Vendosja e pragut të TVSH-së në 2 milionë lekë ka stepur bizneset e vogla për të deklaruar xhiron reale të tyre. Fenomeni është vënë re edhe nga Administrata Tatimore, e cila ka nisur sërish fushatë antiinformalitet, duke vendosur gjoba për shkelësit. Të dhënat tregojnë se në 11 muaj, mbi 13 mijë biznese kanë kaluar në statusin pasiv, rreth 64% më shumë se një vit më parë. Evazion apo luftë për mbijetesë?
Nga Ledina Loga
Është muaji i fundit i vitit dhe Ermira (emër i ndryshuar) po tregohet “e kujdesshme” me kuponët tatimorë që u jep klientëve. Duke qenë se vitin e shkuar, nuk e kishte kaluar xhiron vjetore prej 2 milionë lekësh, sipas kuponëve të prerë, biznesi i saj (parukeri) nuk ndryshoi përgjegjësi tatimore.
Këtë vit, ajo i llogarit mirë kuponët që pret, në mënyrë që të mos e kalojnë pragun dhe të mos bëhet subjekt i TVSH. Ermira tregon se shpenzimet për të vijuar punën janë shumë të larta dhe se nuk mund të përballojë kosto ekstra, siç është detyrimi i TVSH-së, në të kundërt do të detyrohej që të mbyllte biznesin.
Edhe ekonomistët pohojnë se bizneset të cilat nuk u përfshinë në skemën e TVSh-së me ndryshimin e pragut po përpiqen që të deklarojnë më pak qarkullim se një vit më parë.
Vendosmëria e bizneseve të vogla për të mos kapërcyer pragun është ndier dhe nga bizneset e mëdha. Saimir Begaj, përfaqësuesi i kompanisë “Erzeni”, thotë se po has vështirësi me shpërndarjen e produkteve të kompanisë së tij te pakica, ku një pjesë e tyre refuzojnë mallrat me faturë. Restorantet, apo bizneset e shërbimit, janë ato që shfaqin rezistencën më të madhe.
Rënia e xhiros nuk ka kaluar pa u vënë re as nga Administrata Tatimore, e cila ka nisur sërish një tjetër fushatë antiinformalitetet në terren. Sipas deklarimeve zyrtare, nga monitorimi i vazhdueshëm, Administrata Tatimore ka vënë re se ka tatimpagues aktivë me rënie në xhiron e deklaruar në kasat fiskale, krahasuar me periudhat paraardhëse. Tatimet kanë bërë thirrje që tatimpaguesit do të duhet që të vetëkorrigjojnë raportimet, duke reflektuar aktivitetin real që ushtrojnë.
Administrata Tatimore ka njoftuar se, të gjitha rastet kur tatimpaguesit kanë deklaruar një xhiro më të vogël, do të trajtohen nëpërmjet sektorit të Kontrollit në çdo Drejtori Rajonale Tatimore, nëpërmjet thirrjeve në zyrë, vizitave në terren, vizitave fiskale në raste të veçanta, si dhe nëpërmjet çdo rruge tjetër komunikimi që do t’i shërbente përmirësimit të raportimit të qarkullimit me pajisje fiskale.
Administrata Tatimore ka konstatuar edhe tatimpagues, të cilët rezultojnë se nuk kanë transmetuar rregullisht shitjet e tyre ditore. Tatimpaguesit duhet të vënë në dijeni Administratën Tatimore në lidhje me shkaqet, për të cilat nuk është bërë transmetimi, si dhe të marrin masa për të rregulluar problemin.
Në rast se tatimpaguesit nuk përmirësojnë deklarimet e tyre, Administrata Tatimore “kërcënon” se ata do të bëhen objekt i kontrolleve.
Ahmet Gjinishi, kontabilist dhe konsulent fiskal, thotë se gjatë punës së tij ka vënë re disa biznese të cilat janë “në pikë të hallit” dhe që mund të kalojnë pragun për shumë pak. Sipas tij, këto biznese po mundohen të rezistojnë në këtë periudhë të shkurtër që ka mbetur nga ky vit ushtrimor. Ky shqetësim është vërejtur edhe nga biznesi i madh duke qenë se bizneset e vogla refuzojnë furnizimet të shoqëruara me fatura tatimore.
Të vegjlit shmangin, të mëdhenjtë ankohen
Ahmet Gjinishi, kontabilist dhe konsulent fiskal, thotë se gjatë punës së tij ka vënë re disa biznese të cilat janë “në pikë të hallit” dhe që mund të kalojnë pragun për shumë pak. Sipas tij, këto biznese po mundohen të rezistojnë në këtë periudhë të shkurtër që ka mbetur nga ky vit ushtrimor. Ky shqetësim është vërejtur edhe nga biznesi i madh duke qenë se bizneset e vogla refuzojnë furnizimet të shoqëruara me fatura tatimore.
Evazion apo luftë për mbijetesë?!
Ndryshe nga Ermira, biznesi i së cilës nuk e kishte kapërcyer pragun prej 2 milionë lekësh, Elxhilda Koleci nuk pati aq fat. Më 20 gusht të këtij viti, Elxhilda Koleci mbylli biznesin e saj ku punonte prej 12 vitesh, që nga 2006.
Ajo kishte një bar-kafe në Qytetin e Nxënësve në Tiranë. Bashkëshorti i saj u përgjigj për “Monitor” gjatë telefonatave që iu bënë bizneseve të mbyllura se për shkak të përfshirjes në skemën e TVSH-së vendosën të mbyllnin biznesin.
Prej vitesh, fitimet ishin minimale dhe me përfshirjen në skemë, nuk ia vlente që ta mbanin hapur. Tashmë Elxhilda Koleci, 53 vjeçe, është e papunë. Mundësitë e punësimit në këtë moshë, sipas të shoqit, janë thuajse zero.
Bizneset kanë paguar më shumë në këstin e dytë
A.P. prej vitesh punon si kontabilist i bizneseve që operojnë në një nga tregjet më të mëdha të Tiranës. Referuar të dhënave të bizneseve që ai mban mbi pagesat e TVSH-së, ajo ka qenë më e lartë për këstin e dytë. Mesatarisht, një biznes i vogël që është përfshirë këtë vit në skemën e TVSH-së, ka paguar në këstin e dytë 10-15 mijë lekë. Ndërsa bizneset më të mëdha kanë pasur një pagesë prej 80 mijë lekësh.
Në këstin e parë, për shkak se bizneset patën mundësi të shkarkonin TVSh-në nga inventarët, këtë tremujor pagesa ishte më e lartë.
Ahmet Gjinishi shpjegon se ka shumë faktorë që ndikojnë, në varësi të llojit të aktivitetit të subjekteve.
Nëse është shërbim dhe s’ka gjendje inventari, rrjedhimisht nuk ka TVSH të mbartur. Për këto lloj aktivitetesh, pagesa ka qenë e lartë për të dy tremujorët.
Për subjektet tregtare me gjendje inventari, TVSH-ja e mbartur krijoi amortizim në pagesat e TVSH-së së pagueshme. Ai shton se ka pasur edhe nga ato subjekte që kanë qenë të pakujdesshme me ruajtjen e dokumentacionit përkatës për blerjet me faturë tatimore me TVSH, apo dhe subjektet që çmimet e faturave ua dikton shitësi me shumicë.
Duhet theksuar se, përveç bizneseve të vogla që refuzojnë të marrin furnizime me faturë, ka edhe shitës me shumicë, veçanërisht në fushën e tregtisë, të cilët aplikojnë çmime të cilat nuk reflektojnë pagesën e kryer nga subjektet, por vendosin çmimin me normë fitimi sa më të ulët në krahasim me importin, prodhimin apo blerjet nga subjekte të tjera prodhuese.
Tatimet vijojnë fushatën antiinformalitet
Drejtoria e Hetimit Tatimor, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, nëpërmjet strukturave të saj, ka nisur zbatimin e planit operacional për periudhën 1 nëntor – 31 dhjetor 2018. Qëllimi i zbatimit të këtij plani është parandalimi, ndërgjegjësimi, evidentimi dhe goditja e paligjshmërisë në fushën e tatim-taksave, si dhe marrja e masave administrative përkatëse ndaj shkeljeve tatimore. Fokusi kryesor i punës së strukturave hetimore, sipas Tatimeve, janë zonat me aktivitet të lartë ekonomik, në subjektet më të frekuentuara gjatë periudhës së festave, si dhe në tregje e transport.
Tatimet do të kryejnë kontrolle në tatimpagues që rezultojnë me rënie të xhiros, krahasuar me një vit më parë.
Plani operacional do të shtrihet për zbatim në qendrat e qyteteve kryesore në të gjithë territorin e vendit: Tiranë, Fier, Durrës, Elbasan, Korçë, Shkodër, Berat, Lezhë, Gjirokastër, Vlorë, Kukës, Dibër dhe Sarandë.
Kontrolli i Tatimeve, deri më tani 45 milionë lekë gjoba
Drejtoria e Hetimit Tatimor përfundoi zbatimin e planit të masave për muajin tetor, qëllimi i të cilit ishte parandalimi, ndërgjegjësimi, evidentimi dhe goditja e paligjshmërisë në fushën e tatim-taksave.
Nga strukturat e specializuara të Hetimit Tatimor u ushtruan kontrolle në 4,170 subjekte, nga të cilat 1,422 u konstatuan me shkelje. Vlera e penalizimeve për këto subjekte është rreth 45 milionë lekë.
- 18 tatimpaguesve u janë bllokuar ambientet për 30 ditë kalendarike, për moslëshim kuponi tatimor (hera e dytë). Gjithashtu janë bllokuar ambientet e 6 tatimpaguesve për shkeljen e mosinstalimit të pajisjes fiskale (hera e dytë);
- 335 tatimpagues janë konstatuar me shkelje të moslëshimit të kuponit tatimor (hera e parë);
- 344 tatimpagues janë konstatuar se dispononin mallra pa dokumentacion tatimor;
- 163 tatimpagues janë penalizuar për mosdeklarim të punonjësve, ndër të cilët 32 janë me përgjegjësi tatimore “biznes i vogël” dhe 131 subjekte me përgjegjësi tatimore “biznes i madh”;
- 106 tatimpagues janë konstatuar të paregjistruara në organet tatimore, për të cilat është marrë masa e bllokimit, deri në momentin e regjistrimit të tyre si subjekt i TVSH-së;
- 74 tatimpagues janë konstatuar se nuk kanë pasur të instaluar pajisjet fiskale dhe 81 të tjerë nuk i mbanin në gjendje pune.
Plani operacional u zbatua në subjektet që ushtrojnë veprimtari ekonomike në qendrat e qyteteve: Tiranë, Fier, Durrës, Elbasan, Korçë, Shkodër, Berat, Lezhë, Gjirokastër, Vlorë, Kukës, Dibër, Sarandë, si dhe në pikat e tregtimit të karburanteve në të gjithë vendin.
Administrata Tatimore ka si qëllim kryesor ndërgjegjësimin dhe edukimin e tatimpaguesve për të rritur vetëdeklarimet, si dhe përmbushjen me korrektësi të detyrimeve tatimore.
TVSH-ja rriti çmimin e fruta-perimeve
Saimiri prej kohësh shet fruta dhe perime në një nga zonat e qendrës së Tiranës. Biznesi i tij bën pjesë në grupin e 11,400 bizneseve që ndryshuan përgjegjësinë tatimore. Ai thotë se që kur u përfshi në skemën e TVSH-së përpiqet që çdo mall ta marrë me faturë, ndryshe nuk ka ku të shkarkojë TVSH-në. Pagesa mujore e këstit të dytë ishte rreth 5 mijë lekë.
Ai shpjegon se një pjesë e bizneseve si ai janë detyruar që të rrisin çmimet për frutat dhe perimet me rreth 10 lekë për të përballuar. Sipas të dhënave të INSTAT, inflacioni për nënkategorinë e zarzavateve u rrit në muajt e verës.
Tkurret biznesi i vogël, në 2017-n realizoi më pak qarkullim dhe uli numrin e të punësuarve
Biznesi i vogël vazhdon të rrudhet në vend për shkak të riformatimit të ekonomisë. Ndërmarrjet e vogla përbëjnë rreth 88% të sipërmarrjeve në vend dhe kanë qenë gjenerator punësimi.
Megjithatë të dhënat në rezultatet paraprake të Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve për vitin 2017 tregojnë se numri i bizneseve të vogla dhe të punësuarit ranë në krahasim me të njëjtën periudhë më parë. Numri i ndërmarrjeve me 1 deri në 4 të punësuar në 2017-n ishin 94 mijë e 614 biznese, ndërsa një vit më parë 96 mijë e 614 biznese, thuajse 1,800 biznese më pak.
Edhe të punësuarit (ku përfshihen edhe të vetëpunësuarit) shënuan rënie në 2017-n. Pesha në punësim e ndërmarrjeve me 1-4 të punësuar një vit më parë ishte 32%, ndërsa në vitin 2017, 30.4%. Numri i të punësuarve në ndërmarrjet e vogla ra me 3% nga 2016 në 2017-n.
Një nga faktorët që po tkurr bizneset e vogla në vend është edhe riformatimi i ekonomisë, prej së cilës bizneset e vogla po vuajnë edhe krizën e konsumit. Me zgjerimin e rrjeteve të supermarketeve, por edhe me hovin që kanë marrë qendrat tregtare, më pak konsumatorë po qasen drejt tyre. Të dhënat nga rezultatet paraprake të Anketës Strukturore 2017 treguan se bizneset e vogla qarkulluan prej shitjeve rreth 15% më pak të ardhura. Në vitin 2017, ndërmarrjet e vogla qarkulluan rreth 245 miliardë lekë nga 286 miliardë lekë që qarkulluan një vit më parë.
Në prill 2018, situata e biznesit të vogël u shtrëngua me përfshirjen në skemën e TVSH-së të bizneseve me qarkullim mbi 2 milionë lekë, nga 5 milionë lekë që ishte pragu për përjashtimin nga TVSH-ja.
Në ekonomi mbizotërojnë ndërmarrjet e vogla, mungojnë të mëdhatë
Në krahasim me një vit më parë, numri i ndërmarrjeve aktive në vend shënoi rënie. Në vitin 2017 llogariten rreth 107 mijë ndërmarrje aktive nga 108 mijë një vit më parë. Ekonomia shqiptare përbëhet kryesisht nga mikrondërmarrje, pesha e të cilave në totalin e sipërmarrjeve është më e lartë. Ato që dominojnë janë subjektet e vogla, me më pak se 4 të punësuar, që përbëjnë 88% të totalit, ose gati 95 mijë biznese të vogla. Bizneset me 4-9 të punësuar zënë 6.2% të totalit, apo rreth 6,759 ndërmarrje në total. 4.5% e ndërmarrjeve kanë 10-49 të punësuar në vend, ose në total 4,839.
Mikrondërmarrjet zënë një peshë më të lartë, krahasuar edhe me vendet e rajonit. Krahasuar me Maqedoninë, mikrondërmarrjet me 1-9 të punësuar kanë një peshë prej 90% në totalin e ndërmarrjeve në ekonomi, ndërsa në Shqipëri, mikrondërmarrjet me 1-9 të punësuar zënë një peshë prej 94.2%.
Për sa u përket kompanive me numër më të lartë të punësuarish, vetëm 41 kompani kishin më shumë se 500 punonjës, sipas renditjes së 100 punëdhënësve më të mëdhenj, të publikuar nga Tatimet. Ndërsa rreth 100 kompani kanë më shumë se 250 punonjës. Sërish renditemi më keq sesa Maqedonia, e cila sipas statistikave zyrtare, ka 233 kompani me më shumë se 250 të punësuar, nga të cilat 70 janë në sektorin e industrisë përpunuese (sipas statistikave zyrtare, në Maqedoni kishte gjithsej 71.5 mijë ndërmarrje në fund të 2016-s).
Për krahasim, ndërmarrjet me më shumë se 50 punonjës në Maqedoni përbëjnë 2.3% të totalit, ndërsa në Shqipëri, vetëm 1% të totalit. Sipas të dhënave të Anketës Strukturore të INSTAT, në vitin 2017, në Shqipëri, kishte në total 1,242 biznese me mbi 50.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.