Eurobond, 500 milionë euro. Shqipëria, në tregjet ndërkombëtare për hua

14/12/2017 9:33 PM 0 komente

Shqipëria mund të dalë sërish në tregjet ndërkombëtar që vitin e ardhshëm për të marr borxh përmes emetimit të një eurobondi të ri. Top Channel ka mësuar se qeveria mund të emetojë një eurobond me vlerë 500 milionë euro për të plotësuar nevojat e saj financiare.

Por shuma prej 500 milionë eurosh, që synohet të merret në tregjet ndërkombëtare nuk është e gjitha rritje borxhi. Pjesa më e madhe e saj do të shkojë për të zëvendësuar kreditë ekzistuese, që janë marrë me interesa më të larta, ose për të rinovuar borxhin që maturohet gjatë vitit 2018.

Shifra neto e borxhit që qeveria do të marrë për vitin e ardhshëm është 240 milionë euro ose 2 për qind e prodhimit kombëtar. Por, edhe pse qeveria do të marrë 240 milionë euro kredi të reja vitin e ardhshëm, borxhi publik i vendit do ulet nga 71.1 për qind në e prodhimit kombëtar këtë viti në 68.6 për qind vitin e ardhshëm. Kjo për shkak të rritjes të ekonomisë dhe inflacionit, të cilat zgjerojnë prodhimin kombëtar të vendit duke bërë që pesha e borxhit në ekonomi të ulet.

Strategjia e qeverisë për të marrë borxh në tregjet ndërkombëtar synon të zgjasë afatin e maturimit të borxhit, por edhe të ulë presionin në tregun e brendshëm duke i lënë para të lira bankave për të kredituar biznesin.

Megjithatë orientimi i huamarrjes në tregjet ndërkombëtare nuk është pa risk. Sipas ministrisë së financave, rritja e peshës së borxhit të jashtëm, rrit rrezikun e kursit të këmbimit dhe mund të bëjë presion për zhvlerësimin e lekut.

Top Channel

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of