Besimi ekonomik në zonën e euros u përmirësua papritur në korrik pavarësisht thellimit të krizës mes Perëndimit dhe Rusisë mbi Ukrainën, treguan të dhënat, dhe pritshmëritë e inflacionit në mesin e konsumatorëve dhe kompanive u rritën lehtazi.
Morali i konsumatorit u rrit në tre nga pesë ekonomitë më të mëdha në eurozonë, udhëhequr nga Italia dhe pasuar nga Franca dhe Holanda, ndërsa motorri i rritjes së bllokut, Gjermania dhe Spanja u përballën me një përkeqësim të tij.
Indeksi mujor i besimit ekonomik për 18 vendet që ndajnë euron u rrit në 102.2 në korrik nga një shifër e rishikuar prej 102.1 në qershor. Ekonomistët e anketuar nga Reuters kishin parashikuar një rënie në 101.8 në muajin korrik.
Ndërsa besimi i industrisë u rrit si pasojë e optimizmit ndaj prodhimit të ardhshëm, ra besimi në sektorin e shërbimeve teksa u dobësuan pritshmëritë e kërkesës. Shqetësimet në lidhje me vendet e punës dhe perspektivën ekonomike ndërkohë goditën besimin e konsumatorit, tha Komisioni.
Pritshmëritë e konsumatorëve për inflacionin u përmirësuan lehtazi në 8.7 në korrik nga 8.6 në qershor, ndërsa perspektiva e kompanive për çmimet e shitjes u rrit për herë të parë në shtatë muaj në korrik.
Analistët paralajmëruan për cdo vetëkënaqësi, duke shtuar se përmirësimi kryesisht i atribuohej sektorit industrial, i cili ka të ngjarë të jetë më i prekshmi ndaj sanksioneve të mëtejshme ekonomike.
Ekonomia prej 9.6 trilion eurosh po përpiqet ende të vendosë baza të shëndosha pas daljes nga recesioni një vit më parë, me BE që po forcon edhe më tej sanksionet ndaj Rusisë duke intensifikuar rreziqet se rimëkëmbja e brishtë ka gjasa të ‘mbesë në vend numëro’.
Ndarazi, treguesi i klimës së biznesit të Komisionit, i cili tregon për fazën e ciklit të biznesit, ra në 0.17 në korrik nga 0.21 në qershor, shifra e tij më e keqe që nga tetori i vitit 2013.