Euro u rrit në tregtimet aziatike të hënën, pasi sondazhet e opinionit treguan se Emmanuel Macron, kandidat i preferuar i investitorëve, ka të ngjarë të mundë Marine Le Pen, kreu i ekstremit të djathtë, në raundin e dytë të zgjedhjeve franceze, që do të mbahen pas dy javësh.
Macron, një centrist i cili përkrah tregjet e hapura dhe do që Franca të qëndrojë në BE, mori 23.8 për qind të votimit të raundit të parë të dielën, duke dalë përpara Le Pen që mori 21.7 për qind, sipas shifrave të ministrisë së brendshme franceze bazuar në 94 për qind të votave të numëruara .
Euro kërceu dy cent kundrejt dollarit amerikan, pasi rezultatet u konfirmuan, duke e çuar mbi 1.09 dollarë për herë të parë në pesë muaj. Euro pa fitime të ngjashme kundrejt valutave të tjera kryesore duke përfshirë yenin japonez dhe paundin britanik.
Bonot e thesarit të SHBA-ve u tërhoqën siç bënë edhe asetet e tjera tradicionale të sigurta, duke përfshirë arin, teksa investitorët brohorisnin rezultatet dhe ndjenja e lehtësimit u rrit. Rezultatet më herët të dielën kishin sugjeruar se zonja Le Pen ishte në krye.
Ari u hap më ulët, duke rënë 1,5 përqind në $ 1,266 për troy onz, para se të rimëkëmbej në $ 1,275.91.
Tregjet presin që z. Macron do të dalë qartë përpara zonjës Le Pen në votimin e raundit të dytë. Një anketë e hershme nga Ipsos të dielën tregoi 62 për qind mbështetje për z. Macron dhe 38 për qind për zonjën Le Pen.
Analistët në Société Générale thanë se euro është në rrugën e saj dhe aktivet e rrezikut dhe monedhat janë të lehtësuara tashmë nga perspektiva.
Perspektiva e zonjës Le Pen që të bëhej presidente ka qenë faktori më i dukshëm që ka ndikuar negativisht ndaj euros këtë vit, pavarësisht se monedha e përbashkët përkohësisht është mbështetur nga shenja se ekonomia e eurozonës më në fund po fiton forcë dhe se frika deflacioniste që dominonte në gjysmën e parë të vitit të kaluar është lehtësuar.
Shenjat e një ekonomie të përmirësuar, megjithatë, nxitën spekulime se Banka Qendrore Europiane mund të sinjalizonte fundin e programit të blerjes së obligacioneve dhe inkurajoi investitorët të zhvendoseshin në aksione evropiane.