Angela Merkel po përballet me sfidën e saj më serioze politike. Por Europa ka më shumë se kurrë nevojë për të.
Hidhni një sy nëpër Europë dhe vini re se ka një lider që qëndron mbi gjithçka: Angela Merkel. Në Francë, François Hollande ka hequr dorë nga pretendimi se vendi i tij udhëheq kontinentin. David Cameron, i rizgjedhur triumfalisht, po e kthen Britaninë në një Angli të vogël. Matteo Renzi është i preokupuar me ekonominë apatike të Italisë, shkruan The Economist.
Në të kundërt, në dhjetë vitet e saj në detyrë, zonja Merkel është shfaqur edhe më e fuqishme pas çdo trazire. Në periudhën e krizës së borxheve, ajo e nisi rrugëtimin si një ‘lider përçarës’ por në fund e mbajti të bashkuar Eurozonën; mbi çështjen e Ukrainës, ajo angazhoi europianët në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë (presidenti i saj, Vladimir Putin, mendon se ajo është i vetmi lider europian me të cilin ia vlen të bisedosh); dhe përballë migrimit ajo ka mbështetur me guxim vlerat europiane, pothuajse e vetme në përkushtimin e saj në mikpritjen e refugjatëve.
Është bërë e modës ta perceptosh këtë si një progresion nga kujdesi dhe dominimi drejt pamaturisë dhe fatkeqësisë. Kritikët pohojnë se, me qëndrimin e saj mikpritës për azilkërkuesit, zonja Merkel ka shkaktuar një ‘përmbytje’ që do të ‘shkatërrojë’ Europën si dhe do të sjellë dështimin e parakohshëm të saj politik. Të dy argumentet janë të gabuara, si dhe thellësisht të padrejtë. Zonja Merkel është shumë më e zonja nga sa mendojnë shumë njerëz. Dhe kjo nuk bën asnjë diferencë: duke marrë parasysh sfidat e panumërta të Bashkimit Europian, ajo është më shumë se kurrë Europiania e padiskutueshme.
Rëndësia e Angela-s
Mbizotërimi i zonjës Merkel pjesërisht pasqyron rëndësinë e Gjermanisë – ekonomisë më të madhe të BE-së dhe eksportuesit të saj më të fuqishëm, me financa të shëndosha publike dhe papunësi historikisht të ulët. Ajo është edhe lideri më jetëgjatë në BE.
Si mund të krahasohet Angela Merkel prej 10 vitesh në detyrë me kryetarët e tjerë europianë të shtetit?
Cilësitë e saj personale kanë gjithashtu shumë rëndësi. Ajo ka mbrojtur interesat e Gjermanisë pa ‘neglizhuar’ Europën; ajo ka rrezikuar paratë gjermane për të shpëtuar euron, duke i mbajtur në lojë gjermanët skeptikë; dhe ajo ka fituar respektin e liderëve dhe shokëve të saj, edhe pasi është konfliktuar me ta. Edhe më mbresëlënës është fakti (dhe vetëm në mesin e liderëve të qendrës së djathtë në Europë), ajo e ka bërë këtë pa ‘komplotuar’ me populistët anti-BE dhe antiemigrantë. Edhe përballë të gjitha të metave të BE-së, ajo nuk e trajton atë si të pavlerë, por si një shtyllë të paqes dhe prosperitetit.
Znj. Merkel nuk është aspak perfekte. Ajo nuk ka shumë aftësi prej oratori apo vizione të mëdha. Ajo mund të jetë si një politikan kameleon, i cili miraton politika të krahut të majtë për të ‘pushtuar’ terrenin qendror, ashtu dhe një ‘akrep’ i cili eliminon qetësisht rivalët potencialë. Kujdesi i saj natyral ka nxitur rritjen e një neologjizmi gjerman, merkeln (‘për Merkel’, ose të shtyjë vendime të mëdha). Druajtja e saj në trajtimin e problemeve të euros thelloi krizën në mënyrë të panevojshme; ajo ka refuzuar ndarjen e rrezikut për të cilën Eurozona ka nevojë që të lulëzojë.
Ironikisht është guximi, jo druajtja apo hezitimi, që i ka sjellë zonjës Merkel sfidën më të madhe të historisë së saj në detyrë. Refuzimi i saj këmbëngulës për të vendosur një kufi ndaj numrit të refugjatëve që mund të përthithë Gjermania ka shkaktuar alarm në vend dhe kritika jashtë vendit. Ndërsa komunat gjermane protestojnë, aleatët e saj politikë po e denoncojnë dhe vendet e Europës Lindore po e akuzojnë për ‘imperializëm moral’. Me ‘venitjen’ e ‘Willkommenskultur’, ka edhe fjalë që qarkullojnë se ajo po humbet pushtet.
Dyshimet janë të ekzagjeruara. Kritikët gabohen që supozojnë se zonja Merkel është gati të rrëzohet. Pavarësisht ankesave, ajo mbetet figura dominuese e Bashkimit Kristian Demokrat (CDU). Një sondazh i kohëve të fundit zbuloi se 82% e anëtarëve të CDU miratojnë udhëheqjen e saj dhe 81% dëshirojnë që ajo të kandidojë për një mandat të katërt si kancelare në zgjedhjet e 2017-s. Matematika zgjedhore favorizon një tjetër qeveri të udhëhequr nga CDU. Merkel nuk ka gjasa të largohet përveçse në rast se është ajo që merr një vendim të tillë.
Dhe ‘kundërshtarët’ gabojnë kur thonë se ajo ka humbur drejtimin në lidhje me çështjen e migracionit. Krejtësisht e kundërta. Gjatë krizës, bija e pastorit luterian ka zbuluar një linjë të fuqishme politike dhe morale. Zonja Merkel nuk ka shkaktuar dyndjen e emigrantëve, sikundër pretendojnë kritikët e saj. Emigrantët po vinin gjithsesi. Ajo ka vepruar për të shmangur një katastrofë humanitare. Gardhet nuk do të pengojnë dyndjet. Zonja Merkel as nuk mund të ndalë luftërat që nxisin njerëzit të largohen nga shtëpitë e tyre dhe as të ndërmarrë vendime për politikat e vendeve nëpër të cilët ata kalojnë.
Kritikët e saj nuk ofrojë asnjë alternativë bindëse. Përveçse të përmbysin të drejtën ndërkombëtare dhe europiane dhe të vëzhgojnë refugjatët që mbyten ose vdesin, vendet e BE-së duhet të përpunojë kërkesat e azilkërkuesve. Pyetja që shtrohet është: a do të jetë procesi i rregullt apo kaotik?
Sipas znj. Merkel, një tjetër politikë prej katër pjesësh po merr formë: duke mos kërkuar ndjesë të ‘absorbojë’ refugjatët në vend; të ndajë barrën në të gjithë Europën dhe më gjerë; të forcojë kontrollet dhe procedimin e azilkërkuesve në kufijtë e jashtëm të Europës; dhe të negociojë me vendet tranzite.
Kjo qasje është parimore dhe, në periudhë afatgjatë, është e vetmja që mund të funksionojë. Sigurisht që ka të meta dhe rreziqe. Ka të ngjarë të ketë marrëveshje më pak se parimore, veçanërisht me Turqinë: duke bërë një sy qorr ndaj erozionit të lirive civile dhe fitores shqetësuese të zgjedhjeve nga partia Justice and Development (AK) në pushtet e presidentit Rexhep Tajip Erdogan dhe, dhe të tjera koncesione, me shpresën se ai do të bjerë dakord të veprojë si ‘portier’ i Europës.
Dhe nuk mund të mohohet fakti se fluksi masiv i refugjatëve po rëndon shumë prej problemeve të tjera që i kanosen Europës: ajo po irriton marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe vendeve të Europës Lindore pikërisht kur solidariteti është jetik për të frenuar agresionin e Rusisë; ajo po shton barrën e Greqisë, tashmë e dërrmuar nga vite të tëra të masave të ashpra dhe gjithmonë në pikëpyetje për t’u larguar nga euro; ajo po nxit edhe më tej Brexit nga BE-ja, duke u dhënë votuesve gjithashtu më shumë arsye për t’u larguar në referendumin e premtuar nga z. Cameron; dhe po ngjall kudo populizmin.
Mot i stuhishëm
Kjo është kriza më e madhe e Europës në një gjeneratë. Nëse integrimi dikur dukej i paepur, çështja e ngutshme tani është se si të ndalojmë copëzimin e BE-së. Nuk e ka shkaktuar zonja Merkel këtë realitet të zymtë, por ajo është shpresa më e mirë që ka kontinenti për t’u përballur me të. Është në interesin më të mirë të Europës të ndihmojë kancelaren në vend që ta lërë atë të përballet e vetme me krizën. Pas një dekade në pushtet, politikanët zakonisht dalin në pension, ‘humbasin kontaktin me realitetin’ ose përmbysen. Por, pa zonjën Merkel, është vështirë të perceptosh një Europë që zotëron forcat e saj destruktive.