Emmanuel Macron, Presidenti i ri i Francës, i cili kurrë më parë nuk kishte kandiduar në zgjedhje, po përballet jo vetëm me një vend të ndarë, por edhe me barrën e rëndë të pritshmërive të mëdha
Pas fushatës zgjedhore më emocionuese dhe të trazuar të kohëve të fundit, francezët kanë sfiduar populizmin, duke shënuar fillimin e një epoke të re dhe shumë të rëndësishme në historinë e Francës. Më 7 maj ata zgjodhën si presidentin e tyre të ri, Emmanuel Macronin, 39 vjeç, ish-ministrin socialist të Ekonomisë, i cili kurrë më parë në jetën e tij nuk kishte luftuar në një fushatë zgjedhore, shkruan The Economist.
Sipas vlerësimeve, bankieri pati fatin e fillestarit, sepse fitoi bindshëm, me rreth 65.8% kundrejt kundërshtares së tij, Marine Le Pen. Ky ishte një demonstrim i fuqishëm që tregon qartë se në një demokraci liberale perëndimore është e mundur t’i jepet një përgjigje pro-europiane dhe e bazuar populizmit dhe nacionalizmit.
Ky ishte një rezultat historik në disa aspekte. Z. Macron do të bëhet presidenti më i ri që Franca ka pasur ndonjëherë, duke thyer edhe rekordin e mbajtur nga nipi i Napoléon Bonapartes, Louis-Napoléon, i cili u zgjodh në vitin 1848 për të qeverisur vendin në moshën 40-vjeçare.
Kjo fitore është pak e çuditshme, sepse në një vend si Franca, e cila pëlqen që kandidatët presidencialë të kenë pasur përvoja të mëparshme në fushën e betejave zgjedhore, z. Macron nuk ka qenë kurrë më parë deputet dhe as nuk ka marrë pjesë në fushata të mëparshme zgjedhore. Ai e krijoi lëvizjen e tij politike “En Marche!” vetëm 13 muaj më parë.
Shpresat e tij për të ndërtuar një parti të re, që nuk kishte lidhje me mekanizmat e partive ekzistuese që kanë vite përvojë mbi supe, edhe pse dukeshin si një fantazi tejet e largët, gjetën përkrahje në popull. Që prej themelimit të Republikës së Pestë nga Charles de Gaulle në vitin 1958, asnjë kandidat i pavarur dhe pa përvojë elektorale nuk ka mundur t’i afrohet zgjedhjeve presidenciale, e jo më të zgjidhet President si Macron.
Megjithatë, z. Macron u përpoq shumë gjatë këtyre zgjedhjeve dhe falë një kombinimi të besimit të patundur, njohjes së forcave të tjera politike në Francë dhe sigurisht së bashku me një dozë fati me vete, arriti t’i fitojë këto zgjedhje. Kjo është hera e parë gjatë dekadës së fundit që francezët votojnë kundër partisë në pushtet.
Pse humbi Fillon
Pas pesë vitesh nën drejtimin e presidentit socialist, François Hollande, republikanët e qendrës së djathtë mendonin se zgjedhjet e këtij viti u përkisnin atyre. Por kandidati i tyre, François Fillon, nuk ishte figura e duhur me të cilën ata mund të fitonin, sepse ai u përfshi në skandalin parlamentar të dhënies së ryshfeteve. Ai ishte një prej atyre politikanëve të vjetër që nuk duheshin përfshirë në këtë fushatë zgjedhore dhe së bashku me të edhe shumë të tjerë si Nicolas Sarkozy (ish-president), Alain Juppé dhe Manuel Valls (të dy ish-kryeministra).
Intuita e kandidatit të pavarur ishte e pagabueshme, edhe pse ai rrezikoi shumë. Edhe sulmi masiv i kompjuterëve të ekipit të tij në natën e 5 majit, i cili sipas ekspertëve të sigurisë dyshohej se ishte orkestrimi i radhës nga rusët, nuk ishte i mjaftueshëm për ta mposhtur atë.
Aventura e jashtëzakonshme politike e zotit Macron ka nisur me vëzhgimin dhe reagimin se partitë ekzistuese franceze, jo vetëm që nuk reagonin ndaj frikës populiste por më keq akoma, ato e ushqenin atë. Ndarjen e vjetër të partive midis së majtës dhe së djathtës, ai e vlerësonte si një pengesë ndaj përpjekjes së duhur për të rindërtuar dhe për të krijuar një kështjellë politike kundër rritjes së nacionalizmit populist, si dhe si një bllokim ndaj konsensusit rreth reformës ekonomike.
E kaluara
Ai rrjedh nga një familje doktorësh në qytetin verior të Amiens. Z. Macron ishte një student në elitën e shkollës “Ecole Nationale d’Administration” në vitin 2002, kur babai i zonjës Le Pen, Jean-Marie Le Pen, në krye të Frontit Kombëtar të ekstremit të djathtë (FN) humbi në raundin e dytë të zgjedhjeve kundër Gaullist Jacques Chirac. Dhe ishte pikërisht ky moment me të cilin, z. Macron i lidh të gjitha dështimet politike të kësaj partie.
Këndvështrimi
Duke u bazuar në librin e tij “Révolution”, ai është shprehur se klasa politike franceze prej shumë kohësh është e përgjumur. Në vend që partitë e tjera të përpiqeshin të luftonin idetë e Frontit Kombëtar, sipas Macron, gjëja e duhur që ata duhet të bëjnë në vend të kësaj është që ta përjashtojnë atë njëherë e përgjithmonë nga pushteti. Për aq kohë sa partitë tradicionale do të jenë të frikësuara, lufta ndaj FN–së nuk do të jetë e duhura, u shpreh ai në një intervistë për “The Economist” vitin e kaluar.
Sipas tij, politikanët, duhej të propozojnë diçka më pozitive dhe më bindëse: krijimin e një shoqërie të hapur, tolerante dhe pro-europiane, të mbështetur në inkurajimin e sipërmarrjes private dhe krijimin e mundësive të duhura për të nxjerrë nga varfëria viktimat e globalizimit.
Gjatë fushatës zgjedhore, ai argumentoi se kufijtë nuk mund të mbyllen dhe as pushimet nga puna, të cilat bien ndesh me ligjin, nuk duhej të ndodhin më dhe këtu ai iu referua një grupi sindikalistësh në qytetin e tij të lindjes, të cilët ishin mbështetës të Frontit Kombëtar.
Gjatë tubimeve të ndryshme, turmat mbështetëse të Emmanuel Macron-it përbëheshin nga njerëz shumë të gëzuar dhe të gjithë të pranishmit valëvisnin flamuj të Bashkimit Europian. Në një debat të ashpër televiziv doli në pah edhe frika e kandidates së FN, zonjës Le Pen, e cila e akuzoi z. Macron se ishte kandidati i “globalizimit të egër”, ndërsa ai iu përgjigj asaj duke e cilësuar si “Priftëreshë, e cila përçonte vetëm frikë në popull”.
Sfidat
Pas festimeve të fitores së zgjedhjeve, z. Macron do t’i duhet të gjejë mënyrën e duhur për t’iu drejtuar edhe një së tretës së popullit që nuk e mbështeti. Pjesa më e madhe e atyre që nuk e votuan Macron-in, janë qytetarë të zemëruar, kryesisht nga zonat rurale, që kanë humbur vendet e punës, fabrikat dhe shërbimet, dhe nuk shohin asnjë anë pozitive ndaj globalizimit. Disa prej tyre e votuan z. Macron vetëm për të mos lejuar fitoren e znj. Le Pen.
Të tjerë abstenuan ose i lanë bosh fletët e votimeve, të tronditur nga një zgjedhje e tillë që disa e cilësojnë si “kolerë ose murtajë”, ose nacionalizëm ksenofobik. Zonja Le Pen mund të jetë shumë e zhgënjyer me rezultatin e arritur në këto zgjedhje por, megjithatë, ajo ka vendosur një rekord të ri brenda Frontit Kombëtar, sepse pothuajse e dyfishoi rezultatin në krahasim me babain e saj. Partia e saj dhe populizmi do të vazhdojnë të kenë rëndësinë e tyre në politikën franceze.
Në ditët e ardhshme, z. Macron do të emërojë një qeveri të përkohshme, por pas kësaj, atij i duhet të sigurojë ose të bashkojë, një shumicë qeverisëse në Parlament pas zgjedhjeve me dy raunde të qershorit.
Sidoqoftë, presidenti francez nuk mund të miratojë reforma pa pasur mbështetjen politike të Parlamentit. Partia “En Marche!” aktualisht nuk ka asnjë deputet të zgjedhur në Parlament, prandaj Macron do t’i duhet që të vendosë disa të rinj në politikë. Fitorja e zotit Macron shikohet edhe si një riorganizim i politikës franceze. Por republikanët në veçanti, janë të gatshëm për luftë, sepse atyre u duket sikur u iku fitorja nga duart.
Z. Macron po përballet jo vetëm me një vend të ndarë, por edhe me barrën e rëndë të pritshmërive të mëdha. Gjermania, ekonomia më e madhe e Eurozonës dhe aleati i vjetër i Francës në Europë, është optimiste dhe shpreson shumë nga Presidenti i sapozgjedhur Macron, i cili me vendosmërinë e tij do ta çojë vendin përpara dhe do të shkëputet nga zakonet e paraardhësve, që nuk i mbanin premtimet elektorale për të reformuar Francën.
Aftësia e z. Macron do të qëndrojë në rikthimin e besimit te populli francez dhe për ta angazhuar Francën rreth çështjeve me interes për të gjithë Europën. Nëse ai dështon, do të jetë më e vështirë se kurrë herën tjetër për të mbajtur nën fre populizmin dhe Frontin Kombëtar jashtë pushtetit.