Eurobono- emetimi :Shansi i ri i investimit për individët

27/03/2012 12:39 PM 0 komente

Një alternativë më fitimprurëse për investimin e kursimeve në euro për individët. Ata do të mund të marrin pjesë në ankandet e euroboneve që do të emetohen për herë të parë këtë javë nga Ministria e Financave.

Fitimi më i lartë se nga depozitat në euro

 

 

Nga depozitimi i kursimeve në euro në bankat shqiptare të nivelit të dytë, sot mund të fitohet mesatarisht 4-4.5% interes në vit. Tashmë individët kanë një tjetër mundësi për të fituar më shumë përmes blerjes së letrave me vlerë qeveritare në euro.

Burime nga Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë konfirmuan për Monitor se në ankandet e reja të emetimit të eurobonove do të jetë e mundur dhe pjesëmarrja e individëve. Norma e interesit do të caktohet nga kërkesë-oferta,

por gjithsesi ajo pritet të jetë të paktën 2 pikë përqindjeje më e lartë se e depozitave në euro. Pritet që në ankandin e parë, ajo të jetë diku mes 6-7%.

Burime nga Banka e Shqipërise pohojnë se individët që duan të blejnë eurobono (letra me vlerë të ngjashme me bonot e thesarit, por vetëm në valutë) nuk mund t’i blejnë ato

apo kryejnë veprimet direkt në Bankën e Shqipërisë (për bonot veprimet mund të kryhen dhe në Bankën e Shqipërisë), por në bankat e nivelit të dytë që janë të licencuara për këtë shërbim nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

Deri tani, individët mund të blinin bonot e thesarit në disa banka të licencuara si Raiffeisen, Intesa, BKT, Alpha etj. Shuma minimale për të marrë pjesë në ankandet e bonove të thesarit në lekë për individët është 300 mijë lekë,

ndërsa për eurobonet mund të jetë ekuivalenti i saj, diku rreth 2500 euro.

Ministria e Financave pohon se po punojnë me disa banka për të finalizuar procedurat që mundësojnë pjesëmarrjen e individëve në ankandet e eurobonove.

Blerja e bonove të thesarit është bërë një alternativë e rëndësishme investimi për individët gjatë viteve të fundit, të joshur nga normat rreth 2 apo tre pikë përqindjeje më të larta që ofrojnë këto letra me vlerë të qeverisë në krahasim me depozitat e bankave.

(rreth 10% e totalit të bonove blihen nga individë, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë)

 

Eurobonot

Qeveria, për herë të parë, do të dalë në tregun e brendshëm për të marrë borxh në valutë, duke emetuar eurobono, me vlerë 25 milionë euro. Ky veprim vjen si reagim ndaj tërheqjes për borxhin (eurobondin) 400 milionë euro,

që nuk u arrit të emetohej në tregjet ndërkombëtare, për shkak të krizës. Deri sa të qetësohen tregjet financiare, qeveria shqiptare hedh hapin e parë, duke dalë në tregun vendas më 28 qershor për ankandin e radhës.

Sipas njoftimit zyrtar nga Banka e Shqipërisë, data e ankandit do të jetë të hënën e kësaj jave dhe dy ditë më pas, të mërkurën, do të jetë procesi i emetimit, për një periudhë maturimi 9-mujor, që përkon më 30 mars 2011.

Aktualisht pjesa e BSH në këtë ankand do të jetë zero valutë për qeverinë, që do të thotë se 25 milionë euro është ofertë e vlefshme vetëm për bankat tregtare në vend.

 

Jo efekt në kursin e këmbimit

 

Hedhja në tregun vendas të eurobonoit vjen në një moment kur bankat kanë likuiditet të mjaftueshëm, duke shmangur në këtë rast edhe efektet e kursit të këmbimit.

“Kur bankat kanë likuiditet valute të mjaftueshme dhe me kushte të favorshme, pse të mos shesim eurobono”, thotë për “Monitor”, drejtori i Huamarrjes në Ministrinë e Financave, Xhentil Demiraj.

Sipas tij, nuk do të ketë asnjë ndikim në kursin e këmbimit pasi po merret direkt valutë për të shlyer detyrimin që është po në valutë dhe kur bankat e mundësojnë.

 

 

Eurobonot do mbështesin projektet e qeverisë në investime që paguhen me valutë

 

 

Qeveria shqiptare merr vazhdimisht borxh për të financuar një pjesë të shpenzimeve dhe për të financuar deficitin, (duke qenë se vendi është në deficiti, shpenzimet janë më të larta se të ardhurat).

Ndryshe nga herët e tjera, nuk po e blen në lek, por në valutë, në mënyrë që t’u përgjigjet projekteve, kryesisht rrugore, që financohen me euro. Sipas drejtorit të Huamarrjes, eurobono 25 milionë euro nuk do të merret për paga dhe pensione,

por për të mbështetur projektet e qeverisë në investime që paguhen me valutë.

“Nuk ka lidhje me pagat dhe pensionet. Thjesht data e ankandit dhe emetimit përkon ndoshta me periudhën kur qeveria do të prezantojë rritjen e pagave dhe pensioneve,

por garantoj që ne nuk marrim borxh për shpenzime korrente, por për të mbështetur investimet”, sqaron Demiraj.

“Kjo masë që po marrim ka qenë e planifikuar për të mbështetur deficitin buxhetor, i deklaruar në fund të vitit kur Kuvendi miratoi buxhetin 2010.

Pra nuk ka asgjë të re, por thjesht zbatim i programeve për financim deficiti”, tha Demiraj.

Tjetër detaj për eurobono-n lidhet me shumën, që për drejtorin e Huamarrjes është shumë e rëndësishme të qartësohet.

“Nuk do të jetë një borxh që merret në shumën 25 milionë euro, por deri në këtë shumë, pra mund të jetë më pak se aq, në varësi të ofertave të bankave”, thotë ai.

Duke u ndalur sërish te projektet, Demiraj sqaron se, bankat e nivelit të dytë në vend kanë likuiditete të mjaftueshme valute, që biznesit nuk i prishin punë, pra nuk shtrëngon hapësirën e kreditimit, nisur nga kapacitetet e privatit.

“Aktualisht bankat kanë gjendje në depozita dhe pikërisht në euro, që ne na intereson në këto momente, aq më tepër që këto para po i tregtojnë jashtë me kushte të favorshme.

Atëherë në këto kushte pse të mos përfiktojmë dhe ne, me interesa të leverdisshme”, deklaron Demiraj.

 

Bankat me depozita plot

Qetësia në tregjet tona financiare, pas rikthimit të depozitave në kushte optimale, po u jep mundësi bankave të lëvizin me ofertat për kredi.

Sipas Ministrisë së Financave, janë 200 milionë euro që dalin jashtë tregut, si investimet që kryejnë bankat tona në tregje të letrave me vlerë etj.

Këto nivele investimi vijnë në një kohë kur likuiditeti është i mjaftueshëm, pra ka depozita që i përballojnë flukset e kredisë (madje ka banka që po investojnë valutën në blerjen e eurobond-eve në Greqi).

Qeveria po shfrytëzon një moment të favorshëm për të marrë hua në valutë, deri në momentin kur të stabilizohet tregu ndërkombëtar i eurobondeve.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit prill totali i depozitave në valutë (të konvertuara në lekë) ishte 311 miliardë lekë, (ose 45% e totalit të depozitave), me një rritje prej 6.3 në krahasim me fundin e 2009-s,

dhe 19% në krahasim me prillin 2009.

Në të njëjtën ditë, Banka e Shqipërisë do të zhvillojë një tjetër ankand me vlerë rekord 25 miliardë lekë. Por sipas Demiraj, ky ankand nuk lidhet për të marrë borxh. “Është data e maturimit që qeveria kërkon ta shtyjë si pagesë”,

thotë shefi i Huamarrjes në Ministrinë e Financave.

A.S

 

Tremujori

Zbutet stoku i borxhit

 

Të dhënat e fundit nga Ministria e Financave, Departamenti i Huamarrjes, për tremujorin e parë 2010, tregojnë se stoku i borxhit gjithsej ka pësuar një ulje në krahasim me tremujorin e mëparshëm,

që i bie fundi i 2009-s. Sipas shifrave të publikuara kohët e fundit, rezulton se stoku i borxhit deri në muajin mars 2010 është rreth 406 miliardë e 467 milionë lekë, nga 409 miliardë e 501 milionë lekë,

shifër e regjistruar në fund të muajit dhjetor 2009. Rreth 58 për qind e borxhit të marrë nga qeveria lidhet me instrumentet afatshkurtra, deri në 12-mujore, kurse pjesa e mbetur i takon obligacioneve.

Duke parë këto të fundit, borxhet me afat 2-vjeçar kanë peshën më të madhe, rreth 16 për qind, e më pas vijnë ato me afat 5-vjeçar, me 15 për qind.

Obligacionet me afat maturimi 7 vjet janë në nivele modeste, rreth 13 për qind, ose me një stok prej 12 milionë lekësh. Ecuria në tre vitet e fundit tregon se ka një ulje të huamarrjes së brendshme,

që në 2007-n ishte 62.84 për qind, kurse në fund të muajit mars 2010 regjistronte kuotën e 58 përqindëshit.

Ulja e këtij niveli është tregues i reduktimit të presionit të qeverisë ndaj bankave për kredi dhe lejimin e hapësirave për likuiditet ndaj sektorit privat, por edhe një menaxhim më i mirë i pagesës së interesave.

Për tre muajt e parë të vitit 2010, qeveria ka mundur ta financojë me 8 miliardë e 464 milionë lekë deficitin buxhetor.

Sipas Ministrisë së Financave, më shumë se 80 për qind e deficitit është mbështetur nga borxhe me afat të gjatë, rreth 7 miliardë lekë, kryesisht obligacione 5-vjeçare, në masën 4 miliardë lekë.

Banka e Shqipërisë dhe “Raiffeisen Bank” vijojnë të kenë së bashku gjysmën e borxhit të qeverisë, duke e mbështetur me blerjen e letrave me vlerë, kurse rreth 34 për qind i takon bankave të tjera dhe 11 për qind individëve,

të cilët në dy vitet e fundit e kanë rritur pjesëmarrjen e tyre në tregun e ankandeve të letrave me vlerë. Tek interesat e letrave me vlerë, bie në sy tendenca me rritje të lehtë tek obligacionet 2-vjeçare,

mjet i përdorur shpesh nga qeveria për të marrë borxh nga bankat e nivelit të dytë. Sakaq, ulje të lehtë ka në interesat për bonot me afat 12-mujor, instrument që aplikohet më së shumti nga qeveria.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of