Cristiano Ronaldo do të përballet me autoritetet spanjolle për të paguar 30 milionë euro, në mënyrë që të mbyllë çështjen për evazion fiskal, për të cilën rrezikon edhe burgun.
Këtë e bën të ditur e përditshmja spanjolle “El Confidencial”, sipas së cilës fituesi i “Topit të Artë” synon të arrijë një marrëveshje me Agjencinë e të Ardhurave dhe Prokurorinë Spanjolle.
CR7 është shpallur fajtor për katër akuza dhe do të paguajë 14,7 milionë euro, të ardhura nga të drejtat e imazhit mes viteve 2011-2014, si dhe 30 milionë euro gjobë. Kjo në këmbim të një garancie për të shmangur burgun (rrezikon dy vjet). Ky nuk është rasti i parë për evazion fiskal. Lojtarë si Falcao, Carvalho, Di María, Alexis Sanchez, Mascherano, Coentrao, Marcelo e Modric janë përballur me situata të tilla, duke arritur marrëveshje të ngjashme.
Sulmuesi i Real Madrid duhet ta mbyllë këtë çështje para Botërorit Rusi 2018 në muajin qershor, ndoshta edhe me një ulje të vogël të gjobës prej 30 milionë eurosh.