Euro përmirëson kuotat e këmbimit me lekun prej forcimit në tregun ndërkombëtar

18/05/2017 3:06 PM 0 komente

Monedha e përbashkët euro forcoi sot pozitat e këmbimit me lekun. Një euro po këmbehet me 134.87 lekë, duke u rritur me 0.13 pikë në krahasim me një ditë më parë.

Euro është vlerësuar me 0.4 pikë që nga java e kaluar, kur monedha e përbashkët u këmbye me 134.3 lekë niveli më i ulët që nga viti 2009.

Ekspertët e këmbimit valutor pohojnë se rritja po vjen nga tregu ndërkombëtar, ku euro dy ditët e fundit është forcuar në këmbim me dollarin amerikan duke arritur nivelin e 1.11 nga 1.09 USD që kushtonte me datën 15 maj. Me shumë gjasë euro do të nënçmohet në dy vitet në vijim pasi kompanitë me datën 20 paguajnë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe këmbimet nga euro në lekë nisin qysh nesër.

Për këtë arsye gjithmonë me datën 20 monedha euro pëson një nënçmimin për shkak të këtij mekanizimi të tregut të brendshëm.

Edhe gjatë këtij viti kursi i këmbimit të lekut me euron ka qenë në një tendencë të vazhdueshme mbiçmuese, duke kulmuar në ditët e fundit të muajit dhjetor në nivelin 134.4, më i ulëti në pesë vitet e fundit dhe javën e kaluar me 134.3 lekë niveli më i ulat që nga 2009-ta.

Ekspertët e tregut pohojnë se arsyeja kryesore lidhet me ofertën e lartë për valutë në tregun vendas, nga burime të dukshme e të padukshme. Nga burimet e padukshme është valuta e lartë që qarkullon, ku nga masivizimi i fenomentit të hashashit, një pjesë e të cilës hyn në treg. Një tjetër faktor i padukshëm, sipas ekspertëve është që me afrimin e zgjedhjeve kanë filluar shpenzimet zgjedhore, që këtë vit po kryhen edhe në valutë, duke rritur ofertën për euro.

Ndërsa nga burimet e dukshme janë rritja e të ardhurave nga turistët, gjallërimi i lehtë i remitancave, rritja e lehtë e eksporteve (megjithëse kjo e fundit ka ardhur nga eksportet që tregtohen në dollar, si psh nafta), apo dhe kërkesa për monedhën vendase nga disa kompani të mëdha që përgatiten të paguajnë taksat, si psh TAP.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz