Pasi ka rezistuar për disa muaj, ndryshe nga tendenca e saj në tregjet ndërkombëtare, euro është dobësuar ndjeshëm në tregun e brendshëm gjatë muajit tetor, duke zbritur nën kuotën e 140 lekëve, ku kishte gjetur një ekulibër përgjatë këtij viti.
Të premten, një euro u këmbye me 139.13 lekë, duke arritur në nivelin më të ulët në gati tre muaj, që nga fundi I korrikut. Të hënën monedha e përbashkët këmbehej me 139.37 lekë, sipas kursit zyrtar të këmbimit të publikuar nga Banka e Shqipërisë.
Pas rënies së javës së kaluar, dollari ka fituar sërish pikë gjatë kësaj jave në tregun e brendshëm, duke u këmbyer të premten me 109.99 lekë, nga 109.21 që kuotohej në fillim të javës.
Pavarësisht se në bursa euro është këmbyer muajt e fundit pranë nivelit më të ulët në dy vite, si rrjedhojë e shqetësimeve për ecurinë e ekonomisë së eurozonës, në Shqipëri monedha e përbashkët qëndroi relativisht e fortë deri në fund të shtatorit, si rrjedhojë e kërkesës së lartë për të, duke u këmbyer mbi 140 lekë. Tetori solli nënçmim të saj, si rrjedhojë e dobësimit të kërkesës në tregun e brendshëm, sipas aktorëve të tregut.
Në tregjet ndërkombëtare, monedha e përbashkët u këmbye të premten me 1.2658 dollarë. Sheqetësimet se Europa do të kalojë në recesionin e tretë në gjashtë vitet e fundit dhe kërcënimi i deflacionit e kanë mbajtur monedhën e përbashkët të 18 vendeve në nivele të ulëta.