Euro në pikiatë në tregun vendas; A po ndikon politika e deuroizimit të BSH-së?

12/02/2018 4:45 PM 1 koment

Monedha e përbashkët europiane ka vijuar të nënçmohet edhe sot në tregun vendas. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro këmbehet sot me 133.01 lekë, duke arritur në nivelin më të ulët që nga fundi i vitit të kaluar.
Euro ra sot në tregun vendas për nëntën ditë radhazi, duke shënuar periudhën më të gjatë në zhvlerësim që prej qershorit 2017, kur monedha e përbashkët u nënçmua ndjeshëm në periudhën përpara zgjedhjeve të përgjithshme.
Teksa euro në bursa mbetet e fortë, duke u rritur sot lehtë për t’u këmbyer me 1.22 dollarë, faktorët që po ndikojnë në dobësimin e saj tek ne mbeten të brendshëm.
Ekspertët e argumentojnë rënien e euros me qarkullimin e ulët të lekut në ekonomi, duke thënë se shkurti ka shënuar minimumin vjetor të qarkullimit. Në kahun tjetër, oferta në euro vijon që të mbetet e lartë.
Një tjetër faktor që ka ndikuar në zhvlerësimin e euros në tregun vendas janë deklaratat e Bankës së Shqipërisë ndaj masave që do të marrë për de-euroizimin e ekonomisë. Sipas ekspertëve kjo mund të ketë pasur efekt psikologjik, pasi mbetet e paqartë se çfarë do të ndodhë. Banka e Shqipërisë ka bërë publike së fundmi disa masa që tentojnë të ulin përdorimin e euros në ekonomi, duke e bërë monedhën e përbashkët më të shtrenjtë në raport me përdorimin e lekut {psh, përcaktohet rritja e normës së rezervës së detyrueshme për detyrimet në valutë në nivelin 12.5% (ishte 10%), dhe ulja e saj për detyrimet në lekë në nivelin 7.5% (ishte 10%).}
Një efekt i parë, sipas konstatimeve të ekspertëve, është kryerja e transaskioneve të shit-blerjeve mes bizneseve në lekë, duke ulur automatikisht kërkesën për euro në vend.
Aktorët e tregut valutor presin që euro të bjerë edhe më tej në muajt në vijim. Referuar të dhënave historike të ecurisë së kursit të këmbimit, ata shtojnë se gjatë tre muajve të parë të vitit monedha e përbashkët kap nivelin më të lartë të këmbimit ndaj lekut. Prandaj raporti i këmbimit euro-lek bazuar tek trendi historik mund të jetë poshtë nivelit të 133 lekëve.
Për sa i përket monedhës së gjelbër, ka vijuar nënçmimi në vend, në mënyrë që të ruhen raportet e këmbimit në tregjet ndërkombëtare. Sot dollari këmbehet me 108.4 lekë sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë. Euro dhe paundi britanik kanë fituar pikë përkundrejt dollarit në tregjet ndërkombëtare.

1
Komente

avatar
1 Comment threads
0 Thread replies
0 Followers
 
Most reacted comment
Hottest comment thread
1 Comment authors
Rexhi Recent comment authors
  Subscribe  
newest oldest most voted
Notify of
Rexhi
Guest
Rexhi

Ndryshimi është më pak se 2% dhe kjo është pikiatë !!!