Expocity Albania hapi siparin e panairit të parë të Ndërtimit, Arkitekturës dhe Planifikimit Urban. Sektori i ndërtimit ka një kontribut të rëndësishëm në ekonominë e vendit, shtysë kjo që Expocity Albania organizon këtë panair në data 26-28 tetor. Përveç pjesëmarrjes së bizneseve nga ky sektor, Expocity Albania do të zhvillojë edhe forume diskutimi, ku do të ngrihen çështje të caktuara nga sektori për të evidentuar rëndësinë e këtij sektori dhe sfidat e tij.
Gjatë fjalës së saj përshëndetës, Aida Lutaj, Drejtore Ekzekutive e Expocity Albania, vuri theksin në rëndësisnë e këtij sektori në ekonominë e vendit.
“Ky sektor së bashku, me arkitekturën dhe planifikimin urban, po ndryshojnë çdo ditë realitetin shqiptar”,- tha Lutaj gjatë fjalës së saj.
Gjithashtu ajo shtoi se mungesa e alternativave për investime dhe rritja e likuiditetit prej prurjeve të turizmit, remitancave por edhe prurjeve informale, i kanë nxitur edhe njëherë vrullshëm investimet në ndërtim, sidomos për banesa.
Në mbështetje të këtij panairi ka qenë edhe Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturë. Gjatë çeljes i pranishëm ishte edhe zv. Ministri, Artan Shkreli, i cili prezantoi situatën aktuale të Planifikimit Urban. Sipas zotit Shkreli, rreth 75% e territorit ka planet e zhvillimit dhe rregullimit, ndërsa pjesa tjetër, rreth 25%, do të plotësohet brenda pranverës së ardhshme. Zv.Ministri theksoi se planet urbanistike shkojnë sipas zhvillimit të qytetit.
I pranishëm gjatë çeljes së panairit ishte edhe kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, z. Nikolin Jaka, i cili theksoi se panaire të tilla i shërbejnë zhvillimit dhe promovimit të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë.
Ai shtoi se të gjithë qytetarët kërkojnë që të përfitojnë nga ndërtimet cilësore. Nga ana tjetër, Jaka vuri në dukje se qytetet shqiptare sot vijojnë të vuajnë nga ndotja urbanistike.
Të pranishëm në çeljen e panairit, ishin aktorë të rëndësishën të sektori, ndër të cilët Kryetari i Shoqatës së Ndërtimit, z. Luigj Aleksi; Presidenti i Shoqatës së Inxhinierëve Konsulentë z. Faruk Kaba, Drejtori ekzekutiv i Dhomës Amerikane të Tregtisë znj. Enida Bezhani etj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.