Expocity Albania hapi ditën e parë të panairit mbi Tekstilin, Lëkurën dhe Modën. Për dy ditë kryefjala e këtij panairi do të jetë Industria Tekstile, Lëkura dhe Moda. Në fjalën e saj përshëndetëse Aida Lutaj, drejtore ekzekutive e Expocity Albania, tha se synimi kryesor i këtij panairi ishte ndërgjegjësimi për këtë sektor kaq të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare, me qëllimin që ta kthejnë në një platformë të përvitshme.
Sektori i tekstileve dhe këpucëve përbën grupin më të madh të eksporteve në vend me rreth 40% të totalit, u shpreh Lutaj gjatë hapjes së këtij panairi. Sfida e këtij sektori është ndërkombëtarizimi i mëtejshëm, tha Lutaj.
Gjatë hapjes së këtij panairi mori pjesë edhe Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Sonila Qato. Ministrja vuri theksin te rëndësia e këtij sektori në ekonomi. Sipas znj. Qato, nisma e re e prezantuar në paketën fiskale 2019, e cila përjashton këtë industri nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar i furnizmit nga nënkontraktorët dhe kontraktorët, do t’i japë një shtysë të mëtejshme industrisë. Sipas saj, vonesat në rimbursimin e TVSH-së në këtë industri u bënë shkas që vitin e kaluar Shqipëria të renditej më keq në raportin e Doing Business.
“Përjashtimi nga TVSH do të përmirësojë klimën e biznesit dhe do ta bëjë industrinë më konkurruese. Sfida për këtë sektor, i cili ka një peshë të madhe jo vetëm te eksportet por edhe në punësim, është që të arrijë të bëhet një industri me cikël të mbyllur dhe të mos mbetet një industri fason”,- e mbylli ministrja Qato fjalën e saj.
Ines Muçostepa, kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, gjatë fjalës së saj hapëse tha se Expocity po organizon panaire të rëndësishëm për ekonominë e vendit. Industria e tekstilit, lëkurës dhe Modës ka kaluar nga prodhimi i tekstilit te veshjet.
“Shumë kompani po punojnë për markat më të njohura ndërkombëtare dhe kanë një peshë të rëndësishme në sektor. Rritja e këtij biznesi hap një dritare të re për investitorët”,- tha Muçostepa gjatë fjalës së saj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.