë bankare të një ish-lojtari të Barcelonës, Samuel Eto’o, i cili rrezikon deri në dhjetë vjet burg.
Siç bën të ditur e përditshmja spanjolle El Pais, ish-lojtari i Barçës, Interit dhe Sampdorias, është në qendër të ciklonit të një hetimi të autoriteteve tatimore. Gazeta shkruan se kamerunasi nuk ka paguar 3,5 milionë euro taksa nga viti 2006-2009, kur luante me ekipin e Barcelonës. Nën hetim është dhe çështja e menaxhimit të të drejtave të imazhit të Eto’o për mospagesa taksash. Lojtari, i cili paguhej nga Puma 1,5-3 milionë euro në sezon, arrinte të shmangte pagimin e taksave, duke simuluar transferimin e të drejtave dy shoqërive fiktive të krijuara me këtë rast: Bulte 2002 dhe Tradesport. Nga ana e tij, Eto’o mbrohet duke ia hedhur fajin agjentit të tij, Josip Maria Mesalles.
Lojtari kamerunas rrezikon dhjetë vjet burg dhe 14 milionë euro gjobë. Ky nuk është lojtari i parë i cili ka luajtur me Barcelonën, me probleme në pagimin e taksave. Në qendër të hetimeve të autoriteteve spanjolle, përveç Neymar, kanë qenë edhe Lionel Messi, Javier Mascherano, gjithashtu dhe disa prej drejtuesve apo ish-drejtuesve të klubit katalanas.