Monedha e përbashkët ka humbur sërish pikë sot në tregun e brendshëm të këmbimit valutor, duke vendosur një tjetër rekord të ulët të këtij viti, ndërsa dhe dollari ka qenë në rënie.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 134.85 lekë, 0.14 lekë më pak se një ditë më parë, duke u nënçmuar për të tretën ditë radhazi.
Më e fortë ka qenë rënie e dollarit, që u nënçmua me 0.58 lekë, në 127.85 lekë.
Kjo lëvizje ka qenë e kundërt me tregjet ndërkombëtare, ku monedha e përbashkët është forcuar sot në raportet e këmbimit me dollarin. Euro u këmbye me 1.0548 USD, +0.12% më lart se një ditë më parë, ndonëse nervozizmi politik, që ndikoi tregtimet e monedhës së vetme ditët e fundit ishte ende I pranishëm. Një sondazh I fundit tregoi se Marine Le Pen ishte vetëm 10 pikë larg konservatorit Francois Fillon, por 22 pikë pas Macron, në raundin e dytë. “Ajo që kemi parë dje vonë dhe këtë mëngjes është një forcim i euros,” tha Karl Steiner, analist më SEB në Stockholm.
Edhe në tregun vendas, pohojnë aktorët e tregut, euro mbetet e dobët për shkak të ofertës së lartë për të, si nga bizneset që këmbejnë valutë për të paguar detyrimet, ku rolin më të madh e luan TAP, ashtu dhe nga valuta informale që po qarkullon në vend. Sidomos në tregun e pasurive të paluajtshme është verifikuar një rritje e shitjes së apartamenteve me para cash.
Ambasadori i ri i OSBE në Shqipëri, Bernd Borchardt, ka bërë mbrëmë një deklaratë të fortë në ora News, kur ka pohuar në “Tonight Iva Tare” thotë se “qarkullojnë më shumë se 2 miliardë euro para të pista”.
Një pjesë e kësaj paraje ka kaluar edhe në tregun e lirë, duke rritur ofertën për euro.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.