Fabrika e llamarinës “Llamkos”  shitet për 6 milionë euro

15/04/2019 1:40 PM 0 komente

Fabrika për prodhimin e llamarinës “Llamkos” e Vushtrrisë është shitur sot.   Blerjen e kësaj fabrike e kë barë kompania “Emona”.

Në mbledhjen e 8 shkurtit, Gjykata Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti për çështje Ekonomike, kishte nisur procedurën e falimentimit të ndërmarrjes Llamkos, duke e udhëzuar administratorin e falimentimit ta organizojë shitjen përmes ankandit publik.

4.8 milionë euro ishte çmimi minimal për asetet e fabrikës Llamkos në Vushtrri, që ka në pronësi rreth 18 hektarë tokë, ndërtesa, linjën e prodhimit, si dhe makineri e pajisje.

Në ankandin publik që u mbajt sot kjo kompani është shitur për 6 milionë euro.

Punëtorët shpresojnë të mos i ndryshohet destinimi, ku lidhur me këtë ka reaguar edhe Sindikata e Llamkosit.

Kryetari i sindikatës, Ragip Hasani, ka treguar  se është premtuar se do të vazhdoj po me të njëjtin aktivitet.

“U shit sot për 6 milionë euro te kompania Emona shpk. Gjithmonë kemi menduar se e merr një kompani që punon me atë drejtim. Është premtuar se do të vazhdoj në këtë drejtim, por çfarë do të bëhet një Zot e di. E kemi nijet që brenda javës me i informuar të gjithë”.

Fabrika për prodhimin e llamarinës së zinkuar shtrihet në rreth 18.6 hektarë tokë dhe ka qenë një ndër fabrikat që ka afaruar suksesshëm në periudhën e pasluftës, por që problemet që kanë dalë më vonë, sidomos nga kompania “Corestel”, e cila ka vënë në hipotekë të gjitha pronat e “Llamkosit” ka vështirësuar tej mase gjendjen.

“Llamkos” është shitur përmes shitjeve të aseteve me likuidim në muajin gusht 2011 dhe ka qenë nën monitorim për periudhë pesëvjeçare, deri në gusht 2016.  Blerësi kishte marrë obligim për të investuar 100 milionë euro brenda pesë vjetësh, si dhe t’i punësojë 1861 punëtorë.

Kryetari i Vushtrrisë pati premtua se “Llamkosit” do t’i kthehet nami i dikurshëm, kur ishte simbol i zhvillimit ekonomik i komunës së Vushtrrisë.  ‘‘Llamkosi” i është nënshtruar disa etapave të privatizimit, të cilat ishin të pasuksesshme dhe fabrika ka qenë jofunksionale për disa kohë.

“Llamkos” ka kaluar nëpër disa etapa të privatizimit dhe u ka borxh kreditorëve mbi 4 milionë euro, nga të cilat 2.450 milionë euro vetëm punëtorëve. 

Fabrika për prodhimin e llamarinës së zinkuar “Llamakos” është privatizuar me “spinoff special” më 25 gusht 2011 nga kompania britanike “Coresteel”. “Llamkosi”  është privatizuar në vitin 2005, por në vitin 2009 AKP-ja kishte bërë tërheqjen e aksioneve nga blerësi, për shkak të mospërmbushjes së obligimeve kontraktuale për t’u privatizuar, gjithashtu me “spinoff special” më 25 gusht 2011 nga kompania britanike “Coresteel”.  

Ndryshe, privatizimi i fabrikës Llamkos kishte dështuar dy herë dhe që nga viti 2015 dhe kjo ndërmarrje ka mbetur në proces të falimentimit. .Monitor.al/.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of