Monedha e përbashkët ka vijuar tendencën rënëse dhe në tregun e brendshëm gjatë ditës së sotme. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 140.31 lekë, 0.17 lekë më pak se të premten e javës së kaluar.
Kriza e borxheve të euros, që “goditi” bursat në hapjen e tyre pas fundjavës po jep efektin dhe në forcimin e monedhës vendase. Euro ra më shumë se 2% kundrejt dollarit, për të humbur referencën e $1.10, duke arritur në nivelin më të ulët që nga 2 qershori. Por, më pas ka rifituar një pjesë të humbjes, duke u kërmbyer me $1.1075.
Në tregun vendas, euro po humb pikë prej mëse dy javësh radhazi, duke zbritur ndjeshëm nga niveli më i lartë i vitit prej 141.13, që u arrit në 12 qershor.
Në të kundërt, dollari është forcuar sot në tregun vendas, duke u këmbyer me 126.45 lekë, 1.04 lekë më shumë se në fund të javës së kaluar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.