Para pak ditësh, Lewis Hamilton rinovoi kontratën me Mercedes. Kampioni i Botës në fuqi i F1 do të jetë pjesë e skuadrës së Mercedes edhe në sezonet 2019 dhe 2020. Që kur u bë pjesë e skuadrës së Mercedes në vitin 2013, Hamilton ka fituar deri më tani tre Botërorë (një tjetër e ka fituar me McLaren) dhe 44 GP. Deri në fund të vitit 2020, kampioni anglez do të ketë kaluar tetë sezone si pilot te Mercedes, periudha më e gjatë në një skuadër të vetme në karrierën e tij.
Sipas asaj që shkruajnë mediat britanike, piloti anglez mendohet se do të fitojë rreth 45 milionë euro në vit (40 mln paund). “Ishte një formalitet kur unë dhe Toto (Wolff) u ulëm dhe biseduam në dimër. Është diçka e mirë t’i shkruash gjërat e zezë në të bardhë dhe të ecësh përpara. Jam pjesë e familjes së garave të Mercedes prej 20 vitesh dhe nuk kam qenë kurrë më i lumtur në një skuadër”.
Edhe drejtuesi ekzekutiv i Mercedes AMG Petronas Formula One Team, Toto Wolff u shpreh entuziast për zgjatjen e kontratës së Hamilton me Mercedes.
“Ne kemi rënë dakord me Lewis që në detajet e para të këtij rinovimi. Natyrisht ka pasur shumë spekulime dhe interes rreth procesit të rinovimit, kështu vendosëm t’u japim fund diskutimeve duke njoftuar rinovimin. Për Lewis nuk mund të shtoj më shumë, ai është një ndër pilotët më të mirë të të gjitha kohërave dhe për këtë, flasin rekordet e tij. Por ajo çfarë më pëlqen më shumë kur punojmë bashkë është të njoh njeriun poshtë kaskës, gjithnjë në kërkim të vetëpërmirësimit, inteligjencën e tij emotive si pjesëtar i kësaj skuadre dhe besnikërinë ndaj atyre që e rrethojnë. Jam i bindur se bashkë do të shkruajmë kapituj të tjerë të suksesshëm në historinë tonë”.