Eurostat: Importet e veshjeve në BE nga Shqipëria u rritën me 11%

24/04/2019 10:00 AM 0 komente

BE importoi nga Shqipëria 215 milionë euro veshje në 2018-n, rreth 11% më shumë se një vit më parë. Pjesa më e madhe e tyre kishin si destinacion Italinë, ku vetëm në 2018-n importet e veshjeve nga Shqipëria zinin rreth 158 milionë euro, të cilat u rritën me 10% në raport me 2017-n, sipas të dhënave të publikuara nga EUROSTAT.

Pas Italisë, e cila përgjigjet për 73% të totalit të eksporteve të veshjeve nga Shqipëria, renditet Gjermania për vlerën më të lartë të veshjeve të importuara me mbi 23 milionë euro. Në Greqi janë eksportuar 16.7 milionë euro, ndërsa në Rumani, 12 milionë euro.

Edhe Çekia renditet në 5 vendet ku Shqipëria ka pasur eksportet më të larta me 1.2 milionë euro në total.
Eksportet e tekstileve drejt vendeve të BE-së kanë peshë në totalin e eksporteve shqiptare.
Vendet anëtare të BE-së importuan rroba me vlerë prej 166 miliardë euro në 2018-n, dhe gjysma prej tyre vinin prej vendeve jo anëtare të BE-së (51% apo 84 miliardë euro). Krahasuar me vitin 2013, importet e veshjeve në vendet anëtare të Bashkimit Europian janë rritur me 25% në vlerë.

Ndërsa vendet anëtare eksportuan rreth 116 miliardë euro veshje, pjesa më e madhe e të cilave kishin destinacion vendet e tjera anëtare (77% apo 89 miliardë euro). Krahasuar me 2013-n, eksportet janë rritur me 36% në vlerën e totalit të eksporteve të vendeve anëtare.

Gjermania, importuesja më e madhe e veshjeve në Europë

Në 20187-n, rreth 17 miliardë euro veshje u importuan drejt Gjermanisë nga vendet jo anëtare (20% në vlerën totale të veshjeve të importuara nga vendet jo anëtare të BE-së). Kjo e bën Gjermaninë importuesen më të madhe të veshjeve nga vendet jo anëtare, e ndjekur nga Mbretëria e Bashkuar me 12 miliardë euro, Spanja me 12 miliardë euro, Franca me 10 mld, Holanda me 10 mld dhe Italia me 8 mld euro.

Kina, vendi kryesor i origjinës së veshjeve

Importet e veshjeve nga vendet jo anëtare të BE-së vijnë kryesisht nga Kina, rreth 27 miliardë euro apo 32% e totalit të importeve nga vendet jo anëtare. Më pas renditet Bangladeshi me 16 miliardë euro, Turqia me 10 miliardë euro, e ndjekur nga India me 5 miliardë euro, Kamboxhia me 4 miliardë, Vietnami mbi 3 miliardë euro, Maroku dhe Pakistani me përkatësisht 3 miliardë.
Importet nga Shqipëria në BE- zënë rreth 0.3% të totalit të importeve nga vendet jo anëtare të BE-së.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of