Monedha e përbashkët europiane ka shënuar ditën e dytë të forcimit të lehtë ndaj lekut. Një euro është këmbyer sot sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë në kuotën e 125.93 lekëve, 0.07 pikë më shumë se një ditë më parë.
Duket se monedha e përbashkët po stabilizohet në tregun vendas pas luhatjeve të forta.
Edhe dollari amerikan është stabilizuar në vend. Sot monedha e gjelbër ka ndalur rritjen në tregun vendas. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një dollar është këmbyer sot me 108.84 lekë, rreth 0.02 pikë më pas se një ditë më parë.
Për shkak të efekteve psikologjike, euro pësoi luhatje të mëdha në tregun vendas, duke u këmbyer në nivelin e 128.3 lekëve, që nuk e kishte prekur prej prillit të këtij viti. Më pas hyri sërish në trendin rënës (efekti sustë), ku për katër ditë radhazi humbi 2.5 pikë, ndërsa leku rifitoi sërish pozicionin.
Banka e Shqipërisë deklaroi në fillim të qershorit ndërhyrjen e jashtëzakonshme të Bankës së Shqipërisë duke tërhequr valutë nga tregu. Gjatë konferencës rajonale midis Guvernatorëve të Bankave Qendrore të rajonit, Sejko argumentoi këtë ndërhyrje me faktin që forcimi i lekut nuk po justifikohej më nga fondamente dhe se rënia e mëtejshme e euros po ndikohej për shkak të pritshmërisë të agjentëve të tregut valutor.
Në tregjet ndërkombëtare, monedha europiane po përjeton gjithashtu një periudhë të dobët. Zhvillimet politike, brenda Europës, por edhe përtej oqeanit, në SHBA, kanë lëkundur besimin ndër investitor. Sipas kursit të raportuar nga Financial Times, një euro po këmbehet me 1.15 dollarë, shumë pranë nivelit më të ulët të 12 muajve të fundit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.